Mar. Jan 27th, 2026

DREJTORI PËR DIASPORË MORI PJESË NË MANIFESTIMIN MADHËSHTOR TË XHAMISË SË CYRIHUT- Zvicër

Më 25 janar 2026, Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnics mori pjesë në manifestimin madhështor të organizuar nga Xhamia e Cyrihut.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm një numër i madh hoxhallarësh që veprojnë në Zvicër, Kryetari i KMSHZ-së, H. Mehas ef. Alija, Reisi i BFIMV, Shaqir ef. Fetai, përfaqësues nga Lugina, si dhe një numër i madh besimtarësh.
Në fillim, fjalë përshëndetëse mbajti imami i Xhamisë së Cyrihut, Hfz. Nebi ef. Rexhepi, i cili, pasi përshëndeti të pranishmit, foli për historikun e xhamisë. Ai theksoi se Xhamia e Cyrihut është ndër xhamitë e para shqiptare në Zvicër, e themeluar që në vitin 1987, dhe se shumë xhami të tjera shqiptare kanë lindur më pas nga anëtarët e kësaj xhamie.
Më pas, Kryetari i xhamisë, z. Ismail Ademi, foli për projektin e zgjerimit të xhamisë, duke theksuar se është blerë edhe kati mbi xhami, i cili do të shndërrohet në hapësira më të mëdha dhe më funksionale për nevojat e xhematit.
Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, uroi në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të organeve dhe institucioneve udhëheqëse të saj, në emër të Myftiut Naim ef. Ternava, organizimin dhe blerjen e pjesës shtojcë të xhamisë në Cyrih.
Ndërsa në fjalimin e tij, Drejtori për Diasporë theksoi vlerën e xhamisë në diasporë si vend adhurimi, edukimi dhe lidhjeje shpirtërore. Ai nënvizoi se xhamia është shtëpia e besimit, vendi ku ruhet besimi, morali dhe identiteti fetar dhe kombëtarë i besimtarëve, veçanërisht në kushtet e mërgimit dhe sfidave të largësisë nga atdheu.
Ai theksoi se shtimi i vakëfit dhe zgjerimi i xhamisë janë vepra me shpërblim të madh, sadaka xharije, që mbetet për besimtarin edhe pas vdekjes.
Në përfundim, Drejtori për Diasporë bëri thirrje për respekt, unitet dhe ruajtje të xhamisë si amanet hyjnor, duke theksuar se aty ku themelohet xhamia me sinqeritet, Allahu sjell bereqet, stabilitet dhe udhëzim për gjithë besimtarët.
Ky manifestim, i moderuar nga hoxha i mirënjohur i Wilit, Mr. Bekim ef. Alimi, ishte jashtëzakonisht i begatë, ku brenda një nate u mblodhën gjithsej 870.000 CHF.
Drejtori për Diasporë, për fund ndau mirënjohje për imamin Nebi ef. Rexhepi dhe mirënjohje ndau edhe për xhaminë shqiptare – Zurich, mirënjohja ju dorëzua kryetarit të xhamisë, Ismail Ademi.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *