Mër. Dhj 3rd, 2025

Drejtori për Diasporë në Bashkësinë Islame,Ekrem ef. Simnica, merr pjesë në mbrëmjen humanitare për blerjen e objektit të xhamisë në qytetin e Dyseldorfit në Gjermani.

Më 29 nëntor 2025, me ftesë të kryetarit të Unionit të Qendrave Islame Shqiptare, Mensur ef. Halili, drejtori për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në mbrëmjen humanitare për blerjen e objektit të xhamisë në qytetin e Dyseldorfit në Gjermani.
Ky organizim mblodhi figura të rëndësishme të jetës fetare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, duke dëshmuar nivelin e lartë të angazhimit, unitetit dhe përgjegjësisë së komunitetit shqiptar mysliman në Evropë.
Drejtori Simnica, pasi përshëndeti të pranishmit, përcolli urimet dhe përshëndetjet në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve udhëheqëse të saj dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Me këtë rast, ai uroi Ditën e Flamurit, duke theksuar se dashuria për atdheun është pjesë e imanit, sepse Allahu e ka vendosur këtë ndjenjë në zemrat e njerëzve. Kjo dashuri, tha ai, duhet kultivuar e përcjellë brez pas brezi, që fëmijët tanë të mos humbasin rrënjët e tyre.
Drejtori foli gjithashtu edhe për rëndësinë e xhamive në diasporë, duke theksuar se kush kontribuon për shtëpitë e Allahut, në fakt po ndërton një fortifikatë për fenë dhe identitetin e vet në këtë botë dhe një pallat për veten në botën tjetër.
Në fund të fjalës së tij, ai i uroi përzemërsisht kryetarin e xhamisë “Dituria” në Dyseldorf, z. Muhamedin Ejupi, imamin e nderuar Bunjamin ef. Limani, Kryesinë dhe xhematin për realizimin e blerjes së kësaj xhamie, duke shpresuar që ajo të shndërrohet në pikë bashkimi, uniteti dhe fuqizimi shpirtëror për komunitetin shqiptar në këtë qytet.
Edhe kësaj radhe, shqiptarët e Dyseldorfit dhe të mbarë botës dëshmuan zemërgjerësinë, përgjegjësinë dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar për shtëpitë e Zotit.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, drejtori Simnica, së bashku me drejtorin e diasporës në BFI-në e Maqedonisë së Veriut, Mafiz ef. Rrustemi, vizituan xhaminë shqiptare në Dyseldorf dhe zhvilluan një takim pune me kryetarin e Unionit të Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani, Mensur ef. Halili.
Në takim u diskutua për rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm, sfidat dhe mundësitë e reja, rëndësinë e qëndrimit të unifikuar me institucionet e vendlindjes, si dhe planet për të ardhmen.
U theksua edhe një herë se puna e organizuar dhe koordinimi i qendrave islame shqiptare në diasporë mbeten faktor kyç për ruajtjen e fesë, identitetit dhe unitetit të komunitetit.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *