Hën. Jan 26th, 2026

Dalin pamjet e një operacioni të policisë në Malësi e Madhe, zbulohet ambienti i përshtatur për kultivimin e drogës

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, strukturat e specializuara ne DVP Shkoder ne bashkepunim ne Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe të mbështetura nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjen dhe përpunimin e tyre për shitje.

Si rezultat, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 8”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. N., 35 vjeç, banues në fshatin Bratosh, dhe u shpall në kërkim shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në fshatin Vrakë.

Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit V. K., 27 vjeç, banues në fshatin Breg Lumi; Xh. C., 24 vjeç, banues në Zagorë; F. M., 63 vjeç, banues në fshatin Rashkullaj; dhe F. K., 58 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u procedua penalisht shtetasi A. S., 57 vjeç, punonjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar 3 ambiente (1 banesë dhe 2 stalla) në fshatin Boriç i Madh, të cilat ishin përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis. Nga kontrollet në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6 kg e 250 gr material bimorë e dyshuar kanabis, 195 llamba, 21 copë aspiratorë dhe 20 copë filtra ajri, që shërbenin për kultivimin e tyre.

Vijon puna intensive për kapjen e 36-vjeçarit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

KLIKO KETU PER VIDEON E PLOTE

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *