Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

Komandanti legjendar Adem Jashari po të ishte gjallë sot do t’i mbushte plot 70 vjet jetë.

Adem Jashari u lind më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt.

Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit.

Adem ishte kryekomandant i Ushtrisë Çlirimtre të Kosovës.

Së bashku me të vëllanë e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak mori një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht.

Më 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Shërbimet sekrete serbe i ra në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyu rrethimit dhe kapjes së tij.

Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit.

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kaloi në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së filloi me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.

Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj.

Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së, që bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve.

Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerie. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Drenasit.

Sulmi mbi Jasharët nisi rreth orës gjashtë të mëngjesit, shkruan KosovaPress transmeton Klankosova.tv

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernard Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.

Specialja nuk e njeh 28 nëntorin, mban seancë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dhomat e Specializuara të Kosovës po dëshmojnë që nuk kanë asnjë lidhje me Kosovën.

Derisa 28 nëntori në Kosovë është ditë feste si rezultat i Pavarësisë së Shqipërisë, në Hagë pritet të jetë ditë pune.

Kjo gjykatë ka caktuar seancë ndaj Hashim Thaçit për 28 Nëntor, datë që shënon edhe përvjetorin e daljes publike të UÇK-së.

Seanca do të fillojë në ora 9:30, ndërsa pritet të zgjas deri në ora 16:00, e ku pritet të jetë konferencë përgatitore për gjykim, në procesin ku Thaçi akuzohet për pengim të drejtësise.

Përveç tij, akuzohen edhe Fadil Fazliu, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj e Hajredin Kuçi.

Caktimin e seancës për 28 Nëntor e ka kundërshtuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo Organizata ka shprehur indinjatë dhe zhgënjim të thellë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të mbajtur konferencën përgatitore ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi pikërisht më 28 Nëntor, ditën e Flamurit dhe një ndër datat më të rëndësishme historike për shqiptarët

Osmani merr pjesë në “Sofrën Shqiptare” në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, ka marrë pjesë në “Sofrën Shqiptare” të shtruar në sheshin e qytetit, ku ka ndarë mesazhe të bashkëpunimit dhe lidhjes së ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, tha se “Shkodra ka qenë gjithmonë një urë mirësie dhe bashkëpunimi dhe vllazërimi me Kosovën. Prania juaja sot është një simbol i fortë i asaj lidheje që na bashkon në histori, kulturë dhe vlera”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj theksoi afërsinë e veçantë mes Kosovës dhe Shkodrës.

“Sonte jemi në zemrën e nje qyteti që nuk ka nevojë të prezantohet. Nga Kosova ne e ndjejmë Shkodrën si shtëpinë tonë të dytë, na lidh gjuha sepse shumë prej fjalive që ne i ruajmë me krenari kanë lindur pikërisht këtu, na lidh muzika që ka qenë shoqëruesja jonë në çdo dasëm guxim e festë, na lidh tradita, na lidh humori që si në Shkodër ashtu edhe në Kosovë është armë mbijetese butësi dhe mençuri”, tha Osmani

Nga UÇK te Ushtria e Kosovës: 28 Vite Rrugëtim dhe Transformim

Në ditën e Forcës, si çdo vit, u ekspozua armatimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Aty nuk munguan as pjesëtarët e forcës, që dallohen nga uniformat.

Por, kjo forcë që në çdo ngjarje të madhe i ekspozon kapacitetet e saj, rrënjët i kishte shumë ma herët.

28 vjet më parë doli në skenë haptazi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si nevojë e domosdoshme e popullit për ta mbrojtur nga pushtuesi serb.

Kjo ndodhi, më 28 nëntor 1997 gjatë ceremonisë së varrimit të arsimtarit Halit Geci nga Llausha e Skenderajt, të vrarë nga policia serbe, ku në tribunë u ngjitën të veshur me uniformën e UÇK-së luftëtarët dhe komandantët e ardhshëm Daut Haradinaj, Rexhep Selimi e Mujë Krasniqi.

Në periudhën shkurt-mars 98’, komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Adem Jashari, me njësitin e tij ushtarak, vuri nën kontrollin e UÇK-së territorin e Drenicës. Në atë kohë forca të shumta ushtarako-policore të armatosura me autoblinda e artileri të rendë sulmuan Drenicën.

