Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Ish-prokurori i Hagës: Kërkesa për 45 vite burg ndaj katërshes së UÇK-së, e pazakontë

Të panevojshëm e të ndikuar politikisht e konsideron Gjykatën Speciale, njeriu që udhëhoqi ndjekjen penale ndaj ‘kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviqit.

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice në intervistën për KosovaPress, flet për kërkesën e Prokurorisë së Speciales për dënim me nga 45 vjet burg për katërshen e UÇK-së, të cilën e konsideron të pazakontë. Ai deklarohet edhe për akuzat për të cilat ngarkohen ata dhe origjinën e tyre nga raporti i senatorit Dick Marty.

Britaniku Geoffrey Nice thotë se nuk e ka parashikuar ndonjëherë që do të mund të themelohej gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës, e aq më pak që të merret me vetëm një grup të caktuar.

Kryeprokurori në rastin e Sllobodan Millosheviqit, rast që nuk mori epilog për shkak se i njëjti vdiq gjatë gjykimit në Hagë, thotë se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga gati gjysmë shekulli për secilin nga katërshja e UÇK-së është e pazakontë.

Prokurori i rastit Millosheviq reagon për 45 vitet e kërkuara ndaj UÇK-së.

“Epo, duket një dënim disi i çuditshëm për t’u kërkuar, sepse nuk besoj, nga shumë pak që di, që akuzat ndaj tij janë aq të rënda sa, për shembull, disa nga akuzat e bëra dhe të dënuara, ndoshta me më pak vite burg sesa 45 vite në Tribunalin e ish-Jugosllavisë”, thotë ai.

Juristi britanik 81-vjeçar, Geoffrey Nice, tregon se pas përfundimit të punës në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, iu kërkua të shkruante një artikull për “London Revieë of Books”, lidhur me raportin e Dick Marty, i cili, siç edhe e thotë Nice, pretendonte se Hashim Thaçi dhe të tjerët ishin të përfshirë në vrasjen e serbëve.

Se këto ishin vetëm pretendime e thotë edhe sot Nice, ku thekson se akuzat për trafikim organesh janë bërë nga serbët edhe ndaj kroatëve e boshnjakëve.

Juristi ndërkombëtar, Geoffrey Nice, i cili dikur ka qenë i përfshirë edhe me institucionet vendore përmes opinioneve të tij lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, thotë se që në fillim kishte ndjerë se kjo gjykatë kishte “qëllime të tërthorta”.

Kësisoj, britaniku i cili ka karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe asaj publike, në intervistën për KosovaPress, thekson se e ka konsideruar që nga fillimi të panevojshëm themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.

Se cili do të jetë epilogu në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, të njohur si gjyqi i madh, Nice thotë se është e vështirë ta parashikohet.

Marrë parasysh që ai ka udhëhequr ndjekjen penale ndaj ‘Kasapit të Ballkanit’, thekson se nuk e ka parashikuar as se ndonjëherë do të mund të themelohet gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale, e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

Ish-prokurori në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë pyetet edhe nëse konsideron se politika ka ndikim në këtë proces gjyqësor.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, vendi ka qenë vazhdimisht “nën hijen” e kësaj gjykate, thotë Geoffrey Nice. Ai thekson se është e rëndësishme që e vërteta të dokumentohet saktë.

Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim. Ata më 18 shkurt kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Pas deklaratave përmbyllëse të palëve që shënojnë edhe fazën përfundimtare të procesit, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë vendim, por ky afat mund të zgjatet me kërkesë të panelit. Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” kërkojnë falje publike: Qëllimi ishte të nderohen viktimat

Organizatorët e ekspozitës, së shfaqur së fundmi në Prishtinë: “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Integra dhe Admovere u kanë kërkuar falje familjarëve të viktimave civile të luftës.

Përmes një postimi në Facebook, Integra dhe Admovere tha se qëllimi i ekspozitës ishte të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë.

“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagim.

Ekspozita që mori shumë kritika për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave të Kosovës, është përcjellur me reagime të shumta nga qytetarë dhe figura politike në vend.

“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.”.

Postimi i plotë:

Reagim publik

Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.

Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd.

Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.

