Die. Nën 9th, 2025

DnV: Angazhimi i Kurtit në komuna në ditën e zgjedhjeve krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor

Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është zhvilluar në mënyrë të qetë. Sipas njoftimit dërguar mediave, qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendra të votimit është menaxhuar në mënyrë përgjithësisht të rregullt. Megjithatë DnV thekson se angazhimi i kryeministrit në detyrë i Albin Kurtit në komuna “në ditën e zgjedhjeve krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor”.

“Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, i cili ka sjellë një ulje të dukshme të rasteve të tilla në krahasim me raundin e parë. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga ana e KQZ-së¸në mes të dy raundeve, ka krijuar vështirësi për shumë qytetarë – sidomos ata të shtyrë në moshë ose me probleme në shkrim-lexim, të cilët janë kthyer pa mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar nga KQZ”, thuhet në njoftim.

“DnV thekson gjithashtu që angazhimi publik i Kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, në disa komuna, e vë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor. Ky element, ndonëse nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, bie ndesh me parimin e barazisë së garës dhe standardet e sjelljes gjatë ditës së zgjedhjeve”, thuhet tutje në reagim.

“DnV thekson se përfundimi i suksesshëm i këtij raundi duhet të pasohet me transparencë dhe saktësi të plotë gjatë procesit të numërimit dhe publikimit të rezultateve. Po ashtu, kërkojmë nga subjektet politike që të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, para se të deklarojnë fitoret, në mënyrë që të ruhet qetësia”, përfundon njoftimi.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *