Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Haradinaj takohet me Giaufret-in, flasin për zhvillimet politike

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim Emanuele Giaufret, zëvendësdrejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

Ai përmes një postimi në Facebook tregoi se me zyrtarin e lartë evropian diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend e rajon.

“Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend e në rajon, proceset integruese euroatlantike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Theksova përkushtimin e Aleancës… për avancimin e agjendës evropiane të vendit”.

“Kosova gjatë këtyre viteve ka ngecur në agjendën integruese euro-atlantike, veçanërisht në synimin për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, është jetike që ta kthejmë vendin në binarë të sigurt, përmes vendimmarrjes së përgjegjshme dhe forcimit të partneritetit me aleatët tanë”, shkruan Haradinaj.

Haxhiu për çështjen e zgjedhjes së presidentit: Nevojiten diskutime serioze

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se për çështjen e zgjedhjes së presidentit duhet të ketë diskutime serioze.
Ajo pohoi se nuk e ka mbyllur seancën e 5 marsit, por vetëm e ka ndërprerë.
“Unë mendoj që kjo çështje i takon niveleve dhe grupeve parlamentare, diskutimeve që do të bëhen në këtë drejtim. Në anën tjetër, në ditën kur ne kemi pasur përpjekje për ta zgjedhur presidentin e vendit, pra me 5 mars konkretisht, nëse i rikthehemi asaj seance, unë kam thënë në fund që seanca do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet për këtë. Pra unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet. Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë. Prandaj në këtë drejtim i ftoj të gjitha subjektet politike që të bëjnë përpjekje maksimale. Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Kurti ka kërkuar takime me subjektet, ju e dini sepse kjo është bërë publike. Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy raundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu para medieve.

Haxhiu, ka folur edhe mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila ëshët thirrë për të hënën e që sipas saj, në do të trajtohen shumë projektligje.

“Së pari unë kam thirrë një mbledhje të kryesisë së kuvendit për të trajtuar shumë projektligje që ndërlidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe jo vetëm. Pra, në mbledhjen e kryesisë së kuvendit, për të cilën janë njoftuar edhe mediat, kemi shumë tema të rëndësishme që ndërlidhen me interesat e qytetarëve dhe vetë Republikës së Kosovës. Mendoj që orientimi jonë duhet të jetë në dy drejtime, së pari që t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që kemi në raport me agjendën legjislative por edhe çështje të tjera, dhe e dyta në drejtim të përpjekjes për arritje të konsensusit për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit. Në të dyja drejtimet natyrisht që roli i Kuvendit është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe si kryetare e kuvendit po përpiqem maksimalisht që t’i adresojmë përgjegjësitë që ne i kemi.

A do ta ndryshojë Erdogan agjendën për të ndjekur ndeshjen Kosovë-Turqi në Prishtinë?

Presidenti I Turqisë, Recep Tayip Erdogan i ka uruar futbollistët e kombëtares së vendit të tij për kualifikim në finalen e play-offit të eliminatoreve evropiane për Kupën e Botës FIFA 2026.

Në një bisedë telefonike me Ministrin e sportit, Osman Aşkın Bak, Presidentin e Federatës Turke të Futbollit, İbrahim Ethem Hacıosmanoğlu, trajnerin e Kombëtares A, Vincenzo Montella, si dhe me futbollistët e ekipit kombëtar, ai u uroi atyre sukses në përballjen me Kosovën, që do të zhvillohet më 31 mars në Prishtinë.

Meqenëse edhe Turqia edhe Kosova i kaluan sfidat tek të enjten mbrëma, ende nuk ka një vendim final nëse Erdogan edhe personalisht do të jetë i pranishëm në këtë përballje me vendin mik e vlla siç e kishte quajtur Kosovën në disa raste.

Burime të KosovaPress brenda kabinetit të presidentit turk, bën me dije se pikërisht për ditën e martë ai ka agjendë të paracaktuar, dhe se një vendim eventual për ndryshimin e saj nuk ka mundësi të merret para të dielës.

Erdogan e kishte vizituar Kosovën në dy raste – më 2010 dhe 2013. Herën e parë, i shoqëruar nga atëbotë kryeministri Hashim Thaçi i kishte vizituar edhe disa xhami, derisa në të dytën, po ashtu me Thaçin si nikoqir, mori pjesë në inaugurimin e zgjerimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Gjatë kësaj vizite edhe e pati dhënë deklaratën: “Kosova është Turqi, Turqia është Kosovë”, si shprehje e miqësisë mes dy shteteve dhe popujve.

Gjermania: Asociacioni temë e shpeshtë sa herë flasim me Qeverinë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Drafti duhet të çohet në Kushtetuese

Diplomati estonez, Aivo Orav, pak para se të përmbyllte angazhimin e tij si shef i Zyrës së BE’së në Kosovë, kishte thënë se mund të shfrytëzohej diplomacia për të gjetur mënyra që të shtyhej përpara themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, meqë pavarësisht insistimit të BE-së, Kosova nuk po e çon draft-statutin në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Orav, nëse vazhdohet të insistohet në një qëndrim të tillë e ndërkohë s’ndërmerret asnjë veprim, atëherë nuk përfiton askush.

Por a ishte ky qëndrim i Orav si Shef i Zyrës së BE-së edhe qëndrim i shteteve anëtare të BE-së?

Zëdhënësja e Ambasadës Gjermane, Catalina Heine, ka thënë se për Gjermaninë është prioritet që të shoh hapat drejtë themelimit të Asociacionit si një detyrim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë që nga 2013-ta.

