Haxhi Sherif ef. Ahmeti “Akaidi islam – parimet, zhvillimi dhe shkollat”
(Me parathënie të Myftiut Naim ef. Tërnava; përgatiti dr. Sadik Mehmeti)
Botoi “Dituria Islame”, Prishtinë, 2026, f. 270.
Shtëpia botuese “Dituria Islame” sjell për lexuesin një vepër me vlerë të veçantë shkencore, historike dhe shpirtërore: përmbledhjen e ligjëratave nga fusha e Akaidit të myderrizit të shquar shqiptar, Haxhi Sherif ef. Ahmetit (1920–1998), të mbajtura gjatë viteve 1992–1994 para studentëve të brezit të parë të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Vepra përfaqëson një dëshmi autentike të mendimit teologjik islam në hapësirën shqiptare dhe njëkohësisht një trashëgimi të çmuar të një dijetari që ka lënë gjurmë të thella në arsimimin dhe formimin fetar të shumë brezave.
Nga përmbajtja, libri trajton në mënyrë të sistematizuar temat themelore të Akaidit islam, duke përfshirë natyrën e besimit (imanit), tevhidin, kaderin, raportin e njeriut me Krijuesin, rolin e arsyes dhe shpalljes, pejgamberinë dhe jetën pas vdekjes. Njëkohësisht, ai ofron një pasqyrë të zhvillimit historik të mendimit akaidik dhe të formimit të shkollave kryesore sunnite, si Esh’arite dhe Maturidite.
Libri ka edhe një vlerë të rëndësishme dokumentare dhe kulturore, pasi rikthen në vëmendje figurën e njërit prej dijetarëve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX, i cili, përveç mësimdhënies dhe udhëheqjes institucionale, ka dhënë kontribut të çmuar në literaturën islame shqipe dhe në përkthimin dhe komentimin e Kuranit fisnik.
Botimin e begaton Parathënia e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e cila i jep veprës një dimension të veçantë institucional dhe shkencor.
Vëllimi, ndërkaq, është përgatitur dhe redaktuar me përkushtim nga Dr. Sadik Mehmeti, ish-student i Haxhi Sherif ef. Ahmetit në Fakultetin e Studimeve Islame, i cili është mbështetur në dorëshkrimin autograf të autorit, të cilin ky i fundit ia kishte dhuruar personalisht.
Duke u bazuar në këtë burim autentik, redaktori ka arritur të ruajë me besnikëri frymën, gjuhën dhe strukturën origjinale të ligjëratave.Kjo vepër përbën një udhërrëfyes të qartë dhe të sistemuar për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin bazat, zhvillimin dhe shkollat e Akaidit islam, të trajtuara me kompetencë dhe rigorozitet shkencor nga një dijetar i shquar i traditës sonë.
Librin mund ta siguroni në librarinë “Dituria Islame” në Prishtinë (https://www.facebook.com/librariadituriaislame.
Del nga shtypi “Akaidi islam-parimet, zhvillimi dhe shkollat” të autorit Haxhi Sherif ef. Ahmeti

