Në kuadër të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit me qendrat islame shqiptare në diasporë, drejtori i Drejtorisë për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, më 25 dhe 26 shtator 2026 zhvilloi një vizitë në Gjermani, ku mori pjesë në aktivitete fetare, kulturore dhe edukative të komunitetit shqiptar.
Gjatë vizitës në Qendrën Islame Shqiptare Sindelfingen-Böblingen, drejtori Simnica fali namazin e xhumasë dhe mbajti hytben para xhematit. Në fjalën e tij, ai përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke përcjellë përshëndetjet dhe falënderimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Myftiut Naim ef. Tërnava.
Drejtori Simnica vlerësoi kontributin e mërgatës shqiptare dhe rolin e xhamive dhe qendrave islame në diasporë, jo vetëm si hapësira të adhurimit, por edhe si qendra të edukimit, organizimit dhe bashkimit të komunitetit. Në këtë kuadër, ai i njohu të pranishmit edhe me veprimtarinë e institucioneve edukativo-arsimore të BIK-ut, si dhe me aktivitetet humanitare të Shoqatës “Bereqeti”.
Gjatë takimit u diskutua për jetën fetare të bashkatdhetarëve në diasporë, aktivitetet e xhamive dhe qendrave islame, sfidat me të cilat përballet komuniteti, si dhe rëndësia e ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave fetare e kombëtare te brezat e rinj.
Në kuadër të vizitës, më 26 shtator, drejtori për Diasporë mori pjesë edhe në promovimin e dy librave të hoxhë Rexhep ef. Sulejmanit, “Të mësojmë Islamin – Rruga e besimit” dhe “Den Islam verstehen – Der Weg des Glaubens”, të botuara përkatësisht në gjuhën shqipe dhe gjermane. Promovimi u mbajt në Qendrën Islame Shqiptare në Stuttgart, në praninë e kryetarit të Unionit të Qendrave Islame të Gjermanisë, Mensur ef. Alili, kryeredaktorit të librit, prof. dr. Musa Musai, përfaqësuesve të bashkësive islame nga vendlindja, hoxhallarëve që veprojnë në Gjermani dhe një numri të madh xhematlinjsh.
Drejtori Simnica theksoi rëndësinë e literaturës fetare në gjuhën shqipe dhe gjermane, veçanërisht për edukimin fetar të brezave të rinj në diasporë

