Mar. Mar 31st, 2026

Lajme nga Vendi

Nagavci: Osmani nuk i ka votat për presidente

Arbërie Nagavci, kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha në një intervistë për Euronews Albania se LVV si subjekti më i madh parlamentar në Kosovë do të vijojë përpjekjet për ta bërë vendin me president.

Nagavci u shpreh se Vjosa Osmani nuk i ka votat e nevojshme për t’u rizgjedhur presidente, ndërsa theksoi se nga ana e Vetëvendosjes nuk ka asnjë hatërmbetje karshi saj.

“Gjatë kësaj kohe është diskutuar shumë për zonjën Osmani, ne ja kemi bërë me dije se nuk janë 80 deputetë të qëndrojnë në sallë, që nuk e mbështesin edhe për një mandat. Kemi pasur deklarata publike, ka edhe deputetë të LDK që nuk e mbështesin, ajo nuk i ka votat për t’u rizgjedhur. Duhen firmat, PDK e ka bërë të qartë që nuk e mbështet, edhe brenda LDK nuk kanë qenë të gjitha nënshkrimet. E kemi bërë të qartë që nuk kemi pasur hatërmbetje, kemi pasur një raport shumë korrekt institucional, Osmani duhet të shprehë publikisht falenderimet për këtë bashkëpunim”, tha Nagavci.

Ajo tregoi se LVV ishte e detyruar të propozonte 2 kandidatë që u paraqitën në seancën e 5 marsit, duke qenë se opozita refuzoi të paraqiste një kandidat me gjithë gatishmërinë e LVV për të dhënë firmat për ta.

Sipas Nagavcit, qëllimi i LVV është që t’i japë vendit një president konsensual dhe të shmangë një palë zgjedhje të tjera që siç tha, nuk do ta zgjidhnin krizën.

“LVV ka nominuar 2 kandidatë për president që të plotësohen kushtet formale, përpara kësaj kemi pasur një valë përpjekjesh që mos vinim te situata që ndodhi në 5 mars ku nuk u arrit kuorumi. Kurti ka pasur takime të vazhdueshme me të dy liderët e partive opozitare që të gjendet një kandidat konsensual që do të merrte mbështetjen e deputetëve dhe të arrihet kuorumi prej 80 deputetësh. Kur pamë që nuk ka gatishmëri për një kandidat nga opozita prezantuam kandidatin e dytë në mënyrë që të vijohej me procesin.

Seanca në datë 5 nuk është mbyllur por është ndërprerë ndaj nuk quhet një seancë e ezauruar, janë së paku 60 ditë kur mund të përsëritet ky proces deri në zgjedhjen e presidentit. Që të fillojë procesi, cilido nga kandidatët duhet të ketë të paktën 30 nënshkrime, asnjë s’i ka pasur deri tani veç LVV. Ne kemi qenë të gatshëm të japim nënshkrimet tona për kandidatët e opozitës. Qëllimi ka qenë që të gjejmë një kandidat konsensual, kemi qenë të gatshëm të diskutojmë”, tha ajo.

Hoti kërkon që Serbia t’i hapë arkivat për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se masakra në Krushë të Vogël ishte krim i organizuar nga strukturat shtetërore serbe, duke kërkuar njëkohësisht që Serbia të hapë arkivat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka theksuar se edhe pas shumë vjetësh, dhimbja e familjarëve mbetet e njëjtë, sidomos për shkak të mungesës së informacioneve për të zhdukurit, ndërsa ka përmendur edhe rivarrimet e fundit të viktimave si dëshmi të plagës së hapur.

“Serbët vranë dhe masakruan 113 shqiptarë. Familje të tëra u shkatërruan, një fshat i tërë u godit në mënyrë sistematike. Këto nuk ishin akte të rastësishme. Këto ishin krime të organizuara nga strukturat shtetërore serbe. Në këtë vend, më 26 mars, u pa qartë dallimi mes njerëzores dhe barbarisë. Forcat serbe masakruan burra, pleq dhe fëmijë dhe tentuan të zhdukin çdo gjurmë të krimit”, tha ai.

“Dhe për mua, Krusha e Vogël jo vetëm që nuk shkon duke e lehtësuar dhimbjen e saj, por vazhdon të i trazohet e njëjta edhe me mungesën e 60 familjarëve të tyre të zhdukur, ku para katër vjetësh ne i kemi rivarrosur shtatë martirë tashmë të kombit, dhe sot po e bëjmë edhe një martir tjetër të kombit të Kosovës”, tha ai.

