Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Nëntë muaj “pa rezultate në dialog”, Kallas propozon vazhdimin e mandatit të Sorensen

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka propozuar zgjatjen mandatit të Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Propozimi i Kallas u diskutua javë më parë, në disa trupa të Këshillit Evropian: në Komitetin për Punë të Jashtme dhe Siguri, dhe paraprakisht në Grupin Punues të Këshilltarëve për Punë të Jashtme dhe atë për Ballkanin Perëndimor.

Pa dhënë detaje, në një përgjigje për TV Dukagjinin, Shërbimi i Jashtëm i BE-së konfirmoi përkrahjen për vazhdimin e punës nga diplomati danez.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen gëzon mbështetjen e plotë të Përfaqësueses së Lartë dhe të shteteve anëtare të BE-së. Rezultati i proceseve në Këshillin e BE-së do të kumtohet porsa të kompletohet”, ka thënë Bashkimi Evropian.

Mandati fillestar i Sorensen, i cili nisi punën më 1 shkurt të këtij viti, është 13 mujor dhe përfundon më 28 shkurt 2026.

Në vlerësimin e profesorit Gëzim Qerimi, deri tani – në mandatin e Sorensen dialogu nuk prodhoi asnjë rezultat konkret dhe mund të quhet i dështuar.

“Qoftë në vazhdimi i mandatit të tij apo ndonjë personaliteti tjetër, do të duhej që të vendosej parimi themelor për të përfunduar dialogun Kosovë-Serbi. Nuk do të ketë kuptim dialogu Kosovë-Serbi, nëse pika e parë e këtij dialogu nuk është njohja reciproke me Kosovës dhe Serbisë dhe vlerësoj se të gjitha dështimet janë si rezultat i mungesës së këtij parimi”, ka thënë Gëzim Qerimi, Profesor.

Teksa mungesën e rezultateve e lidhi me një “status-quo”, profesori Sylë Ukshini përmendi faktin se për BE-në dialogu Kosovë-Serbi nuk ishte top prioritet, por edhe zhvillimet e brendshme në të dyja vendet.

“Faji nuk mund të hidhet te Sorenseni, sepse BE-ja nuk ka mjete detyrimi. Mandati i tij është vetë fascilitues dhe duke qenë fascilitues suksesi i tij varet nga gatishmëria e palëve për t’i implementuar marrëveshjet. Në anën tjetër, varet edhe sa presion bën Bashkimi Evropian, sa presion bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Sylë Ukshini, Ish-Diplomat / Profesor.

Diplomati danez, i cili e pasoi në detyrë sllovakun, Miroslav Lajçak, vizitoi Kosovën katër herë: në mars, në prill, në gusht dhe në tetor, ndërsa organizoi disa takime, kryesisht të ndara, në nivel kryenegociatorësh.

Takimi i nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, të cilin, në qershor, Sorensen tha se po e përgatitë, nuk ndodhi.

Hamza në Washington, takohet me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe DASh-it

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nga vizita e tij në Washington ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me zyrtarë të lartë amerikanë, mes tyre Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump, si dhe Mark Fleming nga Departamenti i Shtetit.

Hamza përmes një postimi në facebook bëri të ditur se në takim u diskutua zhvillimin politik e ekonomik të vendit, si dhe në domosdoshmërinë që institucionet e Kosovës ta kenë prioritet forcimin e raporteve strategjike me SHBA-në, shkruan IndeksOnline.

Ai theksoi se për PDK-në interesi shtetëror mbetet mbi çdo gjë, duke përfshirë rritjen ekonomike, investimet strategjike dhe riparimin e plotë të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

“I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë.Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka shkruar Hamza

Presidentja Osmani uron Ditën e Flamurit dhe ngjarjet historike të 28 Nëntorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët me rastin e 28 Nëntorit Ditës së Flamurit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Postimi i plotë:

Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.Gëzuar Ditën e Flamurit!Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!

Kurti uron 28 Nëntorin: Nuk ka komb tjetër në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar

Kurti ka shkruar se nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë.

Kurti ka përmendur vitin 1443, kur u ngrit flamuri Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane, pastaj shumë shekuj më vonë shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, kur flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë.

Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës, shkruan Kurti.

Ai përmend se po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri.

Postimi i plotë:

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

Bedri Hamza uron 28 Nëntorin: E kuqja dhe e zeza janë Shqipëri!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e 28 Nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari.

Hamza përmes një postimi në Facebook, tha se kjo ditë përmbledh çdo hap të rëndësishëm të shqiptarëve drejt lirisë, nga flamuri i Skënderbeut në Krujë e deri te shpallja e Pavarësisë në Vlorë.

“E kuqja dhe e zeza, sot nuk janë vetëm ngjyra. Janë Shqipëri. Janë betim për një të ardhme prosperuese për shqiptarët.

Gëzuar dhe festofshim gjithmonë me dinjitet!”, shkroi ndër tjerash kreu i PDK-së.