Me respekt,

Integra dhe Admovere

Deri në 20 denoncime në ditë për ushqime të skaduara, kërkohen më shumë inspektorë

10 deri në 20 denoncime brenda ditës bëhen nga qytetarët e vendit për produkte ushqimore me afat të skaduar.

Kështu, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.

Por, pavarësisht kësaj, Hoxha ka deklaruar se Agjencia po përballet me numër të vogël të inspektorëve.

“Më bëtë një pyetje shumë të vështirë. Nuk i kam statistikat e sakta unë, gjatë elaborimit tim, prezantimit tim, i prezantova disa prej të dhënave që është një numër i madh i denoncimeve gjatë vitit në raport me pyetjen që e bëtë. Realisht, gjatë ditës kemi 10 deri në 20 denoncime sa i përket sigurisë ushqimore, te pjesa e skadencës, ushqimet e prishura. Në ato momente, inspektorati jonë reagon shumë shpejt në përputhje me bazën ligjore që e ka dhe vepron në kuadër të legjislacionit në fuqi. Realisht, me numrin e inspektorëve që posedon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, janë 83 në fushën e veterinarisë dhe fitosanitarisë. Prej tyre, gjysma janë në pikat kufitare, gjysma tjetër përfshin këtë pjesën e inspektoratit të brendshëm, që i bie është numër goxha i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit. Po shpresojmë, besojmë që do të rritet numri i inspektorëve sa më shpejt që është e mundur”, tha Hoxha për EO.

Ai tha se ka një fluks të madh të denoncimeve brenda ditës, sa i përket ushqimeve me afat të skaduar, por se ka edhe një thirrje për qytetarët e vendit.

“Varësisht prej denoncimeve që bëhen. Ne i kemi planet e kontrolleve zyrtare që zakonisht janë të planifikuara, mirëpo fatkeqësisht ne shumë shpesh dalim prej planit të kontrolleve zyrtare për shkak të denoncimeve që bëhen në baza ditore. Kemi raste kur kemi 3, 4, 20, 10 varësisht se si veprohet. Andaj unë u bëj apel edhe qytetarëve, konsumatorëve, në momentin që kanë fakte në raport me afatet e skadencës, ushqimet e prishura që kanë dyshime, të raportojnë sa më shpejt që është e mundur. Bashkërendimi ose bashkëpunimi me konsumatorin, me qytetarin, është shumë i rëndësishëm që ne të bëjmë veprimin tonë sa më efikas në terren”, tha Hoxha.

I pari i AUV-it shpjegoi formën ndëshkuese ndaj bizneseve në të cilat hasen parregullsi sa i përket sigurisë ushqimore.

Hoxha, kërkoi rritje të buxhetit dhe shtim të numrit të inspektorëve.

“Në raport me legjislacionin në fuqi, inspektorët që e kanë, ne zakonisht përpilojmë procesverbalin në momentin që dalin në terren. Inspektorët e evidentojnë, hartojnë procesverbalin dhe e përcjellin si çështje kundërvajtëse. Ne nuk kemi si agjencion ose si inspektorat që kemi veprime mandatore, që i bie që mund të shqiptojmë gjobën aty për aty. E jona është me dalë në terren, me evidentua rastin, me bë procesverbalin edhe procedohet për gjykatë për çështje të kundërvajtjes. Fillimisht të rritet buxheti. Të rritet numri i inspektorëve, posaçërisht në këtë pjesën e sigurisë ushqimore. Definitivisht duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe sigurisë ushqimore, të rritet numri i inspektorëve që të jemi më efikas në raport me denoncimet që bëhen në baza ditore prej konsumatorëve, gjegjësisht qytetarëve”, tha Hoxha.

Paralajmërimi për shtrenjtim të rrymës, ekspertët: Nga rritja prej 20% rëndohet jeta e qytetarëve

Nga një prilli i këtij viti është paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të rritet deri në rreth 20 për qind.

Mirëpo, deri më tani ende nuk është marrë ndonjë vendim sa i përket tarifave të reja, raporton Ekonomia Online.

Kjo për shkak se ZRRE ende nuk ka përfunduar shqyrtimin e aplikimeve nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) të cilat kanë kërkuar një rritje prej mbi 20 për qind.

