Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të hënëvn është pyetur për rolin e Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Ai tha se nuk di asgjë për rolin e tyre, por që emrat e tyre i ka parë më përpara.
“Jo, por i kam parë emrat e tyre më përpara”, tha Clark.
Përveç kësaj, Clark u pyet edhe për emrin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës, por për asnjërin prej tyre dëshmitari tha se s’ka dijeni.
Dëshmitari tregoi se është takuar tre herë me mbrojtjen e Thaçit për këtë intervistë dhe se nuk e di konkretisht se për çfarë krimesh akuzohen katërshja e UÇK-së.
Dëshmitari duke folur për incidentin ku kishin goditur një godinë duke menduar se është bazë e forcave serbe, tregoi se kishin vrarë rreth 80 civilë të pafajshëm.
“Më vonë u kuptua që ishte një pikë grumbullimi që e administronte Ushtria Serbe ose mbase MUP-i ku vendosnin civilë shqiptarë brenda asaj ndërtese. Ndërtesa ishte e rrethuar me automjete serbe dhe kishte antena nga godina dhe anasjelltas. Na thanë se është një seli e institucioneve serbe dhe e shënjestruam. Besoj që vramë rreth 80 civilë të pafajshëm”, tha Clark.
Clark theksoi se kjo ndodhi për shkak të informacionit të gabuar që kishin marrë.
Wesley Clark do të vazhdojë dëshminë edhe nesër.
Clark thotë se s’ka dëgjuar për incidentet që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, pasi u pyet për disa raste të incidenteve të pretenduara, Wesely Clark ka thënë se s’ka dëgjuar për këto incidente që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja. Përveç kësaj, ai thotë se nga rusët dëgjoi se në këtë ushtri kishte çeçenë.
“Kjo është e saktë”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a është e vërtetë që ai nuk e di nëse Hashim Thaçi ka luftuar ose jo, por që e di se ai ka qenë udhëheqës politik.
Dëshmitari u pyet nga prokurori Mat Halling se a ka patur dijeni për krimet që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja ndaj civilëve në verën e vitit 1999.
“Mund të kem dëgjuar. Nuk kam ndonjë kujtesë konkrete të ndonjë incidenti por më duket se kam dëgjuar”, tha Clark.
Dëshmitari më pas u pyet se a ka dëgjuar për rrëmbimin dhe vrasjen e minatorëve serbë në Bardh të Madh. Por, ai mohoi se e ka dëgjuar një gjë të tillë.
“Nuk kam dëgjuar për këtë”, tha Clark.
Ai gjithashtu mohoi se ka dijeni për rastin e pretenduar në Rahovec, ku thuhet se UÇK-ja rrëmbeu rreth 85 civilë atje.
Po ashtu, as për rastin e delegacionit shqiptar në Qirez, ku pretendohet se gjashtë prej anëtarëve UÇK-ja i kishte mbajtur të ndaluar dhe i kishte torturuar, dëshmitari tha se nuk ka dëgjuar.
“Nuk kam dëgjuar për këtë”, u shpreh Clark.
Dëshmitari tregoi e zëvendësi i tij i cili ishte rus, i kishte paraqitur pikëpamjen e Rusisë për UÇK-në. Sipas tij, ky person i kishte thënë se UÇK-ja në të vërtetë nuk ekziston dhe të gjithë ata janë terroristë çeçenë.
Për këtë, dëshmitari i kishte kërkuar prova zëvendësit të tij, i cili pas dy javësh e kishte sjellë një libër ku thuhej se UÇK-ja ishte e mbushur me çeçenë.
“Unë e pash atë dhe i thash që kjo nuk përputhet me asgjë që kam lexuar. Ai buzëqeshi me ironi dhe tha se e dinte se ishte dezinformatë e plotë nga Shërbimet e Inteligjencës apo zbulimit rus. Ndoshta unë e kam gabim dhe ndoshta e kam marrë informacionin se aty nuk kishte çeçenë, por unë nuk e kam dëgjuar asnjë burim tjetër këtë gjë përveçse nga rusët. Ka patur përpjekje aktive nga shumë anë për të zbuluar se kush ishin këta njerëz dhe çfarë bënin”, tha dëshmitari.
Gjenerali tha se hera e parë që i kishte takuar këta persona ishin në Rambuje.
Gjenerali Clark: S’kam dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së
Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Wesley Clark tha se nuk ka dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
“Jo, s’kam dëgjuar”, u përgjigj Clark.
Clark këtë e tha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Matt Halling pasi tri ekipet e mbrojtjes përveç asaj të Selimit i përfunduan pyetjet.
Gjenerali Clark mohoi se ka parë ndonjë dokument, duke përfshirë edhe komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga UÇK-ja.
Dëshmitari pohoi sërish se ajo se çka i parapriu konfliktit ishte sulmi ndaj familjes Jashari, ku thekson se serbët vranë gra dhe fëmijë.
Wesley Clark flet për masakrën e Reçakut: Ideja ishte që Millosheviq të mos deziformonte dhe ta manipulonte situatën
(Përditësuar, ora 16:30)- Duke folur për dezinformimin gjatë periudhës së luftës, gjenerali Wesley Clark tha se ndërkobëtarët nuk dëshironin që për Masakrën e Reçakut të kryenin hetime njerëzit e Sllobodan Millosheviqit.
Clark tha se arsyeja e kësaj ka qenë se kishte rrezik që Millosheviq mund t’i tjetërsonte provat dhe ta krijonte situatën të dukej sikur ngjarja është kryer nga UÇK-ja.
Dëshmitari pohoi se në atëkohë, komuniteti ndërkombëtar donte që këtë rast ta hetonte Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë (TPNJ), raporton Betimi për Drejtësi.
“Arsyeja që ndërkombëtarët nuk kanë dashur që njerëzit e Millosheviqit të bënin hetime të asaj se çfarë ka ndodhur në Reçak ishte se kishte rrezik që mund të tjetërsoheshin provat dhe do bëhej situata ku pretendohej se ngjarja është shkaktuar nga UÇK-ja”, lexoi fillimisht deklaratën e dëshmitarit, avokati Aiden Ellis i cili përfaqëson Jakup Krasniqin.
Ndërsa, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë, duke thënë se këtë e kishte bërë edhe më herët Millosheviqi.
“Ideja kryesore ishte që Millosheviqi të mosdezinfomromnte më siç kishte bërë më herët dhe të mundohej që të manipulonte situatën”, tha dëshmitari.
Clark kishte thënë se gjatë luftës kishte dhënë vazhdimisht intervista dhe bënte deklarata duke e lavduar UÇK-në si një forcë e mirëorganizuar. Por, Clark kishte thënë se situata nuk ishte kështu. Tha se audienca e synuar e tij ishte Sllobodan Millosheviqi pasi e dinte se e dëgjonte.
“Audienca e synuar e komenteve të mia ishte Millosheviqi. E dija që ai me dëgjonte dhe dëshiroja që të projektoja këtë lloj force ndaj Millosheviqit në mënyrë që ai të nxitohej për sa i takon dorëzimit të tij”, kishte thënë Clark duke shtuar se deklaratat e tij nuk ishin vlerësime të NATO-s sa i përket kapaciteteve të UÇK-së.
Dëshmitari tha se është normale që të përdoren deklaratat politike në një situatë konflikti.

