Për nder të muajit të bekuar Ramazan, një delegacion i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës nga data 26 shkurt deri më 2 mars 2026, qëndruan për vizitë zyrtare në Zvicër.
Delegacioni në përbërje nga drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, kryeimami Vedat ef. Sahiti, Sulejman ef, Fejzullahu- kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc, Valon ef. Myrta- kryetar i këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, Rexhep ef. Qerkezi, kryetar i këshillit Bashkësisë Islame në Obiliq, dhe imam i xhamisë qendrore Obiliq, Abedin ef. Sadriu, përgjegjës për Vakufe fillimisht vizituan Konsullatën e Kosovës në Cyrih, në të cilën u mirëpritën nga udhëheqësi i misionit, z. Vigan Berisha. Gjatë këtij takimi u bisedua për mundësinë e koordinimit dhe bashkpunimit me të gjitha qendrat shqiptare.
Më pas, delegacioni, u shpërnda nëpër xhamitë të ndryshme shqiptare, ku u pritën nga përfaqësuesit e këtyre xhamive dhe nga xhematë të shumtë. Ata përcollën përshëndetjet dhe urimet për muajin e bekuar Ramazan nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe nga Myftiu Naim ef. Tërnava, si dhe më pas në kohë të ndryshme mbajtën ligjërata rreth vlerës së muajit të bekuar Ramazan.
Ata falënderuan diasporën shqiptare myslimane për mikpritjen e ngrohtë, duke lutur Zotin e Madhëruar që t’i shpërblejë me të mirat e Tij. Diaspora shqiptare, sipas tyre, ka qenë gjithnjë pranë nevojave dhe kërkesave jo vetëm të familjeve të tyre në Kosovë, por edhe të Bashkësisë Islame të Kosovës, andaj në emër të të gjithë delegacionit, drejtori për Diasporë në Kryesinë e BIK-ut, Ekrem ef. Simnica, falënderoi të gjithë ata të cilët çdoherë kanë qenë pranë kërkesave të BIK-ut, duke shpresuar kështu që një bashkëpunim i mirë i deritanishëm të vazhdojë edhe në të ardhmen, gjithnjë për të mirën e besimtarëve tanë. Drejtori Simnica, më pas falënderoi edhe kryetarin e KMShZ-së, Mehas ef. Alija, për mikpritjen dhe për organizimin e kësaj vizite.
Në vazhdën e këtyre aktiviteteve dhe vizitave, një delegacion i përbërë nga dekani i FSI-së, dr. Islam Hasani, anëtari i Kryesisë së BIK-ut, Shkelzen Hoxha, qëndroi për vizitë në Norvegjin dhe Suedi. Ata fillimisht u mirëpritën nga udhëheqësi i xhamisë në Oslo, Sabri ef. Jonuzi, ndërsa në Suedi u pritën nga imami Burhan ef. Mustafa, të cilët i falënderuan për pritjen dhe për organizimin.
Ata më pas u shpërndanë nëpër xhamitë shqiptare në Norvegji dhe Suedi, ku përcollën mesazhe islame për paqe, harmoni dhe afrim te Zoti ynë. Ata shprehën një falënderim dhe një mirënjohje të veçantë për punën që janë duke bërë xhamitë shqiptare në diasporë për ruajtjen e trashëgimisë sonë fetare dhe vlerave tona familjare e kombëtare.
Ky delegacion ka vizituar mbi 30 xhami në Zvicër dhe 10 të tjera në Norvegji e Suedi.

