Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Osmani, pas vizitës në Shqipëri: Ky 28 Nëntor ishte një udhëtim zemre

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmbledhur vizitën e saj në Shqipëri, duke thënë se ky 28 Nëntor ishte një udhëtim zemre nëpër historinë e përbashkët.

Osmani qëndroi në Shkodër, Tiranë dhe në Vlorë, me rastin e 113-vjetorit të pavarësisë, shkruan IndeksOnline.

“Ky 28 Nëntor ishte kujtesë dhe premtim njëkohësisht: se rruga jonë është e gjatë, por e jona; se historia nuk na ka lënë vetëm plagë, por edhe shumë arsye për të qenë krenarë. Dhe mbi të gjitha, se bashkë, shqiptarë kudo që jemi, mbetemi një komb që di të ngrihet, të festojë dhe të shikojë kah e nesërmja me kokën lart” u shpreh Osmani.

Ky është postimi i plotë i presidentes:

Nga Shkodra në Vlorë, për ta përmbyllur në Tiranë, ky 28 Nëntor ishte një udhëtim zemre nëpër historinë tonë të përbashkët.

Shkodra na hapi dyert si vetëm ajo di – me zemër plot, me rrugë që të flasin dhe me një dashuri që të kujton pse ky komb ka mbijetuar në çdo stuhi. Festën e vazhduam në Vlorë, në qytetin ku flamuri nuk valëvitet thjesht nga era, por nga historia, nga gjaku, nga amaneti i lirisë. Aty çdo 28 Nëntor merr kuptimin e tij të vërtetë: krenarinë për atë që kemi qenë dhe forcën për të qenë më shumë.

Dhe mbrëmja na bashkoi në Tiranë, në Pallatin e Brigadave, aty ku drita e ceremonisë i jep jetë kujtesës sonë të përbashkët. Në atë hapësirë ku Shqipëria dhe Kosova nuk qëndrojnë si dy vende, por si një zemër e vetme që rreh përpara, me besim e me dinjitet.

Ky 28 Nëntor ishte kujtesë dhe premtim njëkohësisht: se rruga jonë është e gjatë, por e jona; se historia nuk na ka lënë vetëm plagë, por edhe shumë arsye për të qenë krenarë. Dhe mbi të gjitha, se bashkë, shqiptarë kudo që jemi, mbetemi një komb që di të ngrihet, të festojë dhe të shikojë kah e nesërmja me kokën lart.

Parashikimi i motit për fundjavë sipas IHMK, 29 DHE 30 NËNTOR 2025

Parashikimi i motit për vikend ( 29 & 30 nëntor, 2025)!

Të shtunen parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu të përziera me borë, në viset e larta reshje bore.Temperaurat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 1-3gradë Celsius.Do të fryjë erë nga veriperendimi e lehte deri mesatare.

Të dielen parashihet të mbajë mot i vranët.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-4m/s.

IKD: Vendimi i KQZ për hapjen e Qendrave të Votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat zgjedhore

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me vendimin për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike. Hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat zgjedhore.

Sipas njoftimit publik të datës 27 nëntor 2025, KQZ në mbledhjen e 84-të, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit. Ndërkaq, përveç përfaqësive diplomatike, KQZ ka njoftuar se sipas të njëjtit vendim Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues”.

Mirëpo, Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, në asnjë mënyrë nuk lejon hapjen e hapësirave shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike.

“Fillimisht, ky Ligj përkufizon se çka është përfaqësi diplomatike: “ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër dhe në ditën e votimit mund të shfrytëzohet si qendër e votimit, sipas vlerësimeve të KQZ-së”. Përderisa, përmban një kapitull të veçantë për votimin jashtë Kosovës. Mes tjerash, thotë se KQZ kërkon nga MPJ listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Për më tepër, e përcakton që KQZ të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme listën e përfaqësive diplomatike. Kurse, kjo e fundit t’i ofrojë KQZ-së informacionet e kërkuara”, shpjegon IKD.

Konkretisht, paragrafi 8 i nenit 96, thotë: “KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, vlerëson hapësirat fizike për secilën përfaqësi diplomatike dhe, në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike. Jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”.

