Die. Mar 29th, 2026

Lajme nga Rajoni

Ramadani: Arbnor Spahiu duhet të përkrahet me të gjitha mjetet institucionale e diplomatike

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani ka bërë thirrje që ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu i cili po mbahet në burgun e Serbisë të përkrahet me të gjitha mjetet institucionale e diplomatike.

“Arbnor Spahiu, ish-polici i Kosovës, duhet të përkrahet me të gjitha mjetet institucionale e diplomatike. Ai po mbahet peng në Serbi për muaj të tërë”, ka shkruar Ramadani.

Ndërkohë që sot me fillim nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet një protestë paqësore në mbështetje të ish-policit Arbnor Spahiu.

Kërkesa e vetme e kësaj proteste, është lirimi i tij nga paraburgimi në Serbi, ku po mbahet tash e katër muaj. Në njoftimin e familjes Spahiu, thuhet se kjo protestë ka për qëllim t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ngrisin zërin kundër padrejtësisë.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ishte ndaluar me 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi. Autoritetet e drejtësisë në Serbie e akuzojnë atë për gjoja kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.

Sipas tyre, Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë të Zveçanit, pra me 23 shtator 2023, në kohën kur një grup terroristësh serb të armatosur në krye me kryekriminelin Milan Radoiçiqin sulmuan policinë e Kosovës e ku e vranë rreshterin Afrim Bunjaku

Aksident i rëndë në Prishtinë, përplaset vetura me motoçikletë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Prishtinë.

Siç merr vesh Indeksonline në këtë aksident të rëndë trafiku janë përfshirë një veturë dhe motoçikletë.

Aksidenti ka ndodhur në rrgugën ”Rrustem Statovci” afër parkut të qytetit.

Indeksonline merr vesh se në këtë aksident të rëndë trafiku lëndime të rënda ka pësuar edhe shoferi.

Organizohet protestë për lirimin e Arbnor Spahiu, i cili u arrestua në Serbi

Shteti serb ka mbajtur në paraburgim prej disa muajsh ish-oficerin e Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu.

Spahiu, sipas Serbisë, dyshohet se e ka kryer këtë krim në pjesën veriore të Kosovës, në Banjskë, ku një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në shtator 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Lidhur me këtë, sot në Prishtinë do të mbahet një protestë duke filluar nga ora 12:00.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet në Sheshin “Skëndërbeu”.

Sipas familjarëve, kjo protestë synon t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të ngrenë zërin kundër padrejtësisë me të cilën përballen Arbnori dhe familja e tij prej katër muajsh

Në Speciale këtë javë dëshmojnë dy dëshmitarë të mbrojtjes

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (Specialja) në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku do vazhdojë paraqitja e provave të mbrojtjes me thirrjen e dëshmitarëve në këtë rast të gjykimit. Specialja njofton se në këtë çështje gjyqësore pritet që dy dëshmitarë të japin dëshmi në sallë të gjyqit këtë javë.

Gjatë dy javëve të kaluar kanë dëshmuar tre dëshmitarë të thirrur nga Mbrojtja. John Duncan ishte dëshmitari i tretë i cili ishte një ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe. Ai dha dëshmi kryesisht në seancë publike.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte, Trupi Gjykues më 18 shtator urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

Trupi Gjykues gjykoi se lirimi i të akuzuarve në posedim të informacionit të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi tashmë ose të atyre që mund të dëshmojnë në procese paralele. Në rastin e z. Selimi, Trupi Gjykues rikujtoi se duket se z. Selimi nxori informacion konfidencial për palë të treta të paautorizuara, çka përforcoi konstatimin e Trupit Gjykues se ekziston rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit.

Sipas mendimit të Trupit Gjykues, rreziqet e identifikuara mund të zvogëlohen vetëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Trupi Gjykues mbajti parasysh se të akuzuarit gjenden në paraburgim për një kohë të gjatë, por vazhdimin e paraburgimit e gjykoi të arsyeshëm bazuar në faktet se ndaj të akuzuarve janë ngritur akuza për krime të rënda ndërkombëtare, ku pretendohet se ata luajtën rol të rëndësishëm dhe mund të përballen me burgim të gjatë në qoftë se shpallen fajtorë.

Dita e 18-të e fushatës

Sot në vendin tonë do të zhvillohet dita e 18-të e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Partitë politike dhe liderët do të vizitojnë qytetet e ndryshme për të zhvilluar aktivitete të ndryshme bashkë me qytetarët

Aktivitetet:

18:00

Nisma Socialdemokrate vazhdon fushatën për zgjedhjet lokale në Mitrovicë (Restoranti Vapiano, Mitrovicë)

19:00

Lidhja Demokratike e Kosovës mban tubim elektoral në Prishtinë Dega IV. (Salla e Kuqe/Pallati i Rinisë)

19:00 – 20:30

Fushata zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës:

19:00 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Lipjanit. (Shkolla Fillore “Vëllezërit Frashëri”, Salla e sportit)

19:00 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Prishtinës. (Shkolla Fillore “Pavarësia”, Mati 1)

20:30 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Drenasit. (Shkolla Fillore “Luigj Gurakuqi”)

Sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese

Masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese përfundon sot.

Që nga 5 shtatori, kjo masë i ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe procedurat për formimin e Qeverisë.

Me anë kësaj, Kushtetuesja vlerësonte se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.

Tutje, kjo gjykatë vlerësonte se në kuptim të përcaktimeve të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kjo ndalesë ndërmarrë pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit, rrjedhimisht votimin e nënkryetarit që i takonte komunitetit serb.