Pre. Gus 7th, 2026

Çitaku: PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mosrespektim të rregullave dhe ligjeve, duke bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet pa vonesa.

Çitaku tha se demokracia nënkupton respektimin e rregullave, ligjeve dhe rregulloreve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, duke theksuar se PDK nuk do të bëhet pjesë.

“Demokracia nënkupton respektimin e rregullave, ligjeve dhe rregulloreve mbi të cilat jemi ndërtuar si shtet. Albin Kurti, me një kryeneçësi të paparë, po refuzon të respektojë çdo rregull, çdo ligj, çdo normë. Ne jemi mbledhur sonte këtu, e kemi takimin e Grupit Parlamentar dhe do t’ju njoftojmë për vendimet tona, por një gjë do t’ju them: PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues. Kur flasim për Kushtetutën, shumë mund ta nënkuptojnë vetëm një libër, një copë letër, por ajo Kushtetutë nënkupton gjak, djersë dhe sakrifica të bëra jo vetëm në luftën e fundit, por me dekada e shekuj. Ne e kemi për detyrë ta nderojmë rendin, ligjin dhe Kushtetutën. I bëjmë thirrje Albin Kurtit që sonte të vijë në Kuvend, ta konstituojë Kuvendin dhe të ecim tutje. Edhe një herë, Kosova është më e madhe se çdo parti dhe se çdo lider. Ju ftoj të ecim përpara”, tha Çitaku.

Postime të Ngjashme