Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Përfundimi i afatit për formimin e koalicioneve, KQZ del me njoftim të ri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot përfundojnë afatet e periudhave të ndryshme për subjektet politike lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

KQZ ka dhënë detaje rreth afatit në njoftimin e fundit.

“Sot, më 30 nëntor, përfundojnë afatet për:

• Aplikimin e subjekteve politike për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje;

• Deklarimin e koalicioneve nga partitë politike; dhe

• Njoftimin e mospjesëmarrjes në zgjedhje nga partitë politike”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, raporton IndeksOnline.

Njoftimi i plotë:

Kliko ketu per postimin e plote

Dibër: Arrestohet polici që përdhunonte gra dhe shpërdoronte detyrën

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar punonjësin e policisë në Dibër me iniciale J.U., i dyshuar për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “shpërdorim detyre”.

AMP njofton se hetimet nisën pas kallëzimit të shtetases L.H., e cila pretendon se është shantazhuar dhe kërcënuar nga efektivi, ndërsa kanë nisur hetimet edhe për një tjetër shtetase për “kanosje për të mos kallëzuar” dhe për “përkrahje të autorit në krim”, shkruan A2CNN.

“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 17.11.2025, ku pas kallëzimit të shtetases L.H., e cila ka ngritur pretendimin se punonjësi i policisë nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, AMP ka dërguar materialet proceduriale shtesë edhe për shtetasen M.U., e dyshuar për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar” parashikuar në nenin 311 të Kodit Penal dhe shtetasin A.K., i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit në krim” parashikuar në nenin 302 të Kodit Penal”.

Punonjësi i policisë ishte larguar drejt Kosovës, por u ndalua sot nga AMP në hyrje të territorit shqiptar.

“Pas hetimeve me metoda speciale hetimi, u konstatua se punonjësi i policisë gjatë kësaj kohe ishte larguar në Republikën e Kosovës dhe ditën e sotme u bë i mundur ndalimi i tij nga agjentët e AMP në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë”, njofton policia.

Agjencia fton qytetarët të denoncojnë çdo abuzim në numrin 0800 9090 ose përmes kanaleve digjitale të saj

Gjatë kthimit nga Shqipëria Osmani vizitoi Dragashin, vlerësoi traditën, përkushtimin dhe bukurinë e Sharrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kthimit nga Shqipëria ndaloi në komunën e Dragashit, ku u takua me kryetarin Bexhet Xheladini dhe anëtarët e qeverisë dhe kuvendit komunal.

Në postimin e saj në Facebook, Osmani vlerësoi traditën, përkushtimin dhe bukurinë e Sharrit, duke theksuar potencialin e madh ekonomik të komunës dhe projektet që po përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ajo falënderoi gjithashtu për mikpritjen e ngrohtë dhe përfaqësimin e të gjitha komuniteteve lokale.

Postimi i plotë:

Kliko ketu per postimin e plote

Plagoset një person në Fushë Kosovë

Një person është lënduar nga të shtënat me armë zjarri në rrugën “Dardania” në Fushë-Kosovë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti ka bërë të ditur se njësitet policore dolën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryhen hetime për të sqaruar rrethanat e incidentit.

“Rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën Dardania në Fushë Kosovë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku raportohet për një person të lënduar. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ahmeti.

Kurti, për sulmin në “Ibër-Lepenci”: Shteti triumfoi përballë grupeve ekstremiste dhe terroriste që mbështetjen e financimin e gjejnë te Beogradi zyrtar

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, që ndikoi jashtëzakonisht shumë në infrastrukturën hidrologjike të vendit.

Kurti përshëndeti reagimin institucional të bërë fiks një vit më parë, duke thënë se veprimet profesionale dhe të suksesshme të institucioneve siguruan që të ketë rrjedhje të mjaftueshme të ujit për ftohjen e termoelektranave dhe mirëmbajtjen e prodhimit të energjisë elektrike.

“Në afat rekord prej vetëm një muaji akuadukti i dëmtuar u rindërtua, rrjedha e ujit bashkë me sistemin u rikthyen në kapacitete të plota operative. Përgjigjja jonë dëshmoi aftësinë e lartë reaguese të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore. Shteti dhe Republika triumfuan përsëri përballë grupeve ekstremiste dhe terroriste që mbështetjen e financimin e gjejnë te Beogradi zyrtar, e inspirimin dhe metodat i gjejnë te Rusia – sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Ibër Lepenc i ngjasonte sulmeve ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës” u shpreh Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot një vit më parë, rreth orës 19:00, akuadukti i Ibër Lepencit në Varagë të Komunës së Zubin Potokut ishte cak i një sulmi kinetik terrorist. Ky ishte sulmi i dytë i rëndë ndaj Republikës sonë nga aktorë të jashtëm në dy vite rresht, pas sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit, dhe i pari ndaj infrastrukturës sonë kritike.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u dëmtua rëndë pjesa fundore dhe njëra ballinë e akuaduktit, duke rrezikuar kështu seriozisht furnizimin me ujë për të gjithë konsumatorët që shërbehen nga ky sistem, përfshirë këtu Termocentralin “Kosova B”.

Reagimi institucional ishte i menjëhershëm dhe kritik në parandalimin e pasojave katastrofike që kishte për qëllim sulmi: uljen për 60% të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, ndërprerjen e furnizimit me ujë për komunën e Mitrovicës, Skenderajt, Drenasit, Vushtrrisë, Fushë Kosovës dhe gjysmës së Prishtinës, ndërprerjen e shërbimeve të ngrohtores qendrore në kryeqytet dhe përgjysmimin e kapaciteteve telekomunikuese në vend si pasojë e mungesës së energjisë elektrike në stacionet bazë.

Veprimet profesionale dhe të suksesshme të institucioneve siguruan që, përkundër dëmit fizik dhe përgjatë gjithë procesit të riparimit, të ketë rrjedhje të mjaftueshme të ujit për ftohjen e termoelektranave dhe mirëmbajtjen e prodhimit të energjisë elektrike, si dhe furnizim me ujë të pijshëm për banorët e komunave të prekura.

Në afat rekord prej vetëm një muaji akuadukti i dëmtuar u rindërtua, rrjedha e ujit bashkë me sistemin u rikthyen në kapacitete të plota operative. Përgjigjja jonë dëshmoi aftësinë e lartë reaguese të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore. Shteti dhe Republika triumfuan përsëri përballë grupeve ekstremiste dhe terroriste që mbështetjen e financimin e gjejnë te Beogradi zyrtar, e inspirimin dhe metodat i gjejnë te Rusia – sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Ibër Lepenc i ngjasonte sulmeve ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës.

Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me këtë sulm, ishin konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe ishin gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë. Edhe sot, ato janë dëshmi të qarta për përfshirjen e grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që synim e kanë destabilizimin e vendit tonë dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

Avni Qenajt i vazhdohet paraburgimi në Serbi

Gjykata në Beograd ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin ish-pjesëtarit të UÇK-së dhe shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj.

Paraburgimi i Qenajt do të vazhdojë për 30 ditë, teksa vendimi është bërë i ditur nga avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.

Smakiqi ka reaguar duke e konsideruar këtë veprim si privim të kundërligjshëm nga liria, duke e kritikuar mungesën e presionit diplomatik efektiv nga Qeveria e Kosovës.

Sipas avokatiti Smakiqi, familja e Avni Qenajt po përballet vet në mbrojtjen dhe lirimin e tij.

“Familja Qenaj, në këto dite festive kombëtare, gjendet nën ankth, ka mbetur e vetmuar, pa mbështetjen e shtetit që ka luftuar, dhe po detyrohet vet të luftojë përmes angazhimit privat me avokatët e saj të përmbushë të drejtat ligjore, lirinë e lëvizjes edhe për familjarin e saj, sikur të mos ekzistonte Qeveria e Kosovës” u shpreh ai.

Ky është postimi i plotë:

Privimi i kunderligjshem nga liria i ish pjestarit te UÇK-se Avni Qenaj!

Ne mungesë te një Qeverie serioze te Kosoves vazhdojnë kindnapimet e ish pjestarëve te UÇK-se sepse Qeveria duke u sjellur ne menyren me jo serioze qe 5 vite ne negociatat ne Bruksel Serbia lehtesishte shkel marrveshjet e Brukselit ku garantohet liria e levizjes dhe kapitalit si e drejte themelore njerzore dhe parime themelore te BE-se, por qe kjo e drejte nuk po zbatohet per ish pjestaret e UÇK-se.Ish pjestarit te UÇK-se shtetasit te Republikes se Kosoves Avni Qenaj pa asnje prove te vetme Gjykata ne Beograd dje ia ka caktuar 30 dite paraburgimin ne vend qe ai te lirohej nen presionin diplomatik efektiv te Qeverise normale e serioze qe na mungon.

Familja Qenaj ne keto dite festive kombëtare gjendet nen ankth ka mbetur e vetmuar pa mbeshtetjen e shtetit qe ka luftuar dhe po detyroehet vet te luftoj permes angazhimit privat me avokatet e saj te permbushë te drejtat ligjore lirine e levizjes edhe per familjarin e saj sikur te mos ekzistonte Qeveria e Kosoves.

Pafajsia e Avni Qenaj do te triumfojë por qfare kuptimi ka ekzistenca e shtetit e Qeverise se Kosoves kur deshton ne secilen fushë.Liri per Avni Qenaj dhe gezuar 28 Nentorin ne çelinë e Beogradit qe po mbahet i kidnapuar ne kundershtim me konventat nderkombetare.