Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Vendi

Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë: Do të vazhdojnë bisedimet me partitë opozitare për presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se Kryeministri Albin Kurti do të vazhdojë konsultimet me partitë opozitare, përfshirë PDK-në dhe LDK-në, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

“Kryeministri Kurti, kryetar i LVV-së tashmë e ka bërë të ditur që do të vazhdojë diskutimet me krerët e partive opozitare, në rast të PDK-së dhe të LDK-së. Ne besojmë, presim që të ketë një marrëveshje dhe të arrijmë të zgjedhim presidentin, po ashtu duke pasë parasysh se janë të panevojshme, të padrejta edhe një palë zgjedhje të reja. Ndërkaq sa i përket nënshkrimeve të deputetëve, paraprakisht e kemi të qartë se kemi edhe së paku 44 deputetë të tjerë të cilët akoma nuk kanë dhënë nënshkrimet e tyre për të zgjedhur presidentin. Ndërkohë, nëse nevojitet një aspekt gjithësisht, një rrugë tjetër në raport me një konsensus i cili mund të arrihet, kjo është një temë që duhet të shqyrtohet pas propozimeve apo diskutimeve konkrete që ne mund të kemi për këtë temë”, tha ajo.

Eskalon protesta, protestuesit kalojnë me forcë policinë

Protesta e organizuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka eskaluar para Kuvendit të Kosovës, ku një numër protestuesish kanë arritur të çajnë kordonin policor dhe të depërtojnë më afër objektit të institucionit. Veteranët kanë nisur grumbullimin që në orët e para, në kuadër të thirrjes së OVL UÇK-së për të kundërshtuar ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Situata është tensionuar kur protestuesit kanë tentuar të afrohen drejt hyrjes së Kuvendit, duke shtyrë forcat e rendit.

Jashari nga protesta: Brenda qeverisë ka ministra që janë anti-UÇK

Xhavit Jashari nga OVL –UÇK ka thënë se po protestojnë në oborrin e institucioneve të vendit, për siç ka thënë ai se këto të fundit kanë degraduar pafundësisht.

“Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë pikërisht në oborrin e institucioneve të Kosovës, të cilat institucione kanë degraduar pafundësisht. E them këtë sepse qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i saj bënte krokofatje të pandalshme me plot gojën për bashkimin kombëtar, mbante në xhaketë simbolin dhe flamurin kombëtar, kurse në anën tjetër kishte për këshilltar një person i cili vazhdimisht synonte dhe bënte përpjekje të degradojë luftën e pastër dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ky person është me emrin Shkëlzen Gashi”, ka thënë Jashari.

Sipas tij brenda qeverisë, ka ministra që janë anti- UÇK.

“Degradimi kaq i rëndë dhe i paskajshëm i kësaj qeverie është sepse brenda kësaj qeverie ka ministra të cilët janë anti-UÇK. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Hekuran Murati, i cili publikisht ka deklaruar se më mirë dhe më lirë do të na kushtonte liria e këtij vendi po t’i kishim paguar mercenarët, që është fyerje e rëndë për veteranët”, ka shtuar ai.

Protesta e veteranëve po mbahet për të kundërshtuar ekspozitën që u vendos në sheshet e Prishtinës e që pasqyroi me pasaktësi masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë./

Rikthehet furnizimi me energji elektrike pas ndërhyrjeve në rrugën “Don Shtjefën Kurti”

KOSTT ka njoftuar se është rikthyer furnizimi me energji elektrike në zonat e prekura, pas ndërhyrjeve dhe punës intensive në terren, përmes një zgjidhjeje të përkohshme.

Sipas njoftimit, ekipet po vazhdojnë punimet për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit për NS Prishtina 6.

Ndërhyrjet janë bërë pas dëmeve të shkaktuara nga shembja e dheut dje në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, e cila ka kërkuar masa sigurie dhe punime të kontrolluara në fazën fillestare.

Njoftimi i plotë:

Rikthehet furnizimi me energji elektrike pas ndërhyrjeve në rrugën “Don Shtjefën Kurti”

KOSTT njofton qytetarët se, pas një angazhimi intensiv dhe pune të pandërprerë në terren, është rikthyer furnizimi me energji elektrike në zonat e prekura përmes një zgjidhjeje të përkohshme, ndërkohë që ekipet tona po vazhdojnë angazhimin për garantimin e sigurisë së furnizimit për NS Prishtina 6.

Dëmet e konsiderueshme nga shembja e dheut e ndodhur dje në orët e pasdites në rrugën “Don Shtjefën Kurti” kanë kërkuar masa sigurie, në fazën fillestare punimet kanë qenë të kufizuara dhe janë zhvilluar në mënyrë të kontrolluar, në përputhje me standardet dhe kërkesat përkatëse.

KOSTT shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe punën e palodhshme të ekipeve tona, si dhe falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar.

Shembja e dheut, Pokuroria inicon rast ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës

Prokuroria Themelore në Prishtinë përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda- Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se më datë 30.03.2026, në kuadër të detyrës së tij zyrtare, ka inicuar një rast ndaj zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Prishtinës, me qëllim të verifikimit nëse veprimet apo mosveprimet e tyre përbëjnë elemente të përgjegjësisë penale për kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave shtesë lidhur me shembjen e dheut në rrugën ‘’Don Shtjefën Kurti’’ në Komunën e Prishtinës. Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore forcimin e sundimit të ligjit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe interesit publik:, thuhet në njoftim

Kryesia e Kuvendit mblidhet nesër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër për herë të parë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik.

Në rendin e ditës janë përfshirë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe amendamentet e tyre, përfshirë:

Marrëveshje për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranimin për studime në Ballkanin Perëndimor.

Amendamente për programet financiare IPA 2017 dhe IPA 2018.

Marrëveshje kredie me Bankën Evropiane për Investime, BERZh dhe Fondin Saudit për projekte energjetike dhe infrastrukturore.

Gjithashtu, Kryesia do të formojë komisione ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe do të shqyrtojë propozime për emërime deputetësh në komisione parlamentare.

Mbledhja e Kryesisë vjen në një moment vendimtar për funksionimin e Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që anuloi efektin e shpërndarjes së tij.