Qytetarët e Kosovës po përballen me çmime të larta, e së fundmi janë edhe faturat e energjisë për muajin dhjetor, e që për gjithë këtë po kritikohet Qeveria, ku siç thotë Kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, qeveritarët po i mbajnë duart në xhepat e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kaçaniku përmendi vonesat në aktivizimin e interkoneksionit me Shqipërinë dhe rritjen e përkohshme prej 5.8 për qind pas një eksplodimi në KEK para rreth 10 vitesh, e cila sipas tij po vazhdon padrejtësisht edhe sot.
“Kjo është temë e veçantë sepse me energjinë elektrike prej që e mbaj mend dhe që merrem më afër me të janë luajtur lojëra të shumta, mos të them të pandershme por jo profesionale, vetëm t’iu dëshmojë në dy raste, me vonesat e aktivizimit të interkoneksionit me Shqipërinë, arsyetoheshin ata që kishin interesa personale se nuk po lejon Serbia. Nuk e di kush është ai i mençur që e pyet Serbinë për çështjet tona të brendshme dhe kur para 10 vitesh ndodhi një eksplodim në KEK na u imponua 5.8 përqind si masë e përkohshme rritja e energjisë elektrike, ndërsa masat e përkohshme vlejnë gjashtë deri 12 muaj, por jo që 10 vite. Të gjithë ne paguajmë një shumë për atë eksplodim i cili është rregulluar, është miratuar, renovuar dhe ka përfunduar. Por ja që dikush i mban akoma gishtat e tij në xhepat tanë dhe ne duhet të heshtim sa do që dikush e fut dorën në xhepin e qytetarit konsumator. Kjo është një pandëshkueshmëri të skajshme të qeveritarëve dhe të partive politike në pushtet ndaj qytetarëve konsumatorë”, ka deklaruar Kaçaniku.
Kaçaniku akuzoi qeveritarët dhe partitë politike për pandershmëri ndaj qytetarëve, duke theksuar se konsumatorët vazhdojnë të paguajnë kosto që tashmë janë tejkaluar, pa u konsultuar dhe pa debat publik.
“Meqë i përmenda partitë politike, më duhet të them se ne i paguajmë vet partitë politike me buxhetin në mënyrë të jashtëligjshme, për arsye se partitë politike e kanë miratuar një ligj për financim nga buxheti pa palë të interesit dhe pa debat ose diskutim publik, dhe para interesit është qytetari konsumator, taksapagues, gjenerues kryesor i këtij buxheti. Në asnjë mënyrë ne nuk jemi të pyetur dhe nuk jemi të konsultuar, dhe nuk na njeh askush pa marrë parasysh se ne jemi kontribues, jemi të mirë për ta kryer obligimin tonë, por nuk jemi të mirë për të dhënë mendimin tonë se si do të shpenzohen ato para”, theksoi ai.