Ajo ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës prandaj duhet që Gjykata Kushtetuese të përfshihet në vlerësim para zbatimit.

“Për Gjermaninë, është prioritet që të shohë përparim në zhvillimin dhe zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ka qenë një detyrim ndërkombëtar që nga viti 2013. Shpresojmë të shohim diskutimet e nevojshme dhe më pas përparim në krijimin e Asociacionit. Dhe sigurisht, çdo zbatim i Asociacionit duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për këtë arsye Gjykata Kushtetuese duhet të përfshihet për vlerësim para zbatimit”, ka thënë Heine për Gazetën Express.

Heine gjithashtu ka potencuar se tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe diskutohet shpesh, sa herë që ka takime me Qeverinë e Kosovës e ku flitet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, proces ky që Berlini zyrtar e përkrah.

“Duke qenë se rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, të cilën Gjermania e mbështet fuqimisht, është një pikë diskutimi e rregullt midis Ambasadës dhe Qeverisë së Kosovës, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe diskutohet shpesh”, ka thënë zëdhënësja e Ambasadës Gjermane..

Bashkëkombasi i kryediplomates së BE-së, Aivo Orav, i cili tashmë do të angazhohet si Shef i Delegacionit të BE-së në Ankara, në një intervistë për gazetarë të mediave serbe në Kosovë, ka deklaruar se BE-ja e ka mbajtur shumë gjatë qëndrimin e saj për çuarjen e Draftit të Asociacionit në Kushtetuese, megjithatë sipas tij s’ka pasur asnjë lëvizje. Ai ka thënë se një qëndrim i tillë mund të vazhdohet të mbahet, por nëse dihet se s’do të ndodh asgjë, atëherë një qasje e tillë s’i ndihmon askujt.

“Bashkimi Evropian e ka mbajtur këtë qëndrim për një kohë mjaft të gjatë që ky draft i Asociacionit së duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është dërguar ende. Gjykata Kushtetuese tha gjithashtu se në fakt ata nuk kanë çfarë të bëjnë sepse nuk kanë autoritet ta vlerësojnë atë. Dhe ky qëndrim u mbajt për një kohë mjaft të gjatë. Përsëri, ne mund ta mbajmë këtë qëndrim për një kohë shumë, shumë, shumë të gjatë, por nëse e dimë se nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se ky lloj qasjeje nuk i ndihmon askujt. Pra, në diplomaci, ne duhet të gjejmë mënyrat se si t’i trajtojmë këto çështje”, ka thënë Orav.

Abdixhiku në takim me delegacionin e BE’së: Përgjegjësia për Presidentin bie te shumica parlamentare, LDK i hyn zgjedhjeve e bashkuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Emanuele Giaufret, Zëvendësdrejtorin Menaxhues për Europën Perëndimore në Shërbimin Europian për Veprim të Jashtëm.

Gjatë këtij takimi, LDK njoftoi se Abdixhiku diskutoi për qëndrimin e partisë për zhvillimet politike aktuale në vend, me theks të veçantë mbi situatën e krijuar rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe rolin e institucioneve të Kosovës në këtë proces.

Ai nënvizoi se përgjegjësia kryesore për përmbylljen e këtij procesi i takon shumicës parlamentare, duke shprehur bindjen se ky proces “duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike dhe jo me imponim”.

“Në lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, Kryetari Abdixhiku theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces zgjedhor, duke besuar se ka mundësinë për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe zhvillimore për vendin”, thotë LDK.

Po ashtu, Abdixhiku shprehu mirënjohjen e LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Europian ia ka ofruar Kosovës gjatë të gjitha proceseve, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të BE-së në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit.

Ai theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë, zhvillimit dhe integrimit europian, duke e konsideruar këtë si një hap thelbësor në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe më të mirë për qytetarët tanë.

Rritet tregtia Kosovë-Shqipëri/ INSTAT: Në dy muaj eksportet arritën në 6.3 miliardë lekë

Shqipëria dhe Kosova kanë shtuar bashkëpunimin ekonomik gjatë viteve të fundit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet vetëm në dy muaj janë rritur me 1 miliard lekë krahasuar me fillimin e vitit 2025 duke shkuar në 6.3 miliardë. Po ashtu rritje ka pasur edhe në mallrat që ne blejmë nga Kosova duke arritur në 1.8 miliardë lekë. Por pavarësisht kësaj në forumin e biznesit Shqipëri –Kosovë u theksua se ka ende hapësirë ku vendet mund të shtojnë marrëdhëniet ekonomike.

Drejtoresha e Agjencisë se Investimeve LAURA Saro tha se Shqipëria dhe Kosova duhet te jene bashke për të përballuar konkurrencën dhe sfidat globale.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se po punohet për të ulur edhe më tej burokracitë për bizneset midis dy vendeve.

Sipas të dhënave zyrtare Kosova mban vendin e parë edhe në nivelin e investimeve të realizuara në vendin tonë.

Në periudhën janar-shtator 2025 Kosova vijon të pozicionohet e para për sa i përket investimeve, duke arritur vlerën 153 milionë euro. Investimet nga Kosova në Shqipëri fokusohen kryesisht në shërbime dhe tregti, ku po zgjerohen në tregtinë me pakicë, pasuri të paluajtshme dhe ndërtim, por edhe në industrinë përpunuese.