Ambasada e Kosovës në Berlin ka njoftuar organizimin e “Javës Kulturore të Kosovës në Berlin”, e cila do të mbahet nga 12 deri më 27 qershor 2026 në kryeqytetin gjerman.
Sipas materialeve promovuese të publikuara, aktiviteti do të sjellë një reflektim mbi ndikimin që televizionet gjermane kishin tek të rinjtë kosovarë gjatë viteve ’90 dhe periudhës pas luftës në Kosovë.
Në përshkrimin e ngjarjes thuhet se gjatë okupimit serb dhe viteve të pasluftës, shumë fëmijë dhe të rinj në Kosovë u rritën duke ndjekur programe televizive gjermane përmes satelitit, si “Das Erste”, “ZDF”, “KiKA”, “RTL Zwei”, “Sat.1”, “VIVA” dhe “VOX”.
Sipas Amasadës së Kosovës në Gjermani, televizioni në atë kohë nuk ishte vetëm formë argëtimi, por edhe një dritare e parë drejt gjuhës, kulturës dhe shoqërisë gjermane. Për shumë të rinj kosovarë, kjo ndikoi edhe në mësimin e gjuhës gjermane dhe krijimin e një lidhjeje kulturore me Gjermaninë.
Po ashtu, theksohet se për familjet e diasporës kosovare në Gjermani, televizioni shërbeu si një urë e rëndësishme gjuhësore dhe kulturore ndërmjet vendlindjes dhe jetës së re në Gjermani.
“Gjermania dhe Kosova ndajnë një partneritet të ngushtë – historikisht, politikisht, ekonomikisht dhe kulturor. Gjermania është shtëpia e diasporës më të madhe kosovare në Evropën Perëndimore dhe gjithashtu vendi i pranisë më të madhe diplomatike të Kosovës në mbarë botën” deklaron Ambasada,
“Java Kulturore e Kosovës në Berlin” pritet të sjellë aktivitete dhe përmbajtje që trajtojnë kujtesën kolektive, shkëmbimin kulturor dhe ndikimin e mediave në formësimin e një gjenerate të tërë
