Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se betejat e brendshme politike me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, është një nga arsyet që gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të vendit.
Guri në emisionin “Intervista e javës”, në KosovaPress, ka thënë se qëndrimi i gjashtë deputetëve është i paqartë, sidomos duke pasur parasysh diskutimet paraprake të zhvilluara në grupin parlamentar, ku, sipas tij, kishte pajtim për gjetjen e një emri konsensual për president.
Guri ka bërë thirrje që në interes të Kosovës, të tejkalohen hatërmbetjet dhe përplasjet politike.
“Unë konsideroj që mund të jetë edhe arsyeja edhe zotëri Abdixhiku, betejat me zotëri Abdixhiku, ato që nuk po arrijnë me i gjetë një mbështetje për zotëri Sejdiu. Mirëpo, kjo është veç një hamendësim i imi, për arsye se këtë e dinë më së miri deputetët që kanë dalë kundër kësaj marrëveshjeje, mirëpo prapë po e them që është shumë e paqartë, duke pasur parasysh diskutimet që janë mbajtur në mbledhjen e parafundit. Ku ne të gjithë kemi qenë dakord që të gjendet një emër për një president konsensual edhe vendit t’i ofrojmë institucione, pastaj nuk mendoj që duhet ne si politikanë, si deputetë, si anëtarë të kryesisë, që unë mendoj që duhet t’i tejkalojmë hatërmbetjet, duhet t’i tejkalojmë inatet, nëse mund t’i quajmë inate, kur është në pyetje interesi i Kosovës. Pasi që ne tash e dimë që Kosova nuk ka institucione tash e një kohë të gjatë”, tha ai.
Duke folur për marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, Guri ka thënë se në LDK nuk e kishin menduar se do të arrinin një marrëveshje kaq të mirë.
I pyetur nëse LDK-ja mund të gjejë zgjidhje tjetër me LVV-në për një kandidat tjetër për president, Guri ka thënë se kjo parti e ka kryer punën e saj dhe se me numrin aktual të deputetëve, nuk ka hapësirë për të përcaktuar kandidatë të tjerë.
Guri ka shtuar se shpreson që zgjedhjet të shmangen, ndonëse nuk është optimist se kjo mund të arrihet me numrat aktualë në Kuvend.
Guri ka folur edhe për “përplasjet” publike me kolegen e tij partiake, Janina Ymeri, ku deklaroi se nuk do të qëndronte asnjë sekondë në një parti nëse do të mendonte se kryetari i saj është pjesë e ndonjë mafie energjetike, siç ka aluduar Ymeri.
Sa i përket mundësisë që të tentohet sërish shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga drejtimi i LDK-së, Guri ka thënë se tashmë asgjë nuk e befason, duke marrë parasysh se për pesë muaj janë mbajtur dy kuvende të partisë.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të thirret edhe një kuvend tjetër./KP

