Delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, i udhëhequr nga sekretari i BIK-ut, njëherësh zv.myftiu Ahmet ef. Sadriu, dhe në përbërje nga drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora dhe drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në simpoziumin shkencor me temë “Xhamitë shqiptare në mërgatë në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”, të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër.
Në këtë tubim morën pjesë përfaqësues të bashkësive islame nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, imamë, studiues, përfaqësues institucionalë nga Ambasada e Kosovës, Ambasada e Maqedonisë së Veriut, Konsullata e Kosovës në Cyrih, si dhe drejtues të unioneve islame shqiptare nga Gjermania, Austria, Italia e vende të tjera të Evropës.
Diskutimet u përqendruan në rolin e xhamive në diasporë si shtylla të identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar të komunitetit shqiptar në mërgatë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, sekretari i BIK-ut, Ahmet ef. Sadriu, përshëndeti të pranishmit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai shprehu mirënjohje për organizatorët, Komunitetin Mysliman Shqiptar në Zvicër dhe kryetarin e tij, hfz. Mehas ef. Alija, duke vlerësuar lart këtë nismë me karakter shkencor dhe komunitar.
Ndërsa drejtori i IHSI-së, Sabri ef. Bajgora, paraqiti kumtesën e tij me titull “Xhamitë shqiptare në mërgatë për kauzën kombëtare”, duke theksuar rëndësinë e xhamive si qendra të identitetit dhe vetëdijes kombëtare.
“Ky organizim dëshmon nivelin e lartë të vetëdijes dhe të organizimit. Shqiptarët tanë, kudo që jetojnë, duhet ta dinë se nga vijnë, kush janë dhe si duhet të veprojnë për të mbrojtur fenë dhe identitetin e tyre, sot dhe në të ardhmen”, theksoi ai.
Ngjarja u vlerësua si platformë e rëndësishme diskutimi dhe si mundësi për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve fetare të vendlindjes dhe diasporës. Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të BIK-ut dëshmoi mbështetjen e fuqishme të institucionit për mërgatën shqiptare dhe vlerësimin për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e fesë, identitetit, traditës dhe unitetit kombëtar.
Delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës merr pjesë në simpoziumin shkencor me temë “Xhamitë shqiptare në mërgatë në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”, të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër.

