Die. Mar 29th, 2026

Lajme nga Rajoni

Zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë cilësohen si betejë gjeopolitike dhe çështje sigurie kombëtare

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka mbajtur Forumin me temën “Demokracia nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”, ku përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e integritetit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke paralajmëruar për ndikime të jashtme dhe të brendshme që mund të cenojnë procesin demokratik

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se Kosova gjendet në shënjestër të operacioneve kërcënuese.

“Në fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit, Kosova vazhdon që të jetë një terren i operacioneve kërcënuese jo vetëm me propagandë dhe narrativa nxitëse por edhe me ndërhyrje politike dhe financiare. Rasti i Moldavisë e sidomos shembujt e tjerë si Rumania e Gjeorgjia na tregojnë se zgjedhjet sot janë arenë e përplasjeve gjeopolitike, janë beteja të heshtura ndërmjet demokracisë dhe hegjemonisë, të së vërtetës dhe propagandës. Në këtë betejë është edhe Kosova për shkak të Serbisë militariste që vepron për rrënimin dhe destabilizimin e saj. Si qendër rajonale e ndikimit rus ajo përdor instrumente të njëjta si dezinformimin, rrjetin fetar, manipulimin kibernetik dhe ndërhyrjet politike dhe financiare për të rritur polarizimin, përçarjen dhe mosbesimin e qytetarëve serbë në procesin zgjedhor. Në këtë kontekst, sot Kosova përballet me sfidën e qëndrueshmërisë demokratike dhe me integritetin e zgjedhjeve si çështje të sigurisë kombëtare, 12 tetori nuk është vetëm ditë votimi është betejë për rendin dhe vlerat euroatlantike, për sigurinë dhe sovranitetin politik”, tha Fetoshi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka theksuar se Kosova ka dëshmuar maturi zgjedhore ndër vite, por që ka potencuar se situata mbetet e brishtë dhe duhet të mbrohet.

“Kosova në historinë e saj ka ditë të thotë fjalën e saj sa I takon zgjedhjeve. Zgjedhjet kanë pasë një maturi, qoftë nga ana e qeverive të ndryshme që e kanë drejtuar, por edhe nga ana tjera te partitë. Jemi koishient dhe jetojmë në Kosovë dhe shohim me sy tanë dhe dëgjojmë me veshët tanë që kemi një fushatë qytetare, kemi një fushatë e cila në fund të fundit nga ana e partive shqiptare nuk ka agresivitet apo përmban elemente që do të acaronin situatën dhe kjo është për të përgëzuar dhe ne kemi qenë të kënaqur me zgjedhjet e kaluara. Por megjithatë kalojmë një moment që nuk do ta donim, kjo që po kalon Kosova në mungesë të institucioneve të reja, që dëshirojmë të krijohen sa më shpejtë. Të gjithë jemi dakord për një gjë se kemi një demokraci të brishtë dhe ne duhet të jemi në mbrojtje të saj. Zgjedhjet në fakt janë ato që e përcaktojnë drejtimin dhe garantojnë të ardhmen demokratike të Kosovës. Pa dyshim ajo çka ndodhi në Moldavi tregon për një kahje pozitive dhe një moment të mirë për Evropën ku pati një mbështetje shumë interesante. Ishte një frikë që ekzistonte e ishte reale sulmet ishin shumë të mëdha nga ana e Rusisë dhe nga ana tjetër patën fitoren bindëse të presidentes e cila kontribuon në kahjen e Moldavisë dhe vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Malaj.

Malaj ka bërë thirjre edhe për kujdes nga sulmet hibride, duke shtuar se rajoni ka nevojë për stabilitet.

“Ajo që e mundon Kosovën është sfida në veriun e saj dhe tregon që demokracia është nën kërcënimin e saj vetë, do të thoja zgjedhje të lira, vetëm zgjedhjet e ndershme janë ato që përcaktojnë rrugën. Kemi parë e kemi dëgjuar momente të veçanta që mund të sjellin situate që askush nuk do t’i donte por do të thoja që Kosova është në një proces i cili në fakt kërkon mbrojtje dhe përkushtim të gjithçka je që ka arritur. Rajoni ka nevojë për stabilitet dhe stabiliteti vjen nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nuk duhet të biem pre e sulmeve kibernetike të mëbshtetura nga kushdo. Kosova do të di të I bëjë ballë”, u shpreh ai.

Nga Ambasada e Gjermanisë, Payam Ghalehdar, tha se zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por një ngjarje e cila shihet me rëndësi të madhe ndërkombëtare.

“Dua të theksoj vetëm disa pika. Së pari, unë ndaj vlerësimin se zgjedhjet, madje edhe në vende të ashtuquajtura të vogla si Kosova, janë sot një fushëbetejë gjeopolitike. Pra, Kosova është në një situatë delikate. Ne kemi zgjedhjet lokale që po afrohen në tetor, më 12 tetor, dhe t’i quash ato zgjedhje lokale në fakt është një term i gabuar, pikërisht sepse shohim sa të rëndësishme janë këto zgjedhje, jo vetëm në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të aktorëve të tjerë. Prandaj është shumë e rëndësishme të ruhet dhe të mbahet integriteti i zgjedhjeve, të sigurohet që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe unë ndaj vërejtjet e ambasadorit shqiptar se kohët e fundit zgjedhjet këtu në Kosovë në fakt i janë përmbajtur këtij premtimi. E pamë këtë në shkurt, në nivel kombëtar. Dhe megjithatë është shumë e rëndësishme që të sigurohet që edhe në zgjedhjet që po afrojnë, kjo do të vazhdojë”, tha ai.

