Forca e Sigurisë së Kosovës, aktualisht, është në proces të transformimit në ushtri.
Ky proces filloi në vitin 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore, dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Kosova, me një popullsi prej 1.5 milion banorësh, pritet të ketë më shumë se 7.500 ushtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe një forcë policore prej rreth 9.000 pjesëtarësh.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur transformimin e FSK-së në ushtri që nga fillimi, por jo edhe NATO-ja, e cila këmbëngul që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj origjinale, siç janë reagimi ndaj krizave ose mbrojtja civile.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “të gjitha armët që Kosova ka blerë në katër vjetët e fundit, janë në përputhje me standardet e NATO-s. Ato janë kryesisht armë të blera nga Shtetet e Bashkuara, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”.
Zëdhënësja Liridona Gashi nuk zbulon se sa është shpenzuar këtë vit për armatim, por thekson se kjo qeveri ka investuar “shumëfish më shumë” se të kaluarat.
Në shtator, FSK-ja ka pranuar dronë të blerë nga Shtetet e Bashkuara – modeli RQ-20 Puma LE.
Në gusht, FSK-ja është pajisur edhe me automjete të blinduara, të blera nga Shtetet e Bashkuara.
Vitin e kaluar, ajo ka paraqitur kërkesë për të blerë edhe 200 raketa antitank, Javelin, dhe tani është në proces të pagesës.
Kosova ka blerë edhe një flotë të dronëve turq, Bayraktar, në vitin 2023.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Kosova ka blerë dronë Bayraktar në vitin 2023.
Në vitin 2018, nga SHBA-ja në Kosovë kanë arritur edhe automjete ushtarake të tipit Humvee. Qeveria e Kosovës, atëkohë, ka nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane AM General për blerjen e 51 automjeteve të këtij lloji.
Dy vjet më vonë, Kosova ka blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërsa në vitin 2021, Qeveria amerikane i ka dhuruar Kosovës 55 automjete ASV (Automjete të Blinduara Sigurie).
Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes – këtë vit ka arritur në 207.8 milionë euro.
FSK-ja stërvitet vazhdimisht në bazat amerikane dhe evropiane, dhe gjithashtu merr pjesë në ushtrime shumëkombëshe si “Defender Europe”.
Në fund të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Turqinë për të ndërtuar fabrikën e saj të parë të municioneve.
Gashi, nga Ministria e Mbrojtjes, thotë se pritjet janë që ajo të funksionalizohet “brenda dy vjetësh”. Ndërsa, për bashkëpunimin ushtarak të shpallur në mars mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, thotë se aktualisht “është duke u përpiluar plani i përbashkët i aktiviteteve”.
Megjithatë, rruga e Kosovës drejt NATO-s është ende e gjatë, meqë katër vende të aleancës nuk e njohin shtetësinë e saj.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, sugjeron krijimin e kapaciteteve të përbashkëta ushtarake.
“E vetmja mënyrë për t’i bërë ballë këtij lloj agresioni politik të Serbisë në bashkëpunim me Kinën dhe Rusinë, është t’i ndërtojmë tri elemente të rëndësishme: një deterrancë ushtarake të vendeve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, një deterrancë politike për një analizë të përbashkët të çështjeve të sigurisë dhe një deterrancë ekonomike. Këto janë të lidhura me njëra-tjetrën”.
Duke iu referuar përvojës së vendeve baltike, Mediu e vlerëson nismën e Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim në mbrojtje, me shpresën që ajo të ngrihet në një nivel më të avancuar.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila ishte nikoqire e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, njoftoi se në shtator të vitit 2025, udhëzuesi, i cili është në fazat e fundit të zhvillimit, do t’u paraqitet ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për miratim.
Deklarata e nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes në detyrë i Kosovës, Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, përcaktoi katër pika bashkëpunimi:
Promovimi i aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimit në industritë përkatëse;
Rritja e ndërveprimit përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve ushtarake;
Reagimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë;
Mbështetja e plotë për integrimin euroatlantik.
Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është detyrimi i parë nga deklarata. Sipas Maqedoncit, qëllimi është të bëhet një porosi e vetme, në vend të tri porosive të ndara nga secili vend.
“Për shembull, për një sistem [armësh], për të cilin jemi të interesuar të tria shtetet që ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushton më lirë dhe vjen më shpejt”, ka deklaruar Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë.