Mar. Mar 31st, 2026

Lajme nga Vendi

Komisioni për Buxhet mblidhet sot, në rend dite miratimi i buxhetit të Zubin Potokut

Komisioni për Buxhet në Kuvendin e Kosovës do të mblidhet të premten në orën 14:00, ku në rend dite janë disa pika financiare dhe projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë.

Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit do të shqyrtojnë fillimisht miratimin e rendit të ditës dhe procesverbalin e datës 13.02.2026, për të vijuar më pas me shqyrtimin e Buxhetit të Komunës së Zubin Potokut për vitin 2026.

Po ashtu, në rend dite janë edhe disa projektligje për kredi ndërkombëtare.

“Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë “projekti i rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë” (kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës;

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale;

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujeve”

7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin e Efiçencës së Energjisë në ndërtesa publike”, thuhet në njoftim.

Në fund të mbledhjes është paraparë edhe pika “të ndryshme”.

Rruga Pejë-Kullë-Rozhajë, e kalueshme për të gjitha automjetet

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar se rruga Pejë-PKK Kullë-Rozhajë dhe anasjelltas është e kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar, rruga është pastruar nga bora, megjithatë, për shkak të reshjeve që ende po vazhdojnë, të domosdoshme janë pajisjet dimërore.

“Ju njoftojmë se pas komunikimit me Policinë e Malit të Zi në Kullë, rruga Pejë-PKK Kullë-Rozhajë dhe anasjelltas është e KALUESHME për të gjitha llojet e automjeteve, pasi që është pastruar nga bora, mirëpo për shkak të reshjeve që ende po vazhdojnë, të domosdoshme janë pajisjet dimërore”, thuhet në njoftim.

Erërat e forta rrëzojnë pemët në Vlorë

Era e fortë ka shkaktuar një incident pranë shkollës “Marigo Posio” në Vlorë, ku një pemë është rrëzuar duke dëmtuar një automjet të parkuar në afërsi.

Si pasojë, pema ka shembur edhe një pjesë të murit rrethues të shkollës, përpara se të përfundonte mbi makinën, duke shkaktuar dëme materiale, shkruan Top Channel.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit, të cilët kanë bërë të mundur prerjen dhe largimin e pemës, si dhe lirimin e rrugës për qarkullimin normal të mjeteve.

Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar.

Rreziku për zgjedhje të reja, deputetët të paktën 34 ditë kohë për marrëveshjet ndërkombëtare

Për dy javë pushuan.

Por të zgjedhurit e popullit tashmë mund t’i kthehen punës në kuvend, të paktën edhe për 34 ditë.

Brenda kësaj kohe, deputetët i pret një sfidë që përcakton mandatin e tyre në tempullin e demokracisë.

Andaj para se vendi të rrezikoj shkuarjen në zgjedhje, vlerësohet se deputetët duhet që me nxitim, ti përfundojnë disa marrëveshje ndërkombëtare që vendit i sjellin goxha para.

“Ka disa marrëveshje ndërkombëtare që presin ratifikimin në kuvend dhe vlera totale e tyre shkon mbi 100 milionë euro dhe kjo është padyshim një nga rëndësinë më të mëdha për shtetin duke qenë në situatën gjeopolitike ku jemi çdo ditë e më shumë bëhet e vështirë qasja në financat ndërkombëtare, madje është marrëveshja për anëtarësim në bordin e paqes e cila është me rëndësi”, ka thënë Besar Gërgi –hulumtues në GLPS

Me rëndësi jetike sipas Besar Gërgit nga GLPS, konsiderohet edhe kalimi i disa projektligjeve, si parakusht që Kosova të përfitoi fonde.

“Ligjet që kanë lidhje me planin e rritjes duke qenë që ka fitim të drejtpërdrejt financiar nga zbatimi i reformave që parashihen aty dhe janë një sur ligjesh siç është kodi civil, ligji për statusin e falimentimit, ligjet e energjisë”, thotë ai, raporton Teve1.

Sipas profesorit Fadil Maloku, veç marrëveshjeve kuvendi duhet të vazhdoj edhe me mbikëqyrjen e institucioneve, përmes komisioneve parlamentare.

“Në qoftë se ashpërsohen rrethanat e jashtme që kanë refleksion edhe në proceset e brendshme, munden me sjellë pasoja dhe probleme të natyrave të ndryshme ekonomike e politike”, thotë Maloku.

Aktualisht, janë 33 institucione te pavarura, që deri në fund të marsit, duhet ti dorëzojnë raportet e tyre në kuvend, ndërkohë që janë edhe mbi 30 pozita që duhet të plotësohen nga Kuvendi apo institucione ku Kuvendi duhet të delegojë anëtarët e zgjedhur.

Aksident në afërsi të kazermës së FSK-së në Prishtinë

Një aksident trafiku mes një kamioni transportues dhe një veture ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, te rrethi i FSK-së,

Vetura ka përfunduar në mes te rrethit në hapësirën gjelbëruese, ndërsa përreth kamionit policia ka vendosur shirita sigurie.

Dëmet materiale janë të konsiderueshme ndërsa nuk dihet ende për gjendjen shëndetësore te personave të përfshirë në aksident

Hamza: Pas diskutimeve në organet e partisë do të zyrtarizojmë qëndrimin, nuk ka ftesë nga Kurti

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë me dije se kjo parti e respekton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Para fillimit të mbledhjes së Kryesisë, ai ka thënë se vetëm pas diskutimeve në organet drejtuese PDK-ja do të marrë një qëndrim në lidhje me çështjen e presidentit.

“Ne jemi shpreh qartë që Partia Demokratike e Kosovës e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse në këtë vend duhet të respektohen vendimet e gjykatave, posaqerisht të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai, duke paralajmëruar së PDK-ja do ta mbledh edhe Këshillin Drejtues.

“Sot kemi mbledhje të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, ditëve në vijim presim me pas edhe mbledhje të Këshillit Drejtues. Do t`i diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe sigurisht se mbi bazën e vendimeve të organeve të PDK-së ne do të dalin zyrtarisht me qëndrimin tonë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

Gjithçka që flasim para diskutimeve në organet e partisë nuk është e duhura, sepse ato janë për me i disku, me i debatu, me marr vendime dhe me qendru në këto vendime”, është shprehur ai.

Ai ka treguar se deri me tani nuk ka marrë ndonjë ftesë për takim me Kurtin.

“Nuk ka ftesë”, ka thënë ai.