Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Parashikimi i motit për javën e ardhshme (e hënë-e premtë, 01-05 dhjetor 2025)

IHMK:
Java e ardhshme parashihet të jetë kryesisht e vranët, me pak rreze dielli dhe here pas here me riga shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5-11 gradë Celsisu. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperendimi me shpejtësi 1-6m/s

E hënë
Moti i vranët dhe me intervale me diell.
Temperaturat minimale: -3 deri -1°C
Temperaturat maksimale: 5-9°C
Era: Kryesisht nga jugperendimi me shpejtësi 1-4m/s.

E martë
Mot kryesisht i vranët.
Temperaturat minimale: -1 deri 0C
Temperaturat maksimale: 6-9°
Era: nga jugperendimi, me shpejtësi 1-5m/s

E mërkurë
Moti kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.
Temperaturat minimale: 1-3 °C
Temperaturat maksimale: 6-9°C
Era: kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-6m/s.

E enjte
Mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me riga shiu.
Temperaturat minimale: 1 deri 3°C
Temperaturat maksimale: 7-10°C
Era: nga jugperendimit, 1-5 m/s

E premte
Mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me riga shiu..
Temperaturat mnimale: 1-4 °C
Temperaturat maksimale: 8-11°C
Era: e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperendimit

Rritja e pagës minimale dhe shpërblimet e fundvitit për pensionistët, Rama: U dhamë fund zërave të kënetës

Më 1 janar 2026 do të rritet edhe paga minimale. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë episodit të radhës të podkastit ‘Flasim’.

Paga minimale do të shkojë në 500 euro, si në sektorin publik dhe në atë privat, shkruan TopChannel.

“Ndërkohë, me hyrjen e vitit të ri 2026 nis edhe historia e re e rritjes së pensioneve, të cilat do të nisin të rriten nga janari e do të dyfishohen në janar 2027, do të trefishohen në janar 2028, do të katërfishohen në janar 2029, e do të pesëfishohen në janar 2030.

Më 1 janar 2026 do të rritet edhe paga minimale, tamam ashtu siç jemi zotuar. Ajo do të jetë 500 euro, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat”, shprehet Rama.

Po ashtu kreu i qeverisë foli dhe për shpërblimin e fundvitit për pensionistët.

“Miratuam këtë javë shpërblimin e fundvitit për pensionistët, duke i dhënë fund zërave të kënetës së madhe politike e mediatike, që helmuan gjyshër e gjyshe me informacionin e rremë se shpërblimi i këtij fundviti do të ndahej çdo muaj të vitit tjetër dhe këtë vit nuk do të kishte shpërblim. Jo, shpërblimet janë nisur drejt pensionistëve dhe kush ka një pension deri në 20 mijë lekë të reja do të marrë një shpërblim 150 euro, ndërsa kush e ka pensionin mbi 20 mijë lekë të reja do të shpërblehet me 100 euro”, përfundoi kryeministri.

Hamza pas vizitës në ShBA: Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përmbledhur në një postim të shkurtër në Facebook, vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se nga atje u kthye shumë pozitiv në Kosovë, për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes vendit tonë dhe SHBA-së.

Postimi i plotë:

Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqisja vizionin tim për zhvillimin e republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane.

Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar këshilltar i lartë i presidentit dhe E.W. Richardson Fellow pranë fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës së presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në qendrën për liri “Margaret Thatcher”, si edhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion.

U ktheva jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.

Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë

Varroset sot nëna e kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati

Mbrëmë ka ndërruar jetë nëna e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati, varrim i të cilës do të bëhet sot në orën 15:00.

Nga OVL e UÇK-së kanë njoftuar se nëna e Gucatit, Hata Gucati do të varroset në fshatin Marinë në Skenderajt, afër Kompleksit Memorial të Dëshmorëve.

“Të nderuar veteranë, invalidë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë. Ju njoftojmë se nëna e kryetarit, z. Hysni Gucati, zonja Hata Gucati, ka ndërruar jetë. Varrimi do të mbahet sot më 01.12.2025, në ora 15:00, në varrezat e fshatit Marinë të Skenderajt, afër Kompleksit Memorial të Dëshmorëve, njoftoi mbrëmë OVL e UÇK-së.

Zjarr në fshatin Kojskë të Lipjanit, lëndohen dy persona

Një zjarr ka shpërthyer gjatë ditës së diel në fshatin Kojskë të Lipjanit.

Sipas raportit policor, lëndime kanë pësuar dy persona. Ata kanë marrë trajtim mjekësor.

Gjatë kontrollit në vendngjarje, policia ka sekuestruar një pushkë gjuetie me leje të skaduar. Në konsultim me prokurorin, për zjarrin është hapur shënim zyrtar, ndërsa për armën e gjuetisë është iniciuar rast penal.

Po ashtu është bërë e ditur se një grua është intervistuar nën cilësinë e të dyshuares, por e njëjta është liruar në procedurë të rregullt.