E, në rast se merret një vendim për rritje prej mbi 20 për qind ekspertët paralajmërojnë se kjo do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë, duke e cilësuar si dështim institucional dhe duke kritikuar mungesën e veprimeve konkrete nga autoritetet.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ekspertja e energjisë, Janina Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se nëse ndodhë një rritje e tillë, pasojat do të jenë direkte.

“Nëse ndodh, se akoma nuk janë bërë të ditur raportet as konsultues, e lëre më vendimi përfundimtar. Nëse vjen si vendim rritja 20%, ka me pasë pasoja direkte, fillimisht në rrymë sigurisht, po edhe në produkte të tjera që e kanë të pashmangshëm produktin e rrymës për krijimin e një produkti tjetër ose shërbimi”, tha ajo.

Ymeri përmendi edhe rritjen e importit të energjisë për vitin 2026.

“Domosdo, në këtë vit jemi 9 muaj remont kapital kemi me qenë për “B1” edhe ka me pasë rritje të importit. Megjithëse nuk është parashikuar si i tillë, se e pashë balancën për 2026-ën, ende të papublikuar përfundimisht, prapëseprapë kemi me pasë import bukur të madh, një sasi”, u shpreh ajo.

Nëse rritet çmimi i energjisë Ymeri thotë se ky është dështim, derisa përmendi edhe organizimin e importit e që sipas saj do të shpëtonte rritjen e çmimit të energjisë.

“Jo, nëse rritet çmimi i energjisë elektrike është dështim, është paaftësi menaxheriale në sektorin e energjisë elektrike. Edhe çka ka ndodhë me u bë, është me u organizu importi edhe me u marrë importi me u hy instancat shtetërore, se nuk domethënë që është treg i lirë edhe për rrymën elektrike. Nuk bëhet kjo si me bukë, si me treg të lirë të produkteve të tjera. Ka shembuj të tjerë të shteteve që kanë hy instancat qeveritare shtetërore në importet e gazit për shembull, ose të rrymës. Mundemi me organizu importin edhe i kishim shpëtu rritjes së energjisë elektrike si çmim”, ka thënë ajo.

Ymeri thotë se me çështjen e energjisë nuk është marrë dhe nuk po merret as kryeministri dhe as pjesa tjetër e ministrisë.

“Asnjëherë, asnjëherë në këtë qeveri nuk janë lodhë me u marrë as Kryeministri, as ministrja në lidhje me importin. As tash po e shohim edhe me naftën, nuk merret për shembull ministrja e Tregtisë dhe Industrisë me importin e naftës, me kqyr sa ka rezerva, me na tregu. As atëherë Artane Rizvanolli ose tash me rrymën. Nëse mendohet që kjo nuk është çështje nacionale, është shumë gabim. Kjo është një ndër produktet më të rëndësishme në mbarëvajtjen e ekonomisë sonë”, potencon ajo.

Ymeri tha se importi gjatë muajit janar ka qenë mbi 1 milion euro brenda një dite.

“Në janar dhe shkurt janë bërë të ditura importet. Në janar është mbi 1 milionë euro dita, në shkurt është më pak. Mirëpo nuk domethënë që kanë me qenë njëjtë edhe gjatë vitit. Krejt varet sa organizohet mbarëvajtja e sistemit elektro-energjetik nga ana e KEK-ut. Çdo rënie e blloqeve ka përfitime, mendoj, ka importe të paparashikueshme”, shtoi Ymeri.

Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se në Kosovë ende nuk po ndërmerren hapa konkretë për uljen e sasisë së importit të energjisë.

“Kosova është shtet i varur nga importi dhe importi i energjisë elektrike zë vendin më të lartë në strukturën e importeve. Kjo është rënduar nga fakti që prej vitesh flasim për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese (qoftë me thëngjill, qoftë me energji alternative), por ato nuk po ndodhin. Lajmet më të reja tregojnë se Evropa ka arritur që mbi 47% të prodhimit të energjisë elektrike ta ketë nga burimet alternative, ndërsa në Kosovë ende vetëm flitet dhe nuk ka hapa konkretë”, tha ai.

Ai e konsideroi shqetësuese edhe rritjen e inflacionit, duke shtuar se nuk po ndërmerren hapa konkretë për të minimizuar efektin negativ.

