Mar. Gus 18th, 2026

Dy zjarre shpërthejnë njëri pas tjetrit në Greqi, dy të vdekur dhe qindra të evakuuar

Dy persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë evakuuar pasi dy zjarre shpërthyen “pothuajse njëkohësisht” të dielën pasdite në ishullin grek Salamina, pranë Athinës, njoftuan autoritetet.

Rreth 200 zjarrfikës u angazhuan për të parandaluar bashkimin e dy vatrave të zjarrit, ndërsa Salamina ishte nën rrezik të lartë për zjarre pyjore.

Zjarri i parë u raportua rreth orës 14:40 sipas kohës lokale, në pjesën jugore të ishullit dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta.

Rreth 20 minuta më vonë, një tjetër zjarr shpërtheu në pjesën lindore. Shkaku i zjarreve ende nuk dihet, shkruan BBC,

Sipas mediave greke, deri të dielën në mbrëmje zjarri i parë ishte vënë nën kontroll dhe evakuimet kishin përfunduar. Rreth 500 persona u larguan nga ishulli me anije.

Zjarri i parë shpërtheu në një zonë të banuar dhe të pyllëzuar në Peristeria. Zyrtari i zjarrfikësve, Vasilios Vathrakoyannis, tha se ekipet gjetën dy trupa në vendngjarje. Kryetari i qytetit u tha mediave greke se viktimat besohet të kenë qenë çift.

Ekipet e zjarrfikësve vazhduan të përballeshin me vatra të shpërndara gjatë së dielës, ndërsa për zjarrin e dytë, që shpërtheu në qytetin lindor të Selinias, u tha se nuk kishte më “front aktiv”.
Dy anije të Rojës Bregdetare dhe një anije e Shërbimit Zjarrfikës do të qëndrojnë në zonë për mbikëqyrje dhe asistencë.

Postime të Ngjashme