Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Vendi

Vetëvendosje garon në zgjedhje si koalicion me Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në

Kur kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në përfundim të afatit, deri në orën 20:30 të ditës së diele, 17 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje. Tri nga këto subjekte politike janë koalicione që janë deklaruar në KQZ.

Në mesin e këtyre koalicioneve të deklaruara është edhe koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Këto të dhëna janë bërë të ditura për nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka njoftuar se “deri më tani (e diel, 30 nëntor, ora 20:30) 17 subjekte politike kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, i cili, sipas tij, “është i ngjhëm me formularin e proceseve të kaluara zgjedhore”.

Sipas Elezit, këto subjekte politike kanë dorëzuar aplikimin:

Koalicionet:

1. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;

2. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe

3. Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Partitë politike:

4. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;

5. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK:

6. Kosovaki Nevi Romani Partia;

7. JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;

8. Za Slobodu Pravdu i Opstanak;

9. KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;

10. PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;

11. PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;

12. SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;

13. SRPSKA LISTA;

14. INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;

15. FJALA;

16. NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS;

17. LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK).

Subjeketet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë afat që deri më 7 dhjetor të dorëzojnë listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë.

PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së: S’ka votim jashtë përfaqësive diplomatike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar mundësinë që votimi të zhvillohet jashtë përfaqësive diplomatike, duke e rrëzuar kështu vendimin e mëparshëm të KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Këtë e kanë konfirmuar për Klan Kosovën.

Vendimi i KQZ-së parashihte hapjen e qendrave të votimit edhe në hapësira shtesë jashtë misioneve diplomatike, sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Me këtë vendim të PZAP-it, procesi i votimit jashtë vendit rikthehet vetëm brenda ambienteve zyrtare të përfaqësive diplomatike.

“Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40 mijë e 850 votues. Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit për votimin jashtë Kosovës, të miratuara nga KQZ është 60, me gjithsej 109 vendvotime”, thuhej në vendimin e KQZ-së

Murati: Opozita, duke e bllokuar shtetin, mendoi t’ia lërë fajin Kurtit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuram Murati i është rikthyer sërish akuzave për partitë e deritashme opozitare, për siç ka thënë ai, mosvotimin e buxhetit të Republikës, marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e tri komunave e atë për RTK.
Derisa përmendi miliardat që nuk morën dritën jeshile sa ishte ende Kuvendi i Kosovës me mandat, ai ka thënë se opozitarët nuk i votuan ato, jo sepse pati kundërshtim në përmbajtje, por, siç thotë ai, për t’i mbetur faji Albin Kurtit.

“Opozita refuzoi t’i votonte: 4 miliardë euro buxhet për 2026, 1 miliardë euro marrëveshje ndërkombëtare, Buxhetin e tri komunave për 2025, Buxhetin për RTK-në.

Nuk i votuan, jo se kishin ndonjë kundërshtim me përmbajtjen, por sepse menduan që duke e bllokuar shtetin e duke i lënë qytetarët pa paga, faji do t’i mbetej Albin Kurtit. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë veprim destruktiv të partive opozitare dhe do t’ua tregojnë vendin me votë me 28 dhjetor”, ka shkruar Murati.

KFOR: Ushtarët mbajtën garën sportive ushtarake – përfshirë edhe hedhjen e granatave

KFOR-i, Misioni i NATO-s në Kosovë, ka thënë se trupat shumëkombëshe nga Komanda Rajonale Perëndimore morën pjesë në “Konkursin Ushtarak të Ushtarit më të Mirë” në kampin “Villagio Italia” në Pejë.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se eventi mblodhi ushtarë nga i gjithë KFOR-i për një garë sportive ushtarake me energji të lartë, të projektuar për të shtyrë kufijtë dhe për të ndërtuar rezistencë.

“Përgjatë një marshimi të vështirë prej 15 kilometra me pajisje të plota luftimi, pjesëmarrësit u përballën me vrapim, ushtrime fizike, sfida qëndrese dhe detyra kyçe taktike – duke përfshirë hedhjen e granatave, përgjigjet CBRN, furnizimin logjistik, përshkimet e pjerrëta dhe tirol, si dhe qitje”, thuhet në njoftim.

KFOR-i theksoi në fund se performanca e tyre e fortë tregoi vendosmëri, disiplinë dhe një frymë të fuqishme bashkëpunimi – një kujtesë e qartë e vlerave të përbashkëta dhe angazhimit kolektiv që bashkojnë KFOR-in në misionin e tij në Kosovë

S`ka as nesër autobusë në kryeqytet, grevistët presin alokimin e mjeteve

Autobusët e kryeqytetit, nuk do t’i kthehen punës as nesër. Greva e punëtorëve të Trafiku Urban do të vazhdojë nga ora 10.00. Kështu ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, duke thënë se greva do të vazhdojë deri në momentin që Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin që ka ndaj operatorëve publikë dhe atyre privat.

Duke filluar nga ora 10.00 e mëngjesit deri në orën 12.00, Trafiku Urban do të bllokojë rrugët nga Qeveria e Kosovës deri te Komuna e Prishtinës, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave dhe mos alokimin e borxhit nga Komuna e Prishtinës. Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, duke folur për Radio Kosovën tha se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban, janë dy kërkesat bazike të kësaj greve.

“Nesër fillon greva në orën 10.00 deri në orën 12.00, me autobus do të dalim për bartjen e punëtorëve tanë deri të objekti i Komunës. Greva do të vazhdojë deri në momentin e alokimit të mjeteve në xhirollogarinë e Trafikut Urban. Vendimi që është marr të premten, ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave dhe atje e kemi premtimin që në momentin e verifikimit ato të alokohen në Komunën e Prishtinës dhe më pas komuna do të bëjë shpërndarjen sipas obligimeve që detyrohet. Nëse nuk alohohen, greva vazhdon në ditët me radhë, varësisht nga kushtet që do të kemi”, tha ai.

Gashi ka shprehur keqardhjen për vështirësitë që janë shkaktuar nga pezullimi i transportit publik, por ka thënë se në momentin që mjetet alokohen, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.

“Ky vendim ka mundur të merret edhe muaj më parë, por pse ka ndodh kështu, e dinë ata vet. Sigurisht kanë pritë protestë me bë. Është njollë e keqe me prit protestë për ta marr një vendim. Shpresojmë shumë që të mos vjen në këtë gjendje më, qyteti i Prishtinës”, shtoi ai.

Zyrtarë të Trafikut Urban kanë theksuar se të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.

Greva e Trafikut Urban ka nisur nga e hëna, duke u pezulluar të gjitha linjat. 3 milionë e 220 mijë euro janë borxhet që Komuna ia ka Trafikut Urban, ndërsa 1 milion e 600 mijë euro, Trafiku Urban ua ka borxh furnitorëve për derivate, tha krye-sindikalisti, Ilmi Gashi

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ tregon numrin e subjekteve që kanë aplikuar për pjesëmarrje

Deri më tani, e diel, 30 nëntor 2025, ora 14:00, dymbëdhjetë parti politike kanë plotësuar formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili është i ngjashëm me formularin e proceseve të kaluara zgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka bërë të ditur për KosovaPress, se këto parti politike janë PDK, LDK, Kosovaki Nevi Romani Partia, Jedinstvena Goranska Partija, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Kosova Demokratik Türk Partisi; Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska unija – SDU, Lista Serbe, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Fjala.

Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit ka nisur më 24 nëntor dhe përfundon sonte në orën 23:59.