Një dron rus ka goditur sot një objekt shkollor në lagjen Solomianski të Kievit, gjatë sulmeve ajrore ndaj kryeqytetit ukrainas.
Në momentin e sulmit, në shkollë ndodheshin më shumë se 100 nxënës dhe rreth 60 pjesëtarë të stafit, të cilët ishin futur në strehimore. Sipas autoriteteve ukrainase, nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima.
Nga goditja është dëmtuar fasada e objektit në nivelin e katit të tretë, ndërsa më pas ka shpërthyer edhe një zjarr. Ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë në vendngjarje për shuarjen e flakëve dhe për vlerësimin e dëmeve.
Raportimet e fundit bëjnë të ditur se në objekt është gjetur edhe pjesë e dronit. Sipas një zyrtari lokal, koka luftarake e mjetit ajror nuk kishte shpërthyer. Ndërkohë, policia, ekipet e deminimit dhe shërbimet e emergjencës kanë vazhduar punën në zonë.
Sulmi është pjesë e një vale më të gjerë sulmesh me dronë ndaj Kievit. Autoritetet ukrainase kanë raportuar dëme edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ndërsa shërbimet emergjente kanë vijuar me trajtimin e pasojave të sulmeve.

