Mër. Shk 4th, 2026

FFK-ja mban nesër kuvendin zgjedhor, Ademi kandidati i vetëm në garë për t’u rizgjedhur

Mes shumë polemikash e reagimesh, të enjten do të mbahet kuvendi zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës, me pikën e vetme në rend dite, zgjedhjen e kryetarit të ri.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, është kandidati i vetëm në garë për t’u rizgjedhur edhe për një mandat të ri katërvjeçar për faktin se mblodhi shumicën e nënshkrimeve, duke i pamundësuar një kandidati tjetër për të hyrë në garë kundër tij.

Ademi është kryetar i FFK-së, që nga viti 2018 dhe kjo pritet të jetë rizgjedhja e dytë e tij në krye të federatës.
Por megjithëse nuk ka një kundërkandidat për kreun e FFK-së, Ademi u përballë me pengesa të mëdha nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport. Përmes ministrit në detyrë Hajrulla Çeku, MKRS-ja kishte reaguar menjëherë pasi FFK-ja kishte caktuar 5 shkurtin si datën e mbajtjes së kuvendit zgjedhor.

Sipas MKRS-së, FFK-ja ende nuk i kishte përmbushur obligimet e dala nga procesi i licencimit të vitit 2023, të dakorduara me UEFA-n, FIFA-n dhe vetë ministrinë, përfshirë harmonizimin e Statutit me Ligjin për Sport dhe rregulloret përkatëse.
Ministria vuri në pikëpyetje edhe përbërjen dhe legjitimitetin e kuvendit zgjedhor, duke rikujtuar se të drejtë vote kanë vetëm anëtarët e licencuar, për cka nuk dihet sa anëtar do të votojnë më 5 shkurt dhe cilët janë të licencuar.

Duke e parë se nuk po tërhiqej nga vendimi për mbajtjen e kuvendit, ministri Çeku i shkroi letër UEFA-s dhe FIFA-s, për parregullsitë në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe mbajtjen e kuvendit pa legjitimitet.

Në letër nga pikat më problematike është mekanizmi statutor i kandidimit për kryetar, i cili kërkon 15 nënshkrime mbështetëse nga anëtarët e federatës vetëm si kusht për t’u kandiduar për kryetar. Në një federatë si FFK-ja, që ka 40 anëtarë gjithsej, por vetëm 26 janë të licencuar dhe me të drejtë vote, ky rregull – sipas ministrisë – eliminon garën reale dhe e bën praktikisht të mundur vetëm një kandidaturë.

Por përmes një letre të përbashkët të UEFA-s dhe FIFA-s, përgjigjja i kthehet njëherë FFK-së, e më pas ajo i dërgohet edhe ministrisë.

Në letrën e nënshkruar nga zyrtarë të lartë të FIFA-s e UEFA-s, konfirmohet se FFK-ja ka harmonizuar statutin e saj në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s dhe Ligjin për sportin.
Kërkohet pavarësi e plotë, dhe jo ndërhyrje në punën e FFK-së, por edhe për reagimin e vonshëm të ministrisë, që të ndryshohet Statuti, vetëm pak javë para kuvendit zgjedhor.
Zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s do të jenë të pranishëm në kuvendin e 5 shkurtit, për të siguruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me Statutin e FFK-së, si edhe me statutet, rregulloret dhe parimet përkatëse të FIFA-s dhe UEFA-s.
Por si në të kaluarën edhe ky kuvend, do të mbahet larg syve të mediave e gazetarëve, të cilët nuk kanë pasur mundësinë të raportojnë nga vendi i ngjarjes, derisa nga zyra për media e FFK-së, ende nuk është bërë i ditur vendi por edhe koha se kur mbahet ky kuvend.

Tëvë 1 përmes burimeve mëson se kuvendi i shkurtit nis nga ora 11:00 dhe do të mbahet në hotelin “Emerald”.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *