Mar. Mar 31st, 2026

Lajme nga Vendi

Abdixhiku prezanton aderimin e radhës, është një Gjeneral Major

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka prezantuar aderimin e radhës, Gjeneral Major Gëzim Hazrollin.

Ish komandanti Brigadës 123 të UÇK-së ishte një nga të parët që udhëhoqi transformimin e TMK-së në FSK.

“Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret një nga figurat më të shquara të mbrojtjes sonë kombëtare: Gjeneral Major Gëzim Hazrollin – ushtarakun që në luftë udhëhoqi me guxim, në paqe shërbeu me përkushtim, dhe në shtet ndërtoi me urtësi.
Me mbi tre dekada uniformë, Hazrolli i bashkohet LDK-së jo vetëm si profesionist i rrallë, por si simbol i disiplinës, integritetit dhe karakterit që vendi ynë sot ka nevojë t’i rikthejë në qendër të jetës publike.
Në vitet vendimtare të çlirimit, si Komandant i Brigadës 123, të UÇK-së, ai ishte ndër njerëzit që mbajtën vijën e frontit – me përgjegjësi dhe me sakrificë. I qetë në vendimmarrje, i saktë në udhëheqje, i palëkundur në detyrë. Prej atyre burrave që i kanë dhënë peshë fjalës komandant.
Pas luftës, kur vendi kishte nevojë për themele të reja, Hazrolli ishte ndër të parët që vuri gurët e parë në ngritjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës; dhe ndër të parët që udhëhoqi transformimin e tyre në Forcë të Sigurisë së Kosovës, për t’i dhënë Republikës një ushtri moderne, profesionale, të besueshme për aleatët tanë.
Nga viti 2009 deri në maj 2025, në pozitat më të larta drejtuese të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ai ishte pjesë e çdo procesi kyç të modernizimit: ngritja e kapaciteteve luftarake, profesionalizimi i trupës, ndërtimi i standardeve që sot e lidhin ushtrinë tonë me partnerët euroatlantikë.
I formuar në institucionet strategjike më prestigjioze; Royal College of Defence Studies në Londër, Marshall Center në Garmisch, programet ekzekutive në Monterey, California; Gjenerali Hazrolli është ndër ekspertët më të plotë që ka prodhuar sistemi ynë i sigurisë.
Për shërbimin e tij, Republika e ka nderuar me Medaljen Presidenciale Ushtarake, Medaljen për Shërbime të Shquara, Medaljen e Karrierës – dekorata që mbahen pak, meritohen shumë dhe trashëgohen me krenari.
Sot, ardhja e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës përçon një mesazh të qartë:
njerëzit e shtetit po kthehen në politikë; njerëzit e përgjegjësisë po bashkohen në një projekt që synon rend, stabilitet dhe orientim të palëkundur euroatlantik.
Gjeneral Hazrolli i bashkohet LDK-së për një arsye të thjeshtë dhe të madhe: sepse Kosova ka nevojë për shtet, jo spektakël; për institucione të përgatitura, jo improvizim; për drejtim të qetë, të matur dhe të sigurt – jo aventurë politike.
Mirë se vjen, Gjeneral Gëzim Hazrolli.
Në këtë shtëpi politike, do të gjesh vlerat që i mbron prej tri dekadash: nderin, disiplinën, besën dhe përkushtimin ndaj Republikës.
Udhëtimi ynë për një Kosovë më të sigurt, më të fortë dhe më evropiane sot bëhet më i fuqishëm” shkruan Abdixhiku nw njoftim.

KLIKO KETU PER POSTIMIN E PLOTE

Propozohet shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, dy anëtarë lëshojnë mbledhjen

Anëtari i Këshillit Prokruorial Visar Krasniqi ka propozuar shkarkimin e kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj pasi që siç tha ai vendimet po merren pa procedura dhe në mënyrë arbitrare.

Krasniqi po ashtu ka kundërshtuar prezencën e Ushtruesit të Dtyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, e pa çka kanë kërkuar që ai ta lirojë sallën.

“Propozimi im është shkarkimi yt nga pozita e anëtarit të Këshillit dhe automatikisht bie edhe prej kryesuesit. Meqenëse jemi bë hajgarexhi në takime të Këshillit, po bëjmë propozime qysh na teket, qysh na vijnë ndër mend”, tha Krasniqi.

Ata nuk pranuan që të jenë pjesë e takimit teksa aty merr pjesë Qalaj. Me këtë rast Visar Krasniqi bashkë me Veton Shabanin lëshuan mbledhjen.

Rritje rekord e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në Prokurorinë e Pejës

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur sot se gjatë periudhës janar–tetor 2025 është shënuar një rritje e konsiderueshme e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë nga personat nën procedurë penale, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve të marrëveshjeve është rritur me 147.83%, ndërsa numri i personave të përfshirë ka shënuar një rritje prej 126.92%.

Nga janari deri në tetor 2025 janë arritur 57 marrëveshje për pranimin e fajësisë, me gjithsej 59 persona pjesëmarrës. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, Prokuroria kishte realizuar vetëm 23 raste, me 26 persona të përfshirë.

Prokuroria Themelore në Pejë thekson se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj trajtimit efikas, profesional dhe objektiv të çdo rasti penal, duke e konsideruar këtë rritje si rezultat të punës së përmirësuar dhe bashkëpunimit të shtuar në procedurat penale.

Institucioni premton se edhe në vazhdim do të prioritizojë efikasitetin dhe transparencën në trajtimin e të gjitha rasteve në juridiksionin e saj.

Ekstradohet nga Kroacia 55-vjeçari i akuzuar për kontrabandë me dëm miliona euro

Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana kanë finalizuar me sukses ekstradimin nga Kroacia të shtetasit E. Sh., 55 vjeç, lindur në Maqedoninë e Veriut, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Ekstradimi u krye në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Interpolit në Kroaci.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj këtij shtetasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), me vendimin e datës 27.05.2025, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra penale të rënda:

Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, në formën e bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, grupi i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se E. Sh., së bashku me persona të tjerë, duke funksionuar si organizatë kriminale, ka kontrabanduar cigare me akcizë, duke i shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik prej 366 034 540 lekësh.

Pas mbërritjes në Shqipëri, i ekstraduari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për ekzekutimin e vendimit të GJKKO-së.

Kurti investon në mobilje të reja në kryeministri, a do t’i gëzojë në mandatin e ri?

Disa ditë para zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar nënshkrimin e një kontrate për furnizim me mobile, inventor.

Kjo kontratë përfshin lloje të ndryshme inventari sipas përshkrimit teknik të përfshirë në Aneksin I.

Tenderi është fituar nga operatori ekonomik “Mobelland” SH.P.K, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ishte 55,000 euro, transmeton IndeksOnline.

Vlera përfundimtare e kontratës është 19,999.99 euro, me çmimin më të ulët se sa që ishte planifikuar.

Ky furnizim vjen pak ditë para një momenti kyç politik, duke u siguruar zyrtarëve kushte më të mira pune, ndërkohë që institucioni synon modernizimin dhe funksionalizimin e hapësirave të punës.

Murati thotë se është rritur numri i ndërmarrjeve të reja: Ka kaluar shifrën prej 11 mijë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ka pasur një rritje të numrit të ndërmarrjeve të reja të regjistruara.

Ai ka thënë se është kaluar shifra prej 11 mijë, ndërsa thotë se deri në fund të vitit pritet të tejkalohet deri në mbi 13 mijë biznese.

“Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë, deri në fund të muajit tetor, ende pa mbaruar viti. Sipas trendit aktual, deri në fund të vitit kjo shifër pritet të tejkalojë mbi 13 mijë biznese, që do të ishte rekord i të gjitha kohërave. Ky është tregues i shëndetit të mirë të ekonomisë, e cila po rritet vazhdimisht”, ka shkruar Murati.