Die. Mar 29th, 2026

Sport

Xherdan Shaqiri fiton betejën ligjore, nis ndërtimin e vilës luksoze në Zvicër

Pas më shumë se dy vjetësh pritje dhe polemikash, Xherdan Shaqiri më në fund ka marrë dritën jeshile për të ndërtuar shtëpinë e tij të ëndrrave në Zvicër.

Projekti, i cili kap vlerën e rreth 2,8 milionë frangave zvicerane, do të ngrihet në qytetin Rheinfelden, në kantonin Aargau, aty ku ylli i kombëtares zvicerane dëshiron të krijojë rezidencën e tij personale.

Historia e ndërtimit të vilës ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë gjyqësore. Fillimisht, në gusht të vitit 2022, autoritetet komunale i dhanë Shaqirit lejen e ndërtimit. Por menjëherë pas kësaj, disa banorë të zonës shprehën kundërshtime, duke çuar çështjen në Gjykatën Administrative të Aargaut. Në janar të vitit 2024, kjo gjykatë anuloi lejen, duke ngrirë të gjithë projektin.

Më pas, çështja shkoi në Gjykatën Supreme Federale, e cila vendosi ta rikthente rastin në shkallën e parë për rishqyrtim. Pas një procesi të gjatë, Gjykata Administrative ka dhënë tashmë pëlqimin për ndërtim, por me disa kushte specifike, ndër to edhe detyrimi që në dritaret e shtëpisë të vendosen perde për të shmangur ndriçimin e tepërt që mund të shqetësojë fqinjët.

Megjithatë, pavarësisht këtij detaji teknik, Shaqiri ka dalë si fitues i padiskutueshëm në betejën ligjore. Mediumi zviceran 20 Minuten raporton se banorët kundërshtues do të duhet të paguajnë shpenzimet gjyqësore në vlerë prej 7.777 frangash, si dhe t’i kompensojnë Shaqirit 6.600 franga dhe komunës së Rheinfeldenit 4.125 franga për shpenzimet ligjore.

Në këtë mënyrë, pengesat burokratike janë hequr dhe futbollisti i Chicago Fire, që ka luajtur për klube si Bayern Munich, Liverpool dhe Lyon, mund të nisë më në fund ndërtimin e rezidencës së tij moderne – një projekt që simbolizon kthimin e tij përfundimtar në vendlindjen e suksesit të tij sportiv.

Ermal Krasniqi futet në formacionin e javës në Poloni

Si çdo javë në ligat evropiane publikohen formacionet e javës.

Në elitën e futbollit polak, “Ekstraklasa” u publikua 11-shja më e mirë e cila përmban një futbollist kosovar.

Ai është Ermal Krasniqi, i cili ka shkëlqyer këtë javë me Legia Varshavën duke shënuar edhe gol ndaj Widzew Lodz, skuadër kjo në të cilin luajnë lojtarë shqiptarë.

Krasniqi u vlerësua me notën 8.3 nga faqja e njohur e statistikave, “Sofascore”.

Kosova shkruan histori në hendboll, kualifikohet në fazën e dytë për Botërorin 2027

Kombëtarja e Kosovës në hendboll për herë të parë në histori do të marrë pjesë në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027.

Suksesi erdhi pas dy fitoreve të mëdha ndaj Britanisë së Madhe, që i siguruan “Dardanëve” kalimin në një etapë të re historike.

Ndeshjet e fazës së dytë do të zhvillohen më 18/19 dhe 21/22 mars të vitit 2026.

Në këtë raund do të garojnë gjithsej 16 kombëtare, ndërsa 8 prej tyre do të avancojnë në fazën e tretë të kualifikimeve për Botërorin e ardhshëm. Kosova do të jetë pjesë e vazos së dytë në short, ku ndodhen edhe: Sllovakia, Lituania, Belgjika, Finlanda, Izraeli, Turqia dhe Letonia. Për rrjedhojë, këto përfaqësuese nuk mund të jenë kundërshtaret e saj.

Në vazon e parë do të jenë Greqia, Bosnje-Hercegovina si dhe gjashtë kombëtaret që do të përfundojnë në vend të fundit në grupet e Kampionatit Europian 2026, i cili do të mbahet nga 15 janari deri më 1 shkurt në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi.

Kosova do të përballet me një ekip nga kjo vazë e parë, ndërsa shorti pritet të hidhet pas përfundimit të fazës së parë të grupeve në Euro 2026. Kombëtarja jonë tashmë ka dëshmuar rritje të madhe dhe përkushtim, duke shënuar një tjetër arritje historike për hendbollin kosovar.

Igball Jashari i Drenicës shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Futbollisti i Drenicës, Igball Jashari, është shpallur “Ylli i Javës” në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Çmimi është ndarë nga Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar, Albi Mall.

Jashari u vlerësua për paraqitjen e tij shumë të mirë gjatë 80 minutave të fundit të ndeshjes, ndërsa vlerësimi u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Enver Prapashticës, Besim Slishanit dhe Bujar Asllanit.

Pas marrjes së çmimit, Jashari u shpreh i kënaqur me vlerësimin dhe paraqitjet e fundit të skuadrës.

“Ndeshjen e kemi përgatitur mirë, edhe pse kemi pasur një orar shumë të ngjeshur. Gjatë javës kemi zhvilluar dy ndeshje, nga të cilat kemi arkëtuar 4 pikë që janë shumë të nevojshme për ekipin tonë. Nga boshti i ekipit të vitit të kaluar kemi qenë vetëm 5 lojtarë, dhe ka qenë e vështirë në fillim komponimi i ekipit, por duket se e kemi gjetur formën tonë dhe tashmë jemi mirë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe marrëdhëniet me trajnerin i kemi shumë të mira. Për mua është privilegj të shpallem lojtari më i mirë i javës, dhe kjo do të jetë një shtytje që të punoj akoma edhe më shumë”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Drita ndal serinë pozitive të Llapit, kampioni i rikthehet fitoreve

Drita e ka lënë prapa humbjen e mesjavës ndaj Drenicës.

Kampioni në fuqi i Kosovës, para tifozëve vendas shënoi fitore ndaj Llapit, me rezultat minimal 1-0,.

Golin e fitores e shënoi Besnik Krasniqi, i cili u tregua i sakt nga penalltia në minutën e 33-të.

Kjo ishte fitorja e gjashtë sezonale e Dritës, duke shkuar në kuotën e 20 pikëve dhe renditet në vendin e tretë në tabelë, me tre pikë më pak se Ballkani dhe gjashtë më pak se lideri aktual, Prishtina.

Në anën tjetër, Llapi mbetet në kuotën e 16 pikëve dhe renditet në vendin e pestë

Malisheva merr tre pikë në udhëtim ndaj Dukagjinit

Malisheva ka marr tre pikë të rëndësishme në udhëtim ndaj Dukagjinit.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ”18 Qershori” në Klinë, rezultati përfundimtar ishte 1-2, .

Hero i Malishevës në këtë përballje ishte Etnik Brruti, i cili shënoi të dz golat.

Golin për Dukagjinin e shënoi futbollisti Altin Merlaku.

Me këtë fitore Malisheva shkon në kuotën e 16-të pikë dhe renditet në vendin e gjashtë në tabelë, një pikë më pak se Dukagjini që renditet në vendin e katërt.