Mar. Mar 31st, 2026

Lajme nga Vendi

LDK-ja mban sot një konferencë para KEDS-it për tarifat e rrymës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media të premten në orën 11:30, para objektit të KEDS-it dhe KESCO-s.

Kjo konferencë vjen pas deklaratave të zyrtarit të LDK-së, Visar Azemi, i cili ka ngritur shqetësime për mënyrën se si po maten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas Azemit, një hulumtim i realizuar nga kjo parti, ku janë testuar mbi 800 njehsorë në Prishtinë dhe Ferizaj, ka treguar se 87 për qind e tyre nuk e matin kohën në mënyrë të saktë, duke bërë që qytetarët të paguajnë më shumë, përkatësisht me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve kur duhet të aplikohet tarifa e lirë.

Ai e ka cilësuar këtë si mashtrim dhe ka kërkuar dorëheqjen e bordit të ZRRE-së, si dhe nisjen e hetimeve penale.

Nga ana tjetër, KEDS-i ka reaguar duke theksuar se njehsorët elektrikë janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare, duke mohuar çdo pretendim për matje të gabuar të energjisë elektrike.

Arrestohet i dyshuari për tentativë vrasje në Gjilan, ishte në arrati

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, lidhur me një rast që kishte ndodhur më 18 mars.

Sipas raportit policor i dyshuari është kapur më 26 mars rreth orës 15:50, pasi kishte qenë në arrati që nga dita e incidentit.

Pas arrestimit, ai është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit.

Me vendim të prokurorit kujdestar, i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes për procedura të mëtejme ligjore

Vazhdon edhe sot seanca ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

Edhe gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Gjatë seancës së djeshme, Naim Murseli ka deklaruar se grabitësi kërkoi vetëm telefonat dhe paratë nga ta.

“Njëri fëmijë ka qenë ulur mbrapa meje, tjetri pas Liridonës. Nëse më kujtohet, nuk kanë qenë të lidhur. Ata kanë dalë nga dera e njëjtë”, deklaroi Murseli.

Po ashtu I akuzuari, Granit Plava para trupit gjykues dha detaje lidhur me ngjarjen që çoi deri në vrasjen e Liridona Ademajt.

Plava tha se me Naim Murselin kishte pasur komunikim përmes telefonit në “Whatsapp”.

“Kemi fol përmes telefonit në Whatsapp dhe Naimi për një moment më ka shkruar: çu se u çum. E kam pa Naimin që me kerr u nis poshtë, nuk e di sigurtë a ka qenë kerri i tij, unë u nisa me shku për Gjakovë, nuk kam bërë as 10 minuta rrugë më ka thirrë në telefon duke më thënë: ku je, ku je…Pas dy tre minutave ka ardh Naimi… Si e ka pa kerrin tem u ndal te unë edhe shpejtë ma ka gju armën edhe ka thënë ik zhduku. Unë e kam dëgju krismën”, tha Plava.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në ora 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Seanca nis nga ora 09:30.