Kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, lavdëruan “epokën e artë” të raporteve mes vendeve gjatë vizitës së udhëheqësit amerikan, në Tokio. Dy shtetet nënshkruan një marrëveshje që synon t’i sigurojë Uashingtonit minerale të rralla.
Takaichi – gruaja e parë kryeministre në Japoni – lavdëroi Trumpin dhe njoftoi se do ta nominojë atë për çmimin “Nobel” për paqe, tha Shtëpia e Bardhë, përcjell A2-shi.
Në këmbim, Trump, i cili u takua për herë të parë me Takaichin gjatë turneut të tij në Azi, tha se Uashingtoni është aleat “i nivelit më të fortë të mundshëm”.
“Është një nder i madh të jem me ju, veçanërisht kaq herët në atë që mendoj se do të jetë një nga kryeministret më të mira”, i tha Trump Takaichit në pallatin shtetëror Akasaka.
Takaichi e lavdëroi Trumpin për përpjekjet e tij drejt një armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias dhe për “arritjen e tij historike dhe të paprecedent” të marrëveshjes për Gazën.
“Do të doja të realizoja një epokë të re të artë të aleancës Japoni-SHBA, ku si Japonia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara do të bëhen më të forta dhe më të begata”, tha ajo.
Të dyja palët gjithashtu nënshkruan një marrëveshje që synon “forcimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike dhe elemente të rralla tokësore”, u tha në deklaratë.
Pekini këtë muaj njoftoi kufizime të gjera në industrinë e elementeve të rralla, gjë që e shtyu Trumpin që të paralajmëronte se si kundërpërgjigje do t’i vendosë tarifë prej 100 për qind importeve nga Kina.
Pas takimit me kryeministren Takaichi, presidenti Trump u takua me familjarët e japonezëve të rrëmbyer nga Koreja e Veriut dekada më parë, ku tha se “SHBA qëndron plotësisht me ta”, teksa ata kërkuan ndihmë për gjetjen e më të dashurve të tyre.
Pasi për vite të tëra e mohoi, Koreja e Veriut e pranoi më 2002 se kishte dërguar agjentë për të rrëmbyer 13 shtetas japonezë, të cilët u përdorën për të trajnuar spiunë për gjuhën dhe zakonet japoneze. Japonia thotë se janë rrëmbyer edhe persona të tjerë.
Trump arriti në Japoni të hënë dhe gjatë turneut në Azi pritet të takohet edhe me homologun kinez, Xi Jinping, takim që mund të ndihmojë në tejkalimin e luftës tregtare mes dy vendeve.
Negociatorët nga Uashingtoni dhe Pekini kanë konfirmuar se është arritur një “marrëveshje kornizë” mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Sa i përket sigurisë, Japonia gjithnjë e më shumë po merr një qëndrim më të fortë ushtarak, teksa raportet me Kinën janë përkeqësuar.
Takaichi, që javën e kaluar u bë gruaja e parë kryeministre në Japoni, ka thënë se Qeveria e saj do të arrijë synimin që të shpenzojë 2 për qind të GDP-së në mbrojtje – dy vjet sesa parashikimet paraprake.
SHBA-ja, që ka rreth 60 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak në Japoni, dëshiron që Tokio të shpenzojë edhe më shumë në mbrojtje, potencialisht të arrijë në 5 për qind, ashtu siç ishin zotuar anëtarët e NATO-s në qershor.
Përveç takimit me Takaichin, Trump do të mbajë edhe një fjalim në aeroplanmbajtësen amerikane, USS George Washington, që është ankoruar në bazën detare amerikane Yokosuka.
Gjatë qëndrimit në Japoni, ai do të takohet edhe me udhëheqës të biznesit.