“Pra, Ligji në asnjë mënyrë nuk parasheh mundësinë që të lejohen hapësira shtesë jashtë përfaqësive diplomatike, e as mundësinë që MPJD të propozoj ndonjë hapësirë tjetër përveç listës së përfaqësive diplomatike, e cila kërkohet nga KQZ. Hapja e hapësirave shtesë nuk lejohet në asnjë mënyrë edhe nëse plotësohet numri maksimal i votuesve të përcaktuar nga KQZ, për secilën përfaqësi diplomatike. Në raste të tilla, rregullat zgjedhore parashohin që sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesit që janë përtej numrit të kufizuar, udhëzohen për mënyra tjera të votimit”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Neni 3 i Rregullores 04/2025 për Regjistrim dhe Votim Jashtë Kosovës, përmes paragrafëve 9 dhe 10 përcakton:

“9. Në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuar si qendër votimi.

10. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat e tjera të votimit”.

Kjo mënyrë rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime. Në rast të ankesave potenciale, krijohen mundësitë për anulimin e votave në këto Qendra të Votimit, pikërisht për shkak se ligji nuk e lejon hapjen e këtyre qendrave.

Andaj, IKD bën thirrje që KQZ të ndërpresë veprimet që bien ndesh me ligjin dhe rregullat zgjedhore. Respektimi i ligjit përbën themelet e integritetit zgjedhor dhe të funksionimit demokratik të institucioneve. Prandaj, KQZ ka detyrim që brenda mandatit të saj të përcaktuar me ligj, të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë plotësisht të ligjshme dhe të besueshme.

Agim Veliu reagoi pas debateve për listën zgjedhore të LDK-së: Respekti për bazën është detyrim moral

Agim Veliu, ka reaguar publikisht pas debateve të ditëve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me listën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në një postim drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë, Veliu ka falënderuar të gjithë ata që kanë ngritur zërin për kontributin e tij dhe për domosdoshmërinë e respektimit të meritokracisë brenda LDK-së, shkruan IndeksOnline.

Veliu ka rikujtuar pritjet që kishte pasur edhe në zgjedhjet e kaluara për të qenë pjesë e listës, por theksoi se pavarësisht “vendimeve të padrejta të asaj kohe”, ai ka vazhduar t’i qëndrojë besnik LDK-së dhe vlerave të saj.

Sipas tij, përfshirja në listë nuk duhet të shihet si privilegj personal, por si përgjegjësi për secilin që ka kontribuar ndër vite.

Postimi i plotë:

Të dashur qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë

Ditëve të fundit kam parë një debat të gjerë në media, nga anëtarësia dhe shumë aktivistë të LDK-së lidhur me përfaqësimin në listën zgjedhore të 28 dhjetorit.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që me sinqeritet e bindje kanë ngritur zërin për kontributin tim dhe për kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Është e vërtetë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka ekzistuar pritja që të jem pjesë e listës. Por, pavarësisht vendimeve të padrejta e të dëmshme të asaj kohe, unë kam vazhduar të qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, në shërbim të LDK-së, të qytetarëve dhe të vlerave që kemi kultivuar për më shumë se tri dekada.

Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite.

LDK është shtëpia jonë e përbashkët. Ajo është ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga njerëzit që ishin aty kur ishte më së vështiri dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe sot.

Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite.

Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë.

Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet.

Faleminderit për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të ma jepni!

Zoti e bekoftë LDK-në!

Zoti e bekoftë Rugovën!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Abdixhiku: Janina Ymeri i bashkohet listës sonë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se aktivistja Janina Ymeri do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një postim në facebook, Abdixhiku ka vlerësuar lartë angazhimin publik të Ymerit, duke e përshkruar atë si shembull të aktivizmit politik dhe të guximit qytetar,.

Ai ka theksuar se Ymeri është bërë e njohur për denoncimin e, siç e ka quajtur ai, “skandalit të mafias energjetike” dhe për ngritjen e zërit kundër rrjeteve korruptive në sektorin e energjisë.

Sipas Abdixhikut, Ymeri ka treguar integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri në kërkimin e llogaridhënies, duke mos u tërhequr para presioneve politike.