Fjala e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur në Tiranë me rastin e promovimit të librit “El-Ihtijar Li-Talil El-Muhtar”
I nderuar kryetar i KMSh-së, Bujar ef. Spahiu,
I nderuar kryetar i BFI-së së RMV-së, hfz. Shaqir ef. Fetahi,
Të nderuar dashamirë të dijes dhe të librit,
Të nderuar referues,
Të nderuar pjesëmarrës,
Motra dhe vëllezër,
Është kënaqësi e veçantë që, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, të institucioneve tona dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë konferencë të rëndësishme të organizuar nga KMSh-ja.
Jam i bindur se kjo konferencë do të sjellë vlera të çmuara për besimtarët tanë dhe posaçërisht për studiuesit e jurisprudencës dhe të së drejtës islame.
Konferencë e sotme merr një domethënie të veçantë, sepse lidhet drejtpërdrejt me një projekt madhor tashmë të përfunduar: botimin në gjuhën shqipe të kolanës së “El-Ihtijaru li ta’lili-El-Muhtar”, një prej veprave themelore të jurisprudencës islame sipas shkollës hanefite.
Sot, po promovojmë përkthimin e një prej veprave më të rëndësishme dhe më të thella në historinë e fikhut islam, librin “Elihtijar li-ta’lil el-Muhtar”, një vepër që përfaqëson një hallkë të rrallë lidhëse midis tekstit juridik dhe themeleve të tij teorike, midis vendimeve ligjore dhe argumenteve racionale-shoqërore që qëndrojnë pas tyre.
Ky libër nuk është thjesht një shpjegim klasik, as një përmbledhje e thatë e opinioneve juridike, por është një projekt i mirëfilltë shkencor, që synon të zbulojë arsyet e vendimeve dhe të shpjegojë urtësinë e legjislacionit, duke ndërtuar një lidhje të qartë midis argumentit dhe logjikës së tij, midis rregullit dhe qëllimit të tij.
Për këtë arsye, studiuesi që i hyn kësaj vepre e kupton se ka përballë një punë enciklopedike, që shtrihet në fushën e adhurimeve, familjes, dënimeve, gjykimit dhe politikës fetare, por me një frymë të veçantë, të cilën rrallë e gjejmë në veprat e tjera juridike. Ky libër është një dëshmi e rrallë e thellësisë analitike dhe elegancës shkencore, një vepër që i kthen lexuesit besimin te mendimi i saktë dhe argumentimi i saktë, pra është një libër që thërret për t’u kuptuar e jo për t’u përsëritur, ngase përmban një analizë të hollë e të ndërtuar me kujdes dhe të mbështetur në zgjedhje të argumentuara, një referencë e vlefshme për studiues dhe lexues.
Kjo ngase autori paraqet rregullat dhe dispozitat sipas metodës së shkollës hanefite, duke respektuar parimet e saj argumentuese. Ai ndan kapitujt me saktësi, rendit çështjet me kujdes, dhe shpjegon kushtet e tyre në bazë të traditës së gjatë juridike që përfaqëson shkolla.
Shpjegimi logjik i arsyeve të dispozitave është dimensioni më i çmuar i veprës. Autori nuk mjaftohet me dhënien e një vendimi juridik, por shpjegon pse ai vendim është i tillë: cilat janë arsyet, objektivat dhe bazat logjike që e justifikojnë atë. Kjo i jep vepres një dimension analitik dhe racional, duke e ngritur fikhun nga niveli i të mësuarit të dispozitave në nivelin e kuptimit të filozofisë së tyre.
Krahasimi dhe argumentimi i autorit e vendos librin në dialog me mendimet e shkollave të tjera juridike, duke krahasuar argumentet, duke diskutuar provat dhe duke bërë dallime metodike. Kjo i mundëson lexuesit të formojë një qasje kërkimore dhe analizuese, larg pranimit të kuptimit të verbër, duke e ndërthur në mënyrë harmonike shpirtin e traditës klasike me thellësinë e analizës teorike, duke e bërë një burim jashtëzakonisht të vlefshëm për studiuesit e fushave të ndryshme të jurisprudencës Islame.
Kjo vepër përfaqëson një fazë të pjekur të mendimit hanefit, kur dijetarët kërkonin të kuptonin jo vetëm “çfarë është rregulli?”, por edhe pse është rregulli i tillë?. Kështu, libri shndërrohet në një udhërrëfyes për të lidhur fikhun me fusha të tjera si filozofia morale, mendimi juridik krahasues dhe sociologjia e normave. Duke e ndihmuar studiuesin e sotëm të rishohë trashëgiminë juridike jo si një magazinë rregullash të thara, por si një sistem që përmban logjikë, qëllime dhe një mënyrë të thellë të të menduarit.
