Mar. Jan 20th, 2026

Fatura milionëshe nga vërshimet – Komunat po i bëjnë gati vlerësimet përfundimtare për Qeverinë

Pas vërshimeve të fundit që përfshinë disa zona të Kosovës, Komunat e prekura janë duke punuar intensivisht për t’i vlerësuar dëmet e shkaktuara, si tek bizneset, ashtu edhe tek ekonomitë familjare.

Kryetarët e disa komunave kanë formuar komisione për mbledhjen e të dhënave në terren dhe po përgatiten raportet përfundimtare, të cilat më pas do t’i dorëzojnë Qeverisë së Kosovës

Qëllimi i këtyre vlerësimeve është që të identifikohen dëmet konkrete dhe të përgatitet një pasqyrë e detajuar, e cila më pas do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës për shqyrtim dhe kompensim.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se të mërkurën (nesër) përfundon afati për dorëzimin e ankesave lidhur me dëmet e shkaktuara nga vërshimet tek ekonomitë familjare dhe bizneset në këtë Komunë, raporton Frontonline.

Ai tha se ndërkohë komisioni për vlerësimin e dëmeve tashmë është në terren dhe po shqyrton kërkesat për kompensimin e dëmeve të paraqitura nga qytetarët dhe bizneset e prekura.

“Komisioni për vlerësimin e dëmeve veçse është në terren duke shqyrtuar kërkesat për kompensimin e dëmit. Në fund të kësaj periudhe do të përgatitet një raport përfundimtar, i cili do të aprovohet në Asamblenë Komunale në mbledhjet e ardhshme dhe më pas do të dërgohet në Qeverinë e Kosovës për kompensim të dëmeve”, ka deklaruar Kastrati

Sipas tij, Komuna e Malishevës tashmë ka një bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se raporti që do të aprovohet në Asamblenë Komunale do të trajtohet me kujdes të shtuar nga institucionet qendrore për sigurimin e kompensimit të dëmeve nga vërshimet.

‘’Tashmë e kemi një bashkëpunim me Qeverinë që raporti që aprovohet në asamblenë komunale do e ketë kujdesin e shtuar në Qeverinë e Kosovës’’, tha ai.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se vërshimet e fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pronat private dhe publike të komunës. Sipas tij, janë prekur shtëpi, kultura bujqësore, kompani private, si dhe infrastruktura publike, përfshirë rrugë, disa ura dhe objekte të tjera.

“Për të gjitha fushat e dëmeve janë formuar komisione, të cilat ndodhen në terren dhe po e bëjnë regjistrimin e dëmeve. Ende nuk ka përfunduar procesi i evidentimit, ndërsa evidenca e dokumentuar do t’i dorëzohet Komisionit Qeveritar për vlerësimin dhe kompensimin e dëmit”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai shtoi se komuna ka pritur edhe vizitën e Komisionit Qeveritar për vlerësimin e dëmeve, ndërkohë që punët janë të ndara me qëllim të përbashkët: evidentimin dhe kompensimin e dëmit, i cili do të bëhet përmes fondit të emergjencës të Qeverisë së Kosovës.

“Kemi pritshmëri që të gjithë qytetarët dhe kompanitë e dëmtuara nga vërshimet të kompensohen. Kur do të ndodhë kjo nuk e dimë, pasi nuk është në dorën tonë, por sa më shpejt të jetë e mundur, do të jetë më mirë”, ka theksuar kryetari i Drenasit.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se institucionet komunale janë në proces të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit.

Ai tha se aktualisht po punohet në terren dhe se përllogaritja e saktë e dëmeve do të bëhet në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Dëme.

“Jemi në proces të vlerësimit, pas 5–6 ditësh mund të flasim me shifra. Kemi me Komisionin Qeveritar për Dëme. Të shohim”, është shprehur Latifi

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se është formuar komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në këtë komunë.

Ai tha se komisioni tashmë ka nisur punën në terren për mbledhjen e të dhënave, ndërsa pas përfundimit të raportit, ai do të procedohet për shqyrtim në Qeveri.

“E kam formuar komisionin për vlerësim të dëmeve, i cili është duke punuar në mbledhjen e të dhënave në terren. Pasi ta kompletojmë raportin, e procedojmë në Qeveri, pasi ne nuk kemi mjete për kompensim të dëmeve”, ka deklaruar Idrizi

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka bërë të ditur se institucionet komunale janë në proces të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në këtë komunë.

Ai tha se komuna është në kontakt të vazhdueshëm me Komisionin Qeveritar për vlerësimin e dëmeve, ndërsa njëkohësisht edhe komisioni komunal po punon në terren për evidentimin e pasojave.

“Jemi në kontakt me Komisionin Qeveritar për vlerësimin e dëmeve dhe komisioni ynë komunal po bën vlerësimin e dëmeve. Varësisht nga kërkesat, besoj se deri në fund të javës do ta dimë rezultatin. Deri më tani nuk dimë asgjë”, ka deklaruar Elezaj.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se është formuar një komision komunal prej pesë anëtarësh për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në këtë komunë.

Ai tha se komisioni, në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar, është duke punuar në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në amvisëri, bujqësi dhe infrastrukturë.

“Kemi formuar komisionin prej pesë anëtarëve dhe në bashkëpunim me komisionin qeveritar janë në terren dhe po i bëjnë vlerësimet e dëmeve që janë shkaktuar në amvisëri, bujqësi dhe infrastrukturë. Kemi bërë thirrje publike që ata që janë prekur nga vërshimet të bëjnë ankesa në zyrën numër 1”, ka deklaruar Muharremaj.

Sipas tij, vlerësimet e sakta të dëmeve pritet të përfundojnë brenda 10 ditësh, ndërsa raporti përfundimtar do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës për hapat e mëtejmë lidhur me kompensimin e dëmeve.

‘’ Sa i përket vlerësimeve, brenda 10 dite do i kemi vlerësimet e sakta dhe ato do të dorëzohen në Qeverinë e Kosovës’’ përfundoi ai.

Përndryshe, dëmi financiar tek ekonomitë familjare dhe bizneset nga vërshimet e para disa ditëve vlerësohet të jetë miliona euro dhe i njëjti pritet të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *