Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

S`ka as nesër autobusë në kryeqytet, grevistët presin alokimin e mjeteve

Autobusët e kryeqytetit, nuk do t’i kthehen punës as nesër. Greva e punëtorëve të Trafiku Urban do të vazhdojë nga ora 10.00. Kështu ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, duke thënë se greva do të vazhdojë deri në momentin që Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin që ka ndaj operatorëve publikë dhe atyre privat.

Duke filluar nga ora 10.00 e mëngjesit deri në orën 12.00, Trafiku Urban do të bllokojë rrugët nga Qeveria e Kosovës deri te Komuna e Prishtinës, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave dhe mos alokimin e borxhit nga Komuna e Prishtinës. Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, duke folur për Radio Kosovën tha se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban, janë dy kërkesat bazike të kësaj greve.

“Nesër fillon greva në orën 10.00 deri në orën 12.00, me autobus do të dalim për bartjen e punëtorëve tanë deri të objekti i Komunës. Greva do të vazhdojë deri në momentin e alokimit të mjeteve në xhirollogarinë e Trafikut Urban. Vendimi që është marr të premten, ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave dhe atje e kemi premtimin që në momentin e verifikimit ato të alokohen në Komunën e Prishtinës dhe më pas komuna do të bëjë shpërndarjen sipas obligimeve që detyrohet. Nëse nuk alohohen, greva vazhdon në ditët me radhë, varësisht nga kushtet që do të kemi”, tha ai.

Gashi ka shprehur keqardhjen për vështirësitë që janë shkaktuar nga pezullimi i transportit publik, por ka thënë se në momentin që mjetet alokohen, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.

“Ky vendim ka mundur të merret edhe muaj më parë, por pse ka ndodh kështu, e dinë ata vet. Sigurisht kanë pritë protestë me bë. Është njollë e keqe me prit protestë për ta marr një vendim. Shpresojmë shumë që të mos vjen në këtë gjendje më, qyteti i Prishtinës”, shtoi ai.

Zyrtarë të Trafikut Urban kanë theksuar se të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.

Greva e Trafikut Urban ka nisur nga e hëna, duke u pezulluar të gjitha linjat. 3 milionë e 220 mijë euro janë borxhet që Komuna ia ka Trafikut Urban, ndërsa 1 milion e 600 mijë euro, Trafiku Urban ua ka borxh furnitorëve për derivate, tha krye-sindikalisti, Ilmi Gashi

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ tregon numrin e subjekteve që kanë aplikuar për pjesëmarrje

Deri më tani, e diel, 30 nëntor 2025, ora 14:00, dymbëdhjetë parti politike kanë plotësuar formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili është i ngjashëm me formularin e proceseve të kaluara zgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka bërë të ditur për KosovaPress, se këto parti politike janë PDK, LDK, Kosovaki Nevi Romani Partia, Jedinstvena Goranska Partija, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Kosova Demokratik Türk Partisi; Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska unija – SDU, Lista Serbe, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Fjala.

Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit ka nisur më 24 nëntor dhe përfundon sonte në orën 23:59.

Kapen pesë persona me armë të gjuetisë pa leje në Leposaviq

Policia ka arrestuar pesë persona në fshatin Berberisht të Leposaviqit për posedim të armëve të gjuetisë pa leje.

Gjatë kontrollit janë gjetur gjashtë armë, përfshirë pesë pushkë gjuetie dhe një pushkë karabinë, si dhe 86 fishekë të llojeve të ndryshme, katër rrethatore për fishekë dhe dokumente të armëve.

Sipas Policisë, personat janë shoqëruar në Stacionin Policor të Leposaviqit, ku janë intervistuar në praninë e avokatëve, dhe më pas janë liruar sipas procedurës.

Armët janë sekuestruar, ndërsa rasti është referuar Prokurorisë së Shtetit për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Policia apelon tek qytetarët që të mos dalin në gjueti pa leje të vlefshme dhe të respektojnë ligjin në çdo rast.

