Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Vendi

Nga nesër nis llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë një orë përpara

Si çdo vit, ndryshimi nga ora dimërore në atë verore do të ndodhë të dielën e fundit të marsit. Këtë vit, kjo përkon me datën 29, kur akrepat e orës në orën 02:00 duhet të shkojnë një orë përpara dhe të tregojnë 03:00.

Ora e kursimit të dritës do të mbetet në fuqi deri të dielën e 25 tetorit 2026. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është kursimi i energjisë elektrike. Gjatë shtatë muajve të kohës së verës, falë dritës së diellit, kursejmë rreth 210 orë energji.

Në vitet 1970, nën ndikimin e krizës së naftës, shumica e vendeve evropiane filluan ta përdornin këtë metodë për të shfrytëzuar më mirë dritën e ditës.

Që nga viti 1996, Evropa ka një rregullore të përbashkët: në pranverë kthejmë orët një orë përpara, ndërsa në vjeshtë i kthejmë një orë pas. Ndryshimi i parë provë u bë më 1932, nga 6 korriku deri më 1 shtator, kur orët u vendosën një orë përpara.

Ndryshimi i orës, që synon kursimin e energjisë, zbatohet edhe në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Franca, por ka shkaktuar debate të shumta.

Kritikët thonë se ndryshimi i orës mund të ndikojë negativisht tek shëndeti, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të sistemit imunitar, sepse ndërpret ciklin normal të trupit. Ata gjithashtu argumentojnë se kursimi i energjisë nuk është gjithmonë i dukshëm.

OVL e UÇK-së: Përgjegjësia për ekspozitën bie mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë

OVL e UÇK-së ka reaguar përmes një komunikate për media, duke thënë se e kundërshtojnë me forcë ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës.

OVL thotë se një ekspozitë e tillë shtrembëron luftën çlirimtare dhe fyen gjakun e derdhur për liri.

Në reagim thuhet se paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral dhe se një qasje e tillë është e papranueshme.

“Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë. Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë”, thuhet në reagim.

“Për këto arsye, kërkojmë distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e asaj ‘ekspozite’, si dhe llogaridhënie institucionale. Askush nuk guxon të njollosë UÇK-në apo sakrificën e popullit shqiptar”, përfundon reagimi

Bordi i Transparencës në Shqipëri rrit çmimin e naftës dhe të benzinës

Bordi i Transparencës në Shqipëri ka vendosur sërish rritjen e çmimit të karburanteve në mbledhjen e kësaj të shtune.

Çmimi i naftës është rritur nga 203 lekë në 218 lekë për litër, ndërsa benzina nga 175 lekë ka arritur në 181 lekë për litër.

“Çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit (standardit SSH EN 590) do të jetë jo më shumë se 218 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 206 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës do të jetë jo më shumë se 181 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi kanë hyrë në fuqi më 28 mars 2026, në orën 22:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku pritet të pasqyrohen ndryshime të tjera të mundshme.

Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve të tregtimit të karburanteve të zbatojnë këtë vendim, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, njofton Bordi i Transparencës.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg

Osmani: Izbica është kujtesë që nuk guxon të zbehet, thirrje që drejtësia të mos vonojë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakra e Izbicës, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga dëshmitë më të rënda të krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Në mesazhin e saj, Osmani theksoi se Izbica nuk përfaqëson vetëm dhimbjen dhe çmimin e lirisë, por edhe një kujtesë që nuk duhet të zbehet kurrë dhe një thirrje të vazhdueshme që drejtësia të mos vonojë.

Ajo rikujtoi se 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat serbe, ndër ta edhe foshnja 6-muajshe Dafina Qelaj, një simbol i pafajësisë së shuar në mënyrë barbare. Sipas presidentes, këto krime u kryen me qëllim të shfarosjes së popullit shqiptar dhe si të tilla duhet të marrin përgjigjen e merituar nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore.

“Krimet e Serbisë duhet të përballen me drejtësinë. Kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet”, theksoi Osmani.