Kjo vepër mbetet një dëshmi e një periudhe të ndritur të mendimit juridik islam, ku dijetarët kërkonin harmoninë mes traditës dhe arsyes, mes tekstit dhe qëllimit, mes urtësisë dhe rregullit. Ajo vazhdon të jetë një burim i gjallë për çdo studiues që synon të kuptojë thelbin e fikhut, shpirtin e tij të brendshëm dhe filozofinë që e lindi.
Në thelbin e tij, “Elihtijar” është një vepër që mbart frymën e një epoke kur mendimi juridik dhe refleksioni racional ishin binarë të pandashëm të zhvillimit shoqëror. Me një strukturë të thellë argumentuese, kjo vepër mishëron mundësinë e rrallë për të depërtuar në laboratorin e brendshëm të mendimit klasik islam, ku dijetarët jo vetëm që shpjegonin rregullat, por zbërthenin arsyet e tyre, duke artikuluar një metodë të sofistikuar të të kuptuarit dhe të arsyetuarit.
Në këtë kuptim, vepra mbetet një thesar i përhershëm i shkencave juridike, një dëshmi e gjallë e zhvillimit të një paradigme intelektuale që përpiqej të ndërthurte autoritetin tekstual me racionalitetin e pastër.
Ky libër është në shërbim të atyre që kërkojnë të ngrihen në shkallët e dijes juridike islame dhe të kuptojnë arsyetimin e dispozitave, ngase ky libër ndjek thirrjen kuranore për reflektim, analizë dhe kuptim të bazës së ligjit islam që trajton libri, ku synon drejtësi, konsistencë dhe kuptim të thellë, prandaj përdor ajete që urdhërojnë t’u drejtohemi dijetarëve siç është ajeti:
“Pyetni dijetarët, e Librit nëse nuk e dini.” (En Nahl, 43).
Ky libër është një prej argumenteve me të cilat dijetarët shpjegojnë bazat e dispozitave dhe rrugën e të kuptuarit të fesë. Vepra ofron bazë shkencore që shmang ndjekjen e mendimeve të paargumentuara, libri tregon se dispozitat e fikhut kanë qëllime që synojnë lehtësim dhe të mira për njerëzit.
Përkthimi i kësaj vepre në gjuhën shqipe është një akt që tejkalon kufijtë e filologjisë së zakonshme. Ai është një proces i ngarkuar me përgjegjësi të lartë shkencore, ku përkthyesi ndodhet mes dy botëve – asaj të trashëgimisë së thellë klasike dhe asaj të modernitetit analitik – duke i rikthyer publikut shqiptar një tekst që deri më sot ishte i paarritshëm në gjuhën tonë. Me këtë, hapet një dritare e re për studiuesit shqiptarë të së drejtës, të mendimit juridik krahasues, të historisë së institucioneve juridike dhe të kulturës së argumentimit.
Është kënaqësi të shohim një moment të tillë në Tiranë, ku tri bashkësitë islame shqiptare bëjnë një botim të përbashkët. Një nismë e çmuar, që meriton vlerësim dhe vazhdimësi në projekte të tjera bashkuese. Le të shërbejë kjo vepër si frymëzim për projekte të tjera shkencore, për përkthime të reja, për studime të thelluara dhe për nisma që pasurojnë korpusin tonë akademik. Le të jetë një kujtesë se dija është një mision, një përkushtim dhe një trashëgimi që meriton t’u transmetohet brezave me dinjitet, me saktësi dhe me respekt. Dijetarët e hanefive e përshkruajnë si një shkollë metodologjie, ku shpjegohet me balancë shkaku, analogjia dhe urtësia pas çdo norme. Prandaj, ky libër mbetet referencë për studentët, imamët dhe çdo kërkues të dijes që kërkon të kuptojë si mendon dhe argumenton medhhebi hanefi.
Botimi i kësaj kolane në gjuhën shqipe synon të forcojë themelet e studimeve juridike islame ndër ne dhe të shërbejë si referencë e qëndrueshme për studiuesit, juristët, institucionet fetare dhe për të gjithë ata që kërkojnë qartësi në dispozitat e së drejtës islame.
Ky projekt u realizua falë angazhimit të përkushtuar të një ekipi të gjerë përkthyesish, redaktorësh dhe bashkëpunëtorësh, të cilët me profesionalizëm arritën ta sjellin veprën me cilësinë e duhur shkencore, andaj para jush shfrytëzoj rastin t’i falënderoj publikisht për punën e tyre të palodhshme.
Myftiu Naim ef. Tërnava
Tiranë, më 13.12.2025
Fjala e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur në Tiranë me rastin e promovimit të librit “El-Ihtijar Li-Talil El-Muhtar”

