Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe pret që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend dhe se anëtarësimi në NATO përfaqëson një mburojë të fortë sigurie për vendin.
Filipçe vlerësoi se Qeveria aktuale do të përballet me sfida serioze politike dhe ekonomike.
Filipçe, në “Click Plus” në “TV21” rikujtoi deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili më herët kishte thënë se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt dhe jo para kohe. Megjithatë, Filipçe tha se është i bindur se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ai theksoi se gjendja në buxhet është serioze, me rritje të deficitit dhe presion në pagesën e pagave dhe obligimeve ndaj fondeve, ndërsa çështja e sigurimit të mjeteve financiare po bëhet gjithnjë e më aktuale. Sipas tij, po merren hua të reja me kushte të panjohura, gjë që rrit pasigurinë financiare.
Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është garancia më e fortë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe qytetarëve të saj.
Filipçe vlerësoi se krizat aktuale globale, veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme, konfirmojnë rëndësinë e vendimeve të marra nga qeveria e LSDM-së në të kaluarën, kur Maqedonia u bë anëtare e Aleancës.
“Sot, kur ka konflikte në shumë vende të botës, është qartë e dukshme se sa të rëndësishme ishin politikat e burrështetasve dhe vizionare. Ne morëm vendime të vështira, madje edhe me koston e vlerësimeve politike, por arritëm ta fusim Maqedoninë në aleancën më të fortë mbrojtëse në botë”, tha Filipçe.
Sipas tij, anëtarësimi në NATO përfaqëson një mburojë të fortë sigurie për vendin, veçanërisht në kushtet e rritjes së rreziqeve globale të sigurisë.