“Rasti i familjes së Nuredin Shehut e tregon faktin qartë përmasën e kësaj tragjedie. Ai vëlla, Ajvaz Nuredin Shehu, ishte vetëm 15 vjeç. Një fëmijë që pa me sytë e tij tmerrin e asaj dite”, tha ai.

Haradinaj bënë thirrje për forcimin e ushtrisë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për fuqizimin e ushtrisë dhe ruajtjen e marrëdhënieve të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë si mënyrën e vetme për të parandaluar përsëritjen e masakrave si ajo e masakrës së Krushës së Madhe.

Gjatë homazheve në 27-vjetorin e kësaj ngjarjeje, Haradinaj theksoi se suksesi i shtetit dhe forcimi i institucioneve të sigurisë përbëjnë “hakmarrjen” më të mirë ndaj së kaluarës së dhimbshme.

“Besoni është krejt e llogjikshme aq që me shpreh shqetësim pse nuk ndodh drejtësia, njëkohësisht është e drejtë pra me shpreh shqetësim si ka mundësi që ende me u gjyku UÇK-ja”, ka thënë Haradinaj.

Ai shtoi se rruga e vetme mbetet fuqizimi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, duke nënvizuar rëndësinë e aleancave ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n dhe SHBA-në.

“Na nuk mundemi me u përballë të vetëm me një armik që është jo vetëm sa na, o ashtu ma i madh se na, po që ka edhe miq. Na për siguri, mos me na u përsërit Krusha, e Krushat e tjera, duhet me e mbajt fort me Amerikën. Kush ju thotë ndryshe ta dini që ose ka diçka o ka ju thotë, ose o ka e di po s’e ka për të mirën e këtij populli, e këtij vendi, kurrë s’ka me e pas. Se e dini vetë qysh jemi kthye njëherë në tokën tonë mos me pas qenë Amerika dhe NATO-ja”, ka thënë Haradinaj.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, domosdomshmëri thotë Gërvalla

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është vetëm një aspiratë, por domosdoshmëri.

Këtë ia ka thënë në takimin që ka pasur me shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey. Gërvalla thotë se Kosova është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Ky përkushtim nuk mbetet në deklarata. Përmes funksionalizimit të byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si instrument kyç në luftën kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe krimit të organizuar, garantohet se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin, si dhe përmes zbatimit të strategjisë për sundimin e ligjit, që synon institucione më të forta dhe besim më të madh qytetar”, tha ajo.

Në të njëjtën kohë, thotë Gërvalla, trajtimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore mbetet prioritet i pakompromis, që kërkon reagim të koordinuar dhe veprim të qëndrueshëm institucional.

“Republika e Kosovës jo vetëm që përmbush standardet e Këshillit të Evropës, por qëndron si dëshmi e gjallë e vlerave që kjo organizatë mbron. Për këtë arsye, vendi meritor i republikës sonë në këtë organizatë nuk duhet të vonohet më”, thotë ministrja e Drejtësisë.

Osmani nuk deklarohet për vendimin e Kushtetueses

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk ka dashur ta komentonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është marrë dje në lidhje me dekretin e saj, për shpërndarjen e kuvendit.

Ajo tha se janë deklaruar për këtë çështje.

“Për tema të tjera tashmë jemi deklaruar. Faleminderit për mirëkuptimin…! Jemi deklaruar për këto çështje, ju lus për mirëkuptim dhe respekt të masakrës….”, tha ajo.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë, më 5 mars.

Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.

Nga presidenca e Kosovës e mirëpritën vendimin dhe thanë se është konstatuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, kuvendi shpërndahet. Sipas vendimit, pas shpërndarjes “ex constitutione” (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45-ditësh.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet qeveria, nëse për shpërndarjen e kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60-ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e kuvendit.

Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të qeverisë.

KFOR kryen inspektim në minierën e Trepçës

Specialistët e Sigurisë së Eksplozivëve të Forcës së Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO, nën koordinimin e Xhenierëve të Përbashkët të Shtabit të KFOR-it (HQ J-Eng), kryen një inspektim të përbashkët të sigurisë së bashku me inspektorët e armëve dhe municioneve nga Departamenti për Siguri Publike (DPS), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe inspektorët e eksplozivëve në miniera nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (ICMM), në minierën e Shoqërisë Aksionare Trepça në Stantërg/Stari Trg.

Ky aktivitet i rregullt, sipas KFOR-it, dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të bashkëpunuar me institucionet vendore, duke forcuar partneritetet dhe duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

KFOR thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë.