Rama paralajmëron masa të rrepta: Do të mbyllen të gjitha vendpunishtet
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në kryeqytet do të formohet “Komisioni për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishtjeve”, pas shqetësimeve për gjendjen në terren dhe sigurinë publike.
Sipas tij, komisioni i përbërë nga ekspertë të urbanizmit, inxhinierë të licencuar dhe përfaqësues të emergjencave, do të nisë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Prishtinë.
Rama ka theksuar se çdo vendpunishte ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllet menjëherë, ndërsa do t’i nënshtrohet një analize institucionale që mund të çojë deri në revokim të lejes së ndërtimit.
Njoftimi i plotë:
DO TË MBYLLEN TË GJITHA VENDPUNISHTET N’KRYEQYTET!
I shqetësuar me gjendjen aktuale në terren dhe me qëllim të rritjes së sigurisë publike, sot në mëngjes kam ftu drejtorët e Kryeqytetit dhe marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të GJITHA vendpunishteve në territorin e Kryeqytetit”
Ky komision, i përbërë nga ekspertë të fushës së
•urbanizmit
•inxhinierë të licencuar
•përfaqësues të emergjencave, do të fillojë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Kryeqytet.
Pas pranimit të këtij raporti, dua të jem shumë i qartë:
Të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë!
Ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit!
Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës.
Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin.