Gjuha e VV’së për “Serbinë në Kosovë”, Abdixhiku ironizon duke iu drejtuar Qunit: A po don ti

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur akuzave të VV’së për kthimin e Serbisë në Kosovë.

Ai iu drejtua Anton Qunit, luftëtar i Koshares, duke e pyetur “a po don ti”.

Abdixhiku tha se kjo është gjuha e vetme që iu ka mbetur.

“Këta i kanë 6 vite në krye të qeverisë dhe rezultatet i keni katastrofale. Çmimet po rriten, rryma, fatura tash ju vjen edhe më e shtrenjtë e atje Vuk Hamoviqi po përfiton miliona pare të Kosovës prej importit të energjisë elektrike, të cilën këta provojnë me fshehë.

Edhe dje edhe sot nga 3-4 qind mijë euro në ditë t’i fitojnë. Pra ky është patriotizmi fals i tyre. Për atë arsye, ju lus të mobilizoheni fort, të mobilizoheni fort edhe të tregoni saktë se ku i kemi problemet, si duhet t’i qasemi këtyre problemeve. Po mos te lëjmë n’asnjë moment, për asnjë moment, që fatin e Republikës sonë t’ua lëjmë dikujt që as s’kupton politikisht dhe ka qëllim rrënimin e shtyllave identitare të Republikës së Kosovës”.

Si ndryshimet në botë mund t’i sjellin njohje të reja Kosovës

Në skenën globale, Kosova ende kërkon të afirmojë vendin e saj. Edhe pas gati 18 vjetësh pavarësi, shumë shtete të botës islame por edhe të tjera nuk e njohin, ndërkohë që diplomacia e saj duket shpesh e fragmentuar dhe e paqartë.

Këtë vit, presidentja Vjosa Osmani, e cila mban përgjegjësinë për politikën e jashtme, konfirmoi njohjen e Kosovës nga tri shtete: Kenia në mars, Sudani në prill dhe Siria në tetor.

Hera e fundit kur Kosova kishte siguruar tri njohje brenda një viti, ishte më 2015: nga Ishujt Kuk, Antigua dhe Barbuda, dhe Niue. Gjatë kësaj dekade, deri sivjet, vendi mori vetëm edhe gjashtë njohje të reja.

Qeveria e Albin Kurtit, e cila udhëhoqi gjatë katër vjetëve të fundit, në programin qeverisës për vitet 2021-2025 shkruante se “Republika e Kosovës do ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Kjo vlen si për përpjekjet për njohje dhe marrëdhënie të ndërsjella diplomatike, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, bashkëpunim ekonomik, shkëmbime kulturore, ashtu edhe për të gjithë spektrin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral”.

E, gati në fund të mandatit, në dhjetor të 2024-ës, Kurti u përpoq t’i relativizonte kritikat për mungesën e njohjeve të reja, duke argumentuar se ato nuk ishin pjesë e premtimeve të fushatës.

“Unë e di që jemi kritikuar përse nuk ka njohje të reja, por duhet ta kuptoni edhe një gjë – as liberalizimin e vizave, as njohjet e reja nuk i kemi premtuar në fushatë. Në fushatë kemi thënë punësim dhe drejtësi. Pra, neve duhet të na matni krahasuar me zotimet tona që kemi dhënë në fushatën e vitit 2021 dhe në programin qeveritar më pastaj”, tha atëkohë Kurti.

Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës informacione rreth aktiviteteve të tyre lobuese, prioriteteve dhe mundësive për ndonjë njohje të re, por nuk mori përgjigje.

Në ueb-faqen e MPJD-së figurojnë 120 shtete që e njohin Kosovën nga e gjithë bota, por bie në sy numri relativisht i ulët i shteteve me shumicë myslimane. Duke pasur parasysh se Kosova vetë është vend me shumicë dërrmuese myslimane, pritjet do të ishin që mbështetja nga këto shtete të ishte më e gjerë.

