Hën. Dhj 1st, 2025

Drejtori për Diasporë pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica merr pjesë në manifestimin me rastin e festës së 28 Nëntorit të organizuar nga xhamia “Bashkimi” në Linz të Austrisë

Drejtori për Diasporë pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, së bashku me kryetarin e ALKIG-ut, Vahidin ef. Beluli, morën pjesë në manifestimin me rastin e festës së 28 Nëntorit të organizuar nga xhamia “Bashkimi” në Linz të Austrisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori Simnica, përcolli urime e falënderime në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve udhëheqëse dhe të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava. Ai theksoi rëndësinë e unitetit, ruajtjes së vlerave tona fetare e kombëtare dhe angazhimit të vazhdueshëm të mërgatës në mbështetje të institucioneve të atdheut.
“Kjo ditë na kujton se liria, identiteti dhe bashkimi nuk janë dhuratë janë amanet, janë përgjegjësi që çdo brez duhet t’i ruajë e t’i ndërtojë më tej. E në diasporë, kjo përgjegjësi është edhe më e madhe. Ne jemi zëri, imazhi dhe pasqyrimi i kombit tonë. Me punën tonë, me moralin tonë, me familjet tona dhe me bashkësitë tona fetare e kulturore, ne tregojmë se kush janë shqiptarët dhe nga vijmë”, tha mes tjerash ai.
Manifesti u begatua me pjesmarrjen e madhe të shqiptarëve atje, ndërsa këtë organizim e zbukuruan grupi i nxënësve me paraqitjen e tyre të bukur dhe shfaqjen e programit festiv dhe ish-nxënësi i Medresesë “Alauddin”, Rexhep Sahiti, i cili në kuadër të programit u paraqit me uniformën e veteranit të UÇK-së, duke sjellë emocione dhe respekt të veçantë për sakrificën e brezave të lirisë.
Drejtori Simnica shprehu falenderim dhe mirënjohje të veçantë për gjithë organizatorët duke i uruar të gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *