Mar. Mar 31st, 2026

Sport

FVK sjell sistemin VAR në volejbollin kosovar

Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) është pajisur zyrtarisht me sistemin modern Video Challenge, duke shënuar një moment historik për zhvillimin e volejbollit në vend.

Me këtë investim, FVK bëhet federata e parë në rajon që implementon këtë teknologji të avancuar në garat elite.

Sistemi Video Challenge përfaqëson një risi të rëndësishme në volejbollin modern, duke mundësuar rishikimin e aksioneve vendimtare dhe duke rritur ndjeshëm saktësinë e vendimeve të gjyqtarëve, transparencën dhe drejtësinë sportive.

Përdorimi i këtij sistemi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e ndeshjeve.

Ky projekt është realizuar falë financimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Sistemi Video Challenge do të përdoret në ndeshjet e nivelit të lartë dhe në përballjet më të rëndësishme që zhvillohen në Kosovë.

Me këtë hap strategjik, Federata e Volejbollit e Kosovës vazhdon të konfirmojë rolin e saj si një federatë që avansohet, e përkushtuar ndaj inovacionit, zhvillimit dhe rritjes së cilësisë së volejbollit kosovar.

Kosova pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Golfit

Kosova pranohet zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation (IGF).

Ky vendim shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e sportit të golfit në vendin tonë. Pas shumë vjetësh përpjekjesh të pandërprera, vizioni, këmbëngulja dhe besimi ynë kolektiv janë kurorëzuar me suksesin që e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit dhe i hap dyert drejt ëndrrës olimpike.

Anëtarësimi në IGF nuk është vetëm një status formal – është një dëshmi e rrugëtimit tonë të gjatë.

Është rezultat i më shumë se një dekade pune të palodhshme, qindra takimeve ndërkombëtare, mijëra orëve në terren, ndërtimit nga themelet të një strukture kombëtare të golfit dhe përkushtimit të çdo individi që besoi se Kosova mund të jetë pjesë e familjes globale të këtij sporti fisnik.

Një vend të veçantë në këtë histori e zë shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, vizionari që e themeloi golfin në Kosovë dhe i dha jetë këtij sporti në kohë kur pak kush e besonte. Kontributi i tij mbetet themeli mbi të cilin u ndërtua e gjithë struktura e sotme.

Gjithashtu, një rol të jashtëzakonshëm ka pasur mërgata shqiptare, e cila në çdo hap të rrugëtimit tonë ka qenë forcë shtytëse.

Me përkushtimin, mbështetjen financiare, rrjetëzimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës, mërgata ka kontribuar thellësisht në ngritjen e golfit në nivelin ku jemi sot.

Falë tyre, Kosova ka qenë e pranishme në tryezat dhe institucionet ku shpesh nuk ka qenë e lehtë të depërtohet.

Ky sukses është edhe i tyre, i secilit shqiptar që nga larg ka ndihmuar, ka besuar dhe ka kontribuar.

Me mirënjohje të thellë falënderojmë edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) për mbështetjen institucionale dhe për gatishmërinë për ta avancuar golfit në një standard modern dhe kombëtar. Bashkëpunimi me MKRS-në ka qenë esencial për këtë hap historik.

Po ashtu, ky triumf nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, miqve të sportit të golfit kudo në botë dhe kontribuesve vendorë që me profesionalizëm e pasion ngritën këtë projekt në nivelin e duhur.

Faleminderit IGF për besimin.

Faleminderit secilit sportist, trajner, administrator, vullnetar, biznes dhe mbështetës të kauzës sonë ndër vite.

Sot Kosova nuk është vetëm një vend që luan golf.

Sot Kosova është një vend që përfaqëson golfin në arenën ndërkombëtare.

Ky është fillimi i një kapitulli të ri: pjesëmarrja në garat botërore, mundësia e përfshirjes në ciklet olimpike, forcimi i infrastrukturës vendore, zhvillimi i talenteve të rinj dhe afirmimi i Kosovës si një destinacion serioz sportiv.

Kosova – Anëtarja e 154-të e IGF-së.

Një ëndërr e bërë realitet.

Një rrugëtim që sapo ka filluar.

Mbyllet me barazim ndeshja e vitit në Premierligë

Sonte padyshim është zhvilluar ndeshja e vitit në Premierligë.

Në “Old Trafford”, ndeshja Manchester United-Bournemouth u mbyll me rezultat 4-4, duke prodhuar dramë në çdo minutë të lojës.

Golat për “Djajtë e Kuq”, i shënoi Diallo, Casemiro, Bruno dhe Cunha ndërsa për Bournemouthin realizoi Semenyo, Evanilson, Tavernier dhe Kroupi.

Manchester United, mbetet në pozitën e 6-të ku ka 26 pikë, ndërsa Bournemouth në pozitën e 13-të me 21 të tilla.

Gjimshiti shpallet lojtari i vitit 2025 i Kombëtares Shqiptare

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti ka arritur suksesin e radhës.

Mbrojtësi i Atalantas, në ceremoninë e organizuar nga FSHF, “Topi i Artë” ka marrë çmimin si lojtari më i mirë i vitit 2025 i Kombëtares Shqiptare.

Për Gjimshitin është hera e dytë radhazi që fiton këtë trofe.

Po ashtu edhe futbollisti i Al-Ittihad, Mario Mitaj mori çmimin “Zemra Kuq e Zi” në këtë ceremoni.

Armend Thaqi, “Ylli i javës”, vitet për të janë veç numra

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

Për javën e shtatëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilani, Armend Thaqi.

Ai pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes, duke shënuar një eurogol që barazoi rezultatin në derbin e qytetit kundër FC Drita, i cili përfundoi me rezultat 1:1.

Pasi mori këtë çmim, Thaqi u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës

“Derbi i qytetit asesi nuk duhet të humbet dhe jam i lumtur që së paku kemi marrë një pikë. Nuk e kemi nisur shumë mirë kampionatin, ndonëse klubi ka bërë investime të mëdha dhe ka pasur një organizim shumë të mirë. Hallka që ka dështuar këtë vit kemi qenë ne, futbollistët, të cilët nuk kemi arritur të komponohemi mirë mes vete dhe duhet të marrim përgjegjësi. Aktualisht kemi filluar këndelljen me trajnerin e ri dhe nuk duhet të lëshojmë më pikë’’, theksoi Thaçi

Në aspektin individual jam shumë i lumtur që jam shpallur “Ylli i Javës” dhe kjo i dedikohet të gjithë futbollistëve dhe mbi të gjitha tifozëve, sepse sidomos kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ta dhe luhet për ta’’ , shtoi më tej Thaçi për faqen zyrtare të FFK-së.

Goli i Ernest Muçit ndaj Konyasporit fiton çmimin e muajit në Turqi

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi ka fituar çmimin e “Golit të Muajit” në Turqi.

Muçi ditë më parë shënoi një eurogol në ndeshjen ndaj Konyasporit, e vlefshme për javën e 14-të,.

Sot, lojtari shqiptar para ndeshjes ndaj Besiktasit ka pranuar çmimin e golit më të mirë.

Futbollisti shqiptar është duke kaluar momente fantastike te skuadra e Trabzonsporit.