Megjithatë, pavarësinë e saj – të shpallur në vitin 2008 – e kanë njohur vetëm pak më shumë se gjysma e 57 vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Para njohjeve të Sudanit dhe Sirisë sivjet, vendi i fundit me shumicë myslimane që njohu Kosovën ishte Bangladeshi, në vitin 2017.

Ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, thotë se identifikimi i fuqishëm i Kosovës si projekt i SHBA-së, në një periudhë kur Uashingtoni ka pasur marrëdhënie të tensionuara me shumë vende të botës islame, ka rënë shpesh ndesh me interesat rajonale të këtyre shteteve. Sipas tij, faktori fetar nuk ka pasur pothuajse fare peshë.

“Sa herë që e kemi paraqitur elementin islamik, e kemi paraqitur si diçka të veçantë, si islam laik, por të cilin vendet islame nuk e pranojnë, sepse ato e kanë islamin më të thellë në shoqëri. Te ne nuk është… por sa herë që jemi paraqitur kësisoj, nuk na kanë parë si seriozë”, thotë Prenkaj për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Hulumtuesi Butrint Berisha, i cili ka doktoruar në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Tartu në Estoni, thotë se një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe faktori historik. Sipas tij, Serbia ka trashëguar lidhjet e gjera të ish-Jugosllavisë me vendet arabe, afrikane dhe aziatike, të cilat vazhdon t’i shfrytëzojë edhe sot për të penguar avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me botën islame.

Për më tepër, Beogradi ka qenë i angazhuar edhe në një fushatë çnjohjeje të Kosovës, që, sipas zyrtarëve serbë, ka sjellë disa rezultate, megjithëse ato nuk janë konfirmuar kurrë nga autoritetet kosovare.

Berisha nënvizon gjithashtu se shumë shtete, përveç ndikimit të jashtëm, kanë edhe sfidat e veta, që i bëjnë më të kujdesshme ndaj njohjes së Kosovës.

“Maroku dhe Saharaja Perëndimore mendoj se janë ilustrimi më i mirë. Në terren kemi të bëjmë me një pushtim të Saharasë Perëndimore nga ana e Marokut [por që OKB-ja e konsideron si problem të pazgjidhur]. Ndaj, shtete si ky që kanë probleme me kontrollimin e territorit të tyre në plotni, janë shumë më hezituese që ta njohin Kosovën. Kjo vlen jo vetëm për shtetet e botës islame, por edhe në nivel global në përgjithësi”, thotë Berisha për Exposenë.

Njohja e Kosovës nga Siria erdhi pas ndryshimit të regjimit dhe rritjes së ndikimit të SHBA-së në rajon.

Të dy ekspertët vënë në dukje se Kosova duhet të përfitojë nga këto ndryshime globale për të avancuar interesat e saj. Ata sugjerojnë se Libani mund të jetë vendi i radhës me shumicë myslimane për lobim, pasi tani ka një qeveri funksionale dhe është gjithnjë e më shumë në fokus të SHBA-së. Po ashtu, Azerbajxhani, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Armeninë, shihet si një objektiv realist për njohje të reja.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi përmes emailit ministritë e Jashtme të të dyja këtyre vendeve për t’i pyetur nëse po shqyrtojnë mundësinë e njohjes së Kosovës, por nuk mori përgjigje.

Ish-diplomati Prenkaj thotë se Kosova, sidomos viteve të fundit, nuk ka ndjekur një strategji të qëndrueshme për t’u shfaqur si aktor i besueshëm në skenën ndërkombëtare. Mungesa e koordinimit mes Presidencës, Qeverisë dhe MPJD-së, por edhe me aleatët kryesorë – SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Turqinë – e ka dobësuar fushatën për njohje të reja, sipas tij.

“Është politikë ad hoc. E kam thënë edhe më herët se Kosova, për një periudhë tashmë, nuk ka politikë të jashtme, meqenëse ka humbur edhe koordinimi me shtetet mike”, sipas tij.

Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, premtoi njohje nga 193 shtete, që përkthehej në të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, plus një shtet tjetër. Megjithatë, Kosova mbetet ende larg këtij objektivi.

Vendi nuk njihet as nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor – Serbia dhe Bosnje e Hercegovina – si dhe nga pesë shtete të Bashkimit Evropian: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Në aspektin institucional, Kosova ka arritur të anëtarësohet në organizata si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e të tjera, por ka dështuar të hyjë në UNESCO, Interpol, Këshill të Evropës, OKB e të tjera.

Ekspertët pajtohen se Kosova duhet të ndërtojë një strategji shumëplanëshe dhe të qëndrueshme për njohje ndërkombëtare. Përveç diplomacisë tradicionale, Berisha rekomandon edhe shfrytzëzimin e partneriteteve ekonomike dhe të aktorëve joshtetërorë, si OJQ-të dhe celberitët.

“Unë tentoj ta mbroj argumentin se ka shumë hapësirë në shtetet jashtëperëndimore për Kosovën – edhe në rastet kur njohja nuk është e mundshme – për t’i avancuar raportet ekonomike me këto shtete. Natyrisht me botën myslimane, por edhe me shtetet tjera në Afrikë, në Azi, në Amerikën Latine. Sa më shumë partneritete që do të ketë, do të ketë më shumë mundësi edhe për njerëzit, edhe për bizneset”, thotë Berisha.

Si Prenkaj, ashtu edhe Berisha thekson se njohjet e reja mbeten thelbësore për Kosovën, pasi tregojnë qëndrueshmërinë e shtetit dhe rolin e tij si faktor stabiliteti në rajon.

Berisha pranon se debati mes politikës së jashtme dhe asaj të brendshme është i pashmangshëm, por për të ilustruar peshën që kanë njohjet, ai sjell edhe shembullin e territorit palestinez, i njohur nga më shumë shtete se Kosova, por që vazhdon të jetë i paqëndrueshëm, për shkak të konfliktit me Izraelin. Sipas tij, edhe në raste të tilla, numri i njohjeve ruan rëndësinë e vet si instrument simbolik dhe diplomatik, pavarësisht realitetit të komplikuar në terren.

Në këtë kuadër, Berisha kujton se edhe vetë procesi shtetformues i Kosovës ka qenë historikisht i ndërtuar mbi idenë e njohjeve ndërkombëtare.

“Mendoj se projekti i shtetit të Kosovës, jo vetëm pavarësia e shpallur në shkurt të 2008-ës, por prej viteve ’90, është bazuar në njohje ndërkombëtare. Pra, është një gjë që Kosova e ka kërkuar prej viteve ’90 dhe nuk ka arsye të ketë një ndryshim në qasje ose në mendim”, thotë ai.

Në një botë ku aleancat ndryshojnë me shpejtësi dhe konkurrenca diplomatike është në rritje, ekspertët theksojnë se Qeveria e re e Kosovës do të duhet të ndërtojë një strategji të koordinuar me aleatët, duke pasur gjithashtu aftësinë të adaptohet dhe të veprojë shpejt sa herë që hapen mundësi të reja – siç ishte raste me Sirinë, pas ndërrimit të regjimit. Në diplomaci, koha ka po aq rëndësi sa vizioni. /REL/

Serbia arreston e më pas liron ish-policin e Kosovës, MPJD kërkon të shmanget kalimi nëpër këtë shtet

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se në orët e para të mëngjesit të sotëm, Nexhat Pireva, shtetas i Republikës së Kosovës nga Kamenica dhe ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës për rreth 14 vite, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.

Ai po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre.

“Pas marrjes në pyetje për rreth katër orë, z. Pireva është liruar dhe aktualisht ndodhet në liri”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, raporton IndeksOnline.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe, të cilat përbëjnë keqtrajtim të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe janë në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve.

MPJD u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë deri në informacione të mëtejshme, për të siguruar mbrojtjen e tyre.

Kliko ketu per postimin e plote