Në përfundim të mesazhit të saj, presidentja bëri thirrje për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përkushtim të vazhdueshëm në kërkimin e drejtësisë për viktimat

Kliko ketu per postimin e plote

Komuna e Prishtinës largon ekspozitën për masakrat, Braha: Përmbajtje e pasaktë dhe e pavërtetë

Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për largimin e tabelave të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, pasi ka konstatuar përmbajtje të pasaktë në disa prej materialeve të ekspozuara.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, tha se vendimi për largimin e ekspozitës ka ardhur pas revokimit të lejes për shkak të pasaktësive që, sipas tij, kanë ndikuar në kujtesën historike dhe kanë shkaktuar reagim publik.

“Komuna e Prishtinës ka revoku pëlqimin për ekspozimin e materialeve prej librit të Shkëlzen Gashit, të cilat kanë qenë të parapara prej datës 24 mars deri me datën 7 prill, në përkujtim të masakrave që kanë ndodhë në Kosovë. Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqë, në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave edhe kanë kriju një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik. Prandaj e kemi revoku edhe sot është marrë menjëherë aksioni për heqjen e tyre nga sheshi”, tha ai.

Ai shtoi se komuna nuk kishte bërë paraprakisht verifikim të materialeve të ekspozuara.

“Jo, ne s’kemi bo kontroll të materialeve. Nuk kemi censurë, nuk jemi Gestapo për me bo diçka të tillë. Materialet kanë qenë të financuara ose të sponzorizuara edhe nga institucionet tona shtetërore, prandaj s’e kemi pa të arsyeshme me hy në detaje të tilla. Edhe nuk e kemi mendu që dikush prej shoqërisë tonë mundet me shku në nivele të tilla që me dhënë të pavërteta kaq të ndjeshme”, tha ai.

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Visar Ballovci, tha se përmbajtja e ekspozitës nuk përputhet me realitetin që ai dhe të tjerët e kanë përjetuar.

“I kom përjetuar me shokë e dashamirë, krejt çka i kom pas atje. Edhe kjo ekspozitë që e ka qitën në reklamë, nuk përputhet në atë kuptimin me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës. Ne e kemi përjetuar live këto. Çdo send që kemi pas, kanë qenë paramilitarë që kanë kryer krimin e parë në atë kuptimin, që e kanë bo masakrën e Dubravës mbi 144 janë të vrarë, dhe 200 e diçka janë të plagosur, pa këmbë, pa veshë, pa sy, e pa krejt. Ai si e deklaroj, si e demantoj, kishe që prej Natasha Kandiqit e ka marrë prej asaj shkinës, m’fal n’shprehje. Kërkoj falje, po Është puna që më interesant ajo se na që jemi live edhe që kemi mbijetuar edhe që jemi live të masakrës së Dubravës”, tha ai.

Ai shtoi se viktimat nuk kanë qenë të armatosura dhe se ngjarja është dokumentuar edhe nga burime ndërkombëtare.

“Përkundrazi, kanë qenë paramilitarë të armatosur. Janë edhe incizimet e NATO-s, se më së pari edhe prej NATO-s i kemi bombardimet e para që janë bo 22 janë prej NATO-s që kanë gjuajt, por janë satelitorë, krejt ato edhe kam qenë edhe në Strasburg, kam qenë për para 3 viteve kom qenë, që më kanë thënë që nuk ka, veç duhet shteti me bo. Ne me pas qenë(të armatosur), në atë kuptimin, kishim bo diçka me shpëtu vetën. Por asnjë send se kemi pas. Tre herë kam qenë unë vet në pushkatim edhe kam nejt nëpër xhenaze të të vrarëve aty. Edhe që kemi pas, kemi pas shumë tortura të mëdhaja që s’ta merr mendja, që gjuajshin qaq që s’mujsha me parashiku çfarë gjuajtje bëjshin. Edhe çfarë masakre bëjshin”, tha ai.

Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës,. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.

Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.

Fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.

Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera.

Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë.

Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga lista

Puntorët e Komunës heqin nga sheshi tabelat e ekspozitës me pasaktësi për viktimat

Punëtorët e Komunës së Prishtinës kanë hequr sot të gjitha tabelat e ekspozitës për masakrat e ndodhura në Kosovë, pasi në to janë evidentuar pasaktësi të mëdha.

Ky aksion i Komunës ishte paralajmëruar sot përmes një komunikate për media.

Kreu i Komunës Perparim Rama të premten mbrëma kishte thënë se s’ka vend për një ekspozitë të tillë në sheshin e Prishtinës.