“Është normale të pritet ngritje e çmimit të energjisë elektrike sepse jemi të varur nga importi. Por, ajo që është më shqetësuese është se kjo rritje e inflacionit dhe e çmimit të energjisë nuk po përcillet me hapa konkretë nga institucionet për të minimizuar efektin negativ. Ngritja eventuale e paralajmëruar prej 20% nga prilli do të jetë goditje jo vetëm për standardin e qytetarëve, por edhe për prodhuesit vendor dhe ekonominë në përgjithësi”, u shpreh ai.

Gërxhaliu gjithashtu përmendi se gjatë vitit 2026 për shkak të situatës në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë situata mund të përshkallëzohet në stagnim të zhvillimit ekonomik.

“Kjo po ndodhë në kohën e problemeve dhe luftërave në Rusi, Ukrainë e në Gjirin Persik. Situata do të jetë shqetësuese dhe viti 2026 mund të ketë një stagnim të zhvillimit ekonomik, i përcjellë me rritje të inflacionit, rritje të importeve dhe tkurrje të eksporteve. Ky është realiteti i Kosovës ku politika është agjendë prioritare, e jo zhvillimi ekonomik”, theksoi ai.

Gërxhaliu deklaron se nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, bizneset do të pësojnë mosfunksionim.

“Në Kosovë është humbje kohe të kërkohet transparenca. Nëse analizohen të dhënat nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, ndoshta nuk kemi ‘mbyllje’ formale, por kemi paralizim apo mosfunksionim të bizneseve. Shumë biznese kanë qenë kompani ekzistuese me mbi 50 punëtorë dhe i kanë ndarë kompanitë që të mos hyjnë në kategorinë e pagesës së lartë të energjisë në tregun e lirë. Në anën tjetër, rritja e kredive sot është afër 80% e GDP-së së Kosovës dhe rritja e mbitërheqjeve (overdraft) në bankat komerciale është afër 700 milionë euro. Këta dy parametra dëshmojnë më së miri mjerimin në Kosovë. Me këtë ngritje të çmimit të energjisë, do të jetë e pamundur që prodhimet “Made in Kosova” të jenë konkurruese, jo vetëm në tregun evropian, por as në atë rajonal”, shtoi Gërxhaliu.

Kosova është afër të përballet me një tjetër shtrenjtim të rrymës, i katërti në katër vitet e fundit. Kërkesa është që të ketë rritje për mbi 20 për qind, shtrenjtim që është kundërshtuar edhe me protestë para rreth dy muajve.

Kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, në aplikimin e dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ka kërkuar rritje prej 21.3 për qind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesë për rritje ka pasur edhe nga KEDS dhe KOSTT-i.

ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Tahiri për ekspozitën për masakrat: Ky pushtet po prodhon skandal pas skandali, kjo temë të trajtohet seriozisht

Shefi i GP-së së AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media tha se “shteti ka dështuar”, në rastin e ekspozitës për masakrat në sheshin e Prishtinës, e cila u tërhoq për shkak të pasaktësive.

Tahiri tha se nga ky skandal janë goditë viktimat e burgut të Dubravës.

“Ekonomia e Kosovës është para fundosjes…Ne si subjekt politik dhe askush në këtë vend nuk mund të kalojë në rritjen e çmimeve, pa e diskutu situatën që duhet të shikohet seriozisht pse kemi ardhë në situatë ku ky vend vazhdon të kalojë nga një skandal në tjetrin”, tha Tahiri referuar ekspozitës.

“Kjo qeveri e ky pushtet po prodhon skandal pas skandalit. Është e pakuptimtë se si shteti dështon, dështon Qeveria e Kosovës, Kuvendi, ministria dhe mbështet një ekspozitë e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës. Pasaktësi, që e demanton burimi i informacionit”, tha Tahiri.

“Secili në këtë pushtet mundohet me ikë prej përgjegjësisë”, tha Tahiri.

OVL e UÇK thërret konferencë për media

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur konferencë për media.

Përmes një njoftimi, kjo organizatë ka njoftuar se konferenca do të mbahet në ora 13:00 në zyrat e OVL UÇK-së.

“Të nderuar përfaqësues të mediave,

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ju ftonë në një konferencë për media, që do të mbahet sot (e diele) në ora 13:00, në zyret e OVL UÇK-së.

Me respekt, OVL UÇK”, thuhet në njoftim