Adem Jashari luftoi tri ditë e tri net nga kulla e tij, së bashku me gjithë familjen. Asnjë nga anëtarët e familjes dhe shumë nga farefisi nuk pranuan të largohen, por luftuan derisa ranë heroikisht 56 persona nga mosha 5 deri 74 vjeç.

Lufta e lavdishme e UÇK-së vazhdoi edhe për shumë kohë. Pak pas përfundimit të luftës ndodh një moment tjetër historikë, çmilitarizimi i UÇK-së. Aty djem e vajza që luftuan për çlirimin e vendit dorëzuan armët e tyre për t`i hapur rrugë një procesi tjetër.

UÇK-ja po transformohej në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Ishte viti 1999 kur nisi çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Kjo e gjitha kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.

Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për rindërtimin dhe komunitetet.

TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej.

Por, pas 7 vjetësh sikur kishte ardhur koha për një moment tjetër historik. Formimin e një force të re.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradit, ?Standardet për Kosovën?, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.

Dhe ashtu ndodhi.

Pas dy vjetësh, saktësisht më 20 janar të 2009, TMK-ja zyrtarisht u shpërbë duke u riformuar në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Kjo forcë fillimisht, kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t?i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës, vendim ky që nuk arriti të finalizohej për 4 vjet.

Në dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjet që nisën transformimin e FSK-së në ushtri. Procesi u planifikua të zgjasë 10 vjet dhe përfshinte rritjen e numrit të pjesëtarëve, zgjerimin e kapaciteteve operacionale, modernizimin e pajisjeve dhe ndërtimin e strukturave të mbrojtjes territoriale.

Ky vendim e formalizoi tranzicionin, duke shndërruar FSK-në nga forcë civile në forcë të armatosur me mandat mbrojtës.

Tanimë Kosova ndodhet në fazën e fundit të tranzicionit në ushtri. Në këto vite, FSK ka kaluar në fazën përfundimtare të tranzicionit, buxheti i mbrojtjes është rritur çdo vit, janë shtuar kapacitetet njerëzore dhe rezervat, është rritur bashkëpunimi me SHBA-në, Britaninë dhe NATO-n, janë përfshirë pajisje dhe teknologji modern si dhe ka marrë pjesë në stërvitje ndërkombëtare të shkallës së gjerë.

Në vitin 2025, FSK vlerësohet si një institucion profesional, stabil dhe në proces të konsolidimit të plotë si Ushtria e Kosovës.

Zhduket një burrë në Gjilan, Policia: Vetura e tij u gjet pranë pendës së fshatit Livoq, vazhdon kërkimi

Një person është raportuar i zhdukur sot rreth orës 10:05 në komunën e Gjilanit.

Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur policia ka pranuar informacion se një 32-vjeçar në Gjilan ka dalë nga shtëpia rreth orës 07:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e tij.

Osmani njoftoj se gjatë veprimeve të para hetimore, vetura e personit është gjetur në afërsi të pendës së fshatit Livoq.

“Me datën 27.11.2025, rreth orës 10:05, kemi pranuar informacion nga familjarët se një person mashkull kosovar, i lindur në vitin 1993, ka dalë nga shtëpia rreth orës 07:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihet për vendndodhjen e tij.

Gjatë veprimeve të para hetimore, vetura e personit është gjetur në afërsi të pendës së fshatit Livoq.

Njësitë policore relevante, së bashku me ekipet e Zjarrfikësve dhe të Emergjencës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave dhe gjetjen e personit.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar rasti “Person i zhdukur”, ka thënë Osmani

Dogana parandalon kontrabandën me telefonë dhe pjesë për ta

Dogana e Kosovës ka njoftuar se, gjatë një kontrollit rutinë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, është zbuluar dhe parandaluar një rast i tentim-shmangies së detyrimeve doganore.

Gjatë inspektimit të detajuar, njësitë doganore kanë gjetur 4 telefona të rinj iPhone 17 Pro Max, si dhe pjesë të ndryshme për telefona mobil, të cilat ishin të padeklaruara nga pala përgjegjëse.

Sipas Doganës, vlera totale e mallit të sekuestruar është mbi 5000 euro.

“Mallrat e padeklaruara janë konfiskuar, ndërsa ndaj personit të përfshirë janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrolleve, mbrojtjen e tregut dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, duke parandaluar çdo tentim të shmangies së detyrimeve doganore” thuhet në njoftim.