Ai shtoi se kërcënimet ndaj procesit zgjedhor vijnë edhe nga brenda vendit.

“Gjithashtu, do të doja të theksoja se kur flasim për zgjedhje dhe demokraci dhe sundimin e ligjit, është po aq e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendje asaj që ndodh brenda vendit. Pra, kërcënimet ndaj integritetit të zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit nuk vijnë vetëm nga jashtë, por mund të vijnë edhe nga brenda. Dhe ne kemi vërejtur përpjekje për të, për shembull, përjashtuar disa parti nga zgjedhjet e ardhshme. Dhe sipas mendimit tonë, kjo është për të ardhur keq. Është e rëndësishme që të lejohen të gjithë aktorët të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe që qytetarët e Kosovës të votojnë për partitë për të cilat duan të votojnë”, tha Ghalehdar.

Nis procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon Jock Covey

Ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sot në Dhomat e Specializuara të Hagës do të dëshmojë Jock Covey. Ai do të japë dëshminë për 2 deri në 3 ditë.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte, trupi gjykues, më 18 shtator urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra të tjera penale.

Trupi gjykues gjykoi se lirimi i të akuzuarve në posedim të informacionit të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi tashmë ose të atyre që mund të dëshmojnë në procese paralele. Në rastin e z. Selimi, trupi gjykues rikujtoi se duket se z. Selimi nxori informacion konfidencial për palë të treta të paautorizuara, çka përforcoi konstatimin e trupit gjykues se ekziston rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit.

Sipas mendimit të trupit gjykues, rreziqet e identifikuara mund të zvogëlohen vetëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Trupi gjykues mbajti parasysh se të akuzuarit gjenden në paraburgim për një kohë të gjatë, por vazhdimin e paraburgimit e gjykoi të arsyeshëm bazuar në faktet se ndaj të akuzuarve janë ngritur akuza për krime të rënda ndërkombëtare, ku pretendohet se ata luajtën rol të rëndësishëm dhe mund të përballen me burgim të gjatë në qoftë se shpallen fajtorë.

Vrasja tinëzare e Sokol Osmanit në Gjilan, dalin dy të dyshuarit para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Gjilan po zhvillohet seanca gjyqësore lidhur me rastin e vrasjes së Sokol Osmanit, i cili u vra në mënyrë tinëzare në nëntor të vitit 2024 në Gjilan.

Sokoli ishte djali i vetëm i familjes Osmani dhe humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh në këtë familje.

Aktualisht, në paraburgim ndodhen dy persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje tragjike, Valmir Salihu dhe Florian Mitev.

Të dytë u vetëdorëzuan pas një periudhe të gjatë kërkimi nga Policia e Kosovës

Nis pagesa e taksave të makinave online, Kryeministri Rama: Një tjetër hap drejt lehtësimit të shërbimeve

Nga sot, qytetarët shqiptarë mund të paguajnë taksat e mjeteve të tyre përmes platformës e-Albania, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në sportele.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook e cilësoi këtë si një tjetër hap përpara në procesin e digjitalizimit të shërbimeve publike.

Kurti takoi kongresistin Ritchie Torres, flasin për për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi në Washington D.C. kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres.

Kurti e falënderoi kongresistin Torres për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës.

Ai e informoi për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si dhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon.

Në takim, Kurti theksoi aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si orientim dhe objektiva strategjike të Kosovës.

Kurti gjithashtu nënvizoi planet e mëdha investive në vend, përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e hovshëm të sektorit të teknologjisë dhe mundësitë që kompanitë amerikane të bashkëpunojnë e të investojnë në Kosovë

KQZ-ja synon rezultate të shpejta për kryetarë komunash dhe për kuvende komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po synon që në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor, të prezantojë dy lloje të rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale.

Rezultatet jopërfundimtare nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvende komunale, do të mund të transmetohen brenda pak orëve, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve nga KQZ-ja.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt, KQZ-ja kishte dështuar të transmetonte rezultatet preliminare të subjekteve politike për shkak të problemeve të paraqitura me platformën elektronike të rezultateve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress se gjatë përgatitjeve të zjedhjeve lokale janë trajtuar edhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky institucion në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Në përgjigje ndaj sfidave të paraqitura në zgjedhjet e fundit, të cilat ndërlidhen me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe evidentimit të tyre përmes softuerit, për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, KQZ-ja ndërmerr veprimet e nevojshme për zhvillimin e softuerit të ri për rezultate preliminare nga vendvotimet, rezultate nga qendrat komunale të numërimit dhe nga Qendra e numërimit dhe rezultateve”, tha Elezi.

I pyetur se çfarë të dhënash do të publikojë KQZ-ja në ditën e zgjedhjeve, Elezi tha se përveç rezultateve preliminare, në orare të caktuara publiku do të njoftohet edhe për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

“Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të subjeketeve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit. Prandaj, KQZ-ja po bën përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvende komunale. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo qendër votimi dhe vendvotim”, tha Elezi.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale nuk bëhet në vendvotime, por në qendrat komunale të numërimit. KQZ-ja ka caktuar nga një qendër të tillë për çdo komunë dhe do të jenë të vendosura kryesisht në palestra sportive