Mar. Mar 31st, 2026

Lajme nga Vendi

Arrestohet hajni i naftës në Vushtrri

Hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri, në vazhdën e veprimeve operative dhe hetimore, kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje”.

Nga provat dhe informacionet e siguruara gjatë hetimit, dyshohet se i dyshuari gjatë muajit nëntor, në intervale të ndryshme kohore, në dy raste ka kryer vjedhje të sasisë së naftës, ku i dyshuari kishte vjedhur naftë nga gjeneratori i ankuesit.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Këmbëngulin protestuesit, s’ka qarkullim të autobusëve në Prishtinë pa u alokuar paratë

Transporti publik dhe ai privat në Prishtinë do të qëndrojë i bllokuar edhe këtë të hënë, pasi punëtorët e “Trafikut urban” dhe operatorëve privatë po vazhdojnë protestat për shkak të mospagesave dhe bllokimit të buxhetit të Komunës.

Elmi Gashi nga “Trafiku urban” ka thënë se posa të bëhet bartja e parave, ata menjëherë do të dalin në punë, ku siç tha ai i duhen 30 minuta kohë për t’u përgatit

“Protesta vazhdon dhe sot edhe tutje deri në alokimin e mjeteve borxh që detyrohet komuna të lshyjë borxhet ndaj ‘Trafikut urban’ dhe operatorëve privatë. Vendimi që është marrë ditën e enjte për bartjen e të hyrave vetjake për vitin 2024 në vitin 2025 që arrin vlera 28 milionë është dërguar nga komuna te Ministria e Financave. Po presim nga Ministria e Financave për të kthyer këtë vendim me pozitivitet për ne…shpresojmë që sot ose nesër mos po reflektojnë. Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, gjysmë ore na duhet kohë për tu kthyer në normalitet”, tha ai.

Edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Privat, Izet Smajli, ka shprehur keqardhjen ndaj qytetarëve të cilët përdorin transportin publik dhe privat.

“Ne si kompani private që gjashtë muaj nuk kemi marrë rroga. Për muajin shtator i kanë paguar, por jo edhe pesë mua. Komuna na ka pasë borxh 2 milionë e 700 mijë, pasi ka paguar muajin shtator, tash 2 milionë na ka borxh. 1 milion e 50 mijë i kemi paga, 1 milion e 350 mijë i kemi borxh ndaj pikave ku furnizohemi me naftë. Problemi është se nuk mundemi me fillu punën pa u aloku mjetet. Së pari me pagu pagat, dhe me i kry obligimet ndaj furnizuesve se nuk japin naftë më pa u kry obligimet. Ne atë ditë që i qesin paratë, jemi të kënaqur dhe kemi fillu punën. Ju kisha lut Qeverisë që sa më shpejt lë t’i qesin dhe të fillojë transporti”, tha ai.

Abdixhiku e quan Vetëvendosjen sekt: Provuan të kthejnë votimin me email

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë se po tenton të ndërtojë “sisteme manipulimi të votave” në prag të zgjedhjeve.

Abdixhiku tha se VV-ja është përfshirë në “panik, sulme e histeri politike”, ndërsa akuzoi partinë në pushtet për tentativa të përsëritura “për të deformuar procesin zgjedhor”,.

Sipas tij, përpjekja e parë ka qenë “rikthimi i sistemit të vjetër të votimit me email”, të cilin ai e përshkroi si metodë të cenueshme dhe të përdorur në të kaluarën për manipulim të votave.

Abdixhiku tha se kjo u pengua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa theksoi se “rastet e dyshuara mbesin të depozituara në hetuesi dhe prokurori”

Futen ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohen nga policia

Dy persona janë ndaluar në fshatin Novosellë të Kamenicës meqenëse dyshohet që ilegalisht nga Serbia kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Të dyshuarit raportohet ta kenë përdorur rrugën ilegale jashtë vendkalimi kufitar.

“Fsh. Novosellë, Kamenicë / 30.11.2025 – 21:25. Njësiti policor gjatë kontrollit ka ndaluar automjetin me targa të huaja të cilin kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar dhe pasagjeri i dyshuar mashkull shtetas i huaj. Të dyshuarit në mënyrë ilegale përmes rrugës jashtë vendkalimit kufitar dyshohet se nga territori i Serbisë kanë hyrë në territorin e Kosovës. Në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

U kap me drogë, dërgohet në mbajtje një i dyshuar, në Deçan

Një person është arrestuar në Deçan pasi i është gjetur substancë e dyshuar narkotike gjatë një kontrolli rutinë. Ngjarja ka ndodhur, më 30 nëntor 2025, rreth orës 13:20, në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan.

Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari, një mashkull kosovar, është kapur me substancë narkotike në posedim. Substanca është konfiskuar nga autoritetet përgjegjëse.

Sipas njoftimit të policisë, “Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për hetime të mëtejshme”.

Ky arrestim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e krimeve të lidhura me narkotikët.

“POSEDIM I SUBSTANCAVE NARKOTIKE- Rr. ‘Luan Haradinaj’, Deçan / 30.11.2025 – 13:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi gjatë kontrollit i është gjetur në posedim dhe konfiskuar një substancë e dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.