Mër. Sht 30th, 2026

Ende nuk është caktuar data e aktgjykimit në rastin e Thaçit për administrim të drejtësisë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se ende nuk është caktuar data për shpalljen e aktgjykimit në rastin e Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve, lidhur me akuzat për administrim të drejtësisë.

Në një përgjigje për IndeksOnline, nga Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se pas përfundimit të çështjes nga gjyqtari i vetëm i gjykimit, Christopher Gosnell, ai ka një afat prej 90-ditësh për të nxjerrë aktgjykimin.

“Nëse ka nevojë për më shumë kohë, ai mund ta zgjasë këtë afat edhe për 60 ditë të tjera. Zgjatje të mëtejshme janë të mundshme në rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, deri tani, Gosnell nuk ka caktuar një datë për shpalljen e aktgjykimit.

Sa i përket dënimit të mundshëm, Dhomat e Specializuara kanë theksuar se kjo çështje i takon Gosnell-it për ta vendosur.

Dhomat e Specializuara pohuan se, gjatë përcaktimit të dënimit, gjyqtarët përgjithësisht marrin parasysh diapazonin e dënimit të paraparë me ligj, rrethanat personale të personit të dënuar, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

“Prokuroria dhe mbrojtja mund të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje, por vendimi përfundimtar për dënimin i takon gjyqtarit të vetëm”, thuhet në përgjigjen për mediat vendore.

Rasti për administrimin e drejtësisë është i ndarë nga çështja kryesore ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, rast në të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim.

Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin në rastin e administrimit të drejtësisë. Sipas kërkesës së saj, nëse koha e kaluar në paraburgim nuk zbritet nga ky dënim, atëherë, në kombinim me dënimin prej 25 vjetësh të shqiptuar në çështjen tjetër, dënimi total do të arrinte në 31 vjet.

Postime të Ngjashme