Policia e Shkodrës ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Në kuadër të operacionit të koduar ‘Neonët 9’ u zbulua në lagjen “10 Korriku” të qytetit një ambient (tunel) i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, raporton Euronewsalbania.
Në pranga u vunë 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtari kriminale dhe u sekuestruan 670 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike kanabis dhe 254 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (tunel), në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P., në lagjen “10 Korriku”, i cili ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 pajisje inventer, 31 panele led dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit.
Gjithashtu, u vu në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim”, bëri me dije policia.

