Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Rajoni

KQZ miraton procedurat për vëzhguesit e zgjedhjeve lokale

Në këtë mbledhje, KQZ emëroi gjithsej 15,505 anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve, duke përfshirë 14,305 anëtarë për 2,571 vendvotime të rregullta dhe 54 vendvotime me kusht, si dhe 1,200 anëtarë rezervë. Këshillat e Vendvotimeve do të jenë përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe qetësisë gjatë procesit të votimit dhe numërimit nën mbikëqyrjen e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, njofton zyra për informim e KQZ-së.

Procesi zgjedhor në Kosovë do të organizohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra për votimin e rregullt dhe 38 Qendra për votimin me kusht.

Gjithashtu, bëhet e ditur se KQZ miratoi procedurën standarde për të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në Zgjedhjet Lokale 2025. Kjo procedurë përcakton rregullat e sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve gjatë procesit të votimit dhe numërimit dhe do t’u dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ.

DASH: Kosova bëri përpjekje, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit me njerëz

Shtetet e Bashkuara e renditën Kosovën në nivelin 2 në raportin e fundit për trafikimin e qenieve njerëzore.

Kjo kategori përfshin vendet ku qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin me njerëz, por ende nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.

Në të njëjtën kategori renditen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

Raporti, i publikuar më 29 shtator nga Departamenti amerikan i Shtetit, vë në pah se Kosova ka intensifikuar përpjekjet për të luftuar trafikimin krahasuar me vitin e kaluar, duke përfshirë ndjekjen penale të një numri më të madh personash të dyshuar për trafikim dhe identifikimin e më shumë viktimave.

Gjithashtu, është rritur edhe financimi për mbështetjen e viktimave, si edhe fondi për kompensimin e tyre.

Megjithatë, qeveria nuk i ka përmbushur disa standarde minimale në fusha kyçe, ndaj Kosova mbetet në nivelin 2, sikurse edhe në raportimin e mëparshëm. Mangësitë kryesore përfshijnë: dënimin e paktë të trafikantëve dhe shqiptimin e dënimeve nën minimumin e parashikuar me ligj.

Raporti, gjithashtu, thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, trajtohen shpesh si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, duke ngritur shqetësime për identifikimin e pasaktë të viktimave.

“Qeveria nuk ka pasur kapacitet për të ofruar ndihmë afatgjate dhe ka ndarë më pak fonde për fushatat e ndërgjegjësimit”, thekson raporti.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit kujton se ligji në Kosovë penalizon trafikimin për qëllime seksuale dhe të punës me dënime deri në 15 vjet burgim, por thekson se zbatimi i tij ka qenë i mangët.

Vitin e kaluar, autoritetet ndoqën penalisht 17 raste të reja që përfshinin 49 trafikantë të dyshuar, krahasuar me tetë raste në vitin 2023, që përfshinin 10 trafikantë të dyshuar.

Autoritetet vazhduan të ndiqnin penalisht edhe gjashtë raste me 14 trafikantë të dyshuar, të iniciuara në vitet e mëparshme.

Por, gjykatat dënuan vetëm një trafikant seksual – një rënie kjo e madhe krahasuar me 14 trafikantë të dënuar në vitin 2023, thekson raporti.

Ai u dënua me tetë muaj burgim, që ishte nën dënimin minimal prej pesë vjetësh burgim.

Dënimet nën këtë minimum dëmtojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e krimit, thuhet në raport.

Por, krahas mangësive, dokumenti nxjerr në pah edhe përmirësimet në mbrojtjen e viktimave.

Gjatë vitit të kaluar u identifikuan 14 viktima, krahasuar me 17 viktima në vitin 2023, dhe shumica e tyre morën asistencë ligjore, mjekësore dhe psikologjike, këshillim, edukim dhe mbështetje për riintegrim.

Qeveria, sipas raportit, ka rritur financimin për këto shërbime, duke alokuar 150.000 euro për qendrën e sigurisë për viktimat e rrezikuara, krahasuar me 75.000 euro të ndara në vitin 2023.

Gjithashtu, fondi për kompensimin e viktimave është rritur në 200.000 euro vitin e kaluar, krahasuar me 150.000 euro në vitin 2023.

Për periudhën e ardhshme, raporti thekson se Kosova duhet të përforcojë dukshëm përpjekjet kundër trafikimit.

Mes rekomandimeve kryesore përmenden hetimi dhe ndjekja penale e trafikantëve dhe shqiptimi i dënimeve të rënda.

Raporti sugjeron, gjithashtu, trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë për identifikimin e trafikimit dhe qasjen e përshtatshme te viktimat.

Kapacitetet dhe financimet për qendrat sociale dhe strehimoret e organizatave joqeveritare, rekomandohet të rriten, ashtu si edhe mbështetja për trajnime profesionale dhe integrim të viktimave./REL/

Besnik Osmani viziton tregun e qytetit, premton investime në përmirësimin e infrastrukturës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka vizituar sot tregun e qytetit, ku është takuar me qytetarë, prodhues vendi dhe tregtarë lokalë.

Gjatë vizitës, Osmani theksoi rëndësinë që ka tregu si qendër ekonomike dhe kulturore për qytetin, ku takohen prodhimet e freskëta vendi me traditat e hershme të tregtisë.

“Pazari është vendi ku bashkohen prodhuesit e vendit me prodhime të freskëta e cilësore, por edhe shitësit e gjësendeve të vjetra që mbajnë gjallë traditën tonë. Këtu qytetarët bëjnë pazaret e tyre, ndajnë buzëqeshje dhe takohen me dashamirësi”, ka thënë Osmani.

Ndërsa ka thënë se tregu së shpejti do të marrë një pamje krejtësisht tjetër, me investimet që do të bëhen aty.

“Shumë shpejt, ky treg do të marrë pamje më të rregulluar, me tezga të përshtatshme dhe nyje sanitare moderne – duke u shndërruar në një hapësirë të rehatshme, dinjitoze dhe mikpritëse për të gjithë”, ka thënë Osmani.

“Emocionalisht i lodhur”, babai i ish-policit Arbnor Spahiu: Ai po vuan se po mbahet padrejtësisht në burg

Emocionalisht i lodhur, e i mërzitur nga padrejtësia. Kështu mes rreshtash ka treguar babai i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu për gjendjen e të birit, që po mbahet në burgun e Serbisë, e që po akuzohet për vrasje të rëndë, raporton Ekonomia Online. Fatmir Spahiu në protestën ku u kërkua reagim vendor e ndërkombëtar, ka treguar se e kanë dorëzuar dokumentet ku tregojnë qartazi që ai nuk ishte i angazhuar si polici në shtatorin e 2023.

“Me Arbnorin janë takuar shoqja dhe nëna e Arbnorit. Arbnori sa i përket gjendjes fizike është mirë, për shkak gjendjes emocionale dihet se është i lodhur, i mërzitur nga padrejtësia që po i bëhet, ndërsa me u maltretu nuk është maltretuar, sjellja ka qenë korrekte, mirëpo ai po e vuan atë pasi që është duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë. Policinë e Kosovës e ka lënë me një nëntor në 2022, ndërsa ky akuzohet për rastin që ka ndodhur me 24 shtator 2023 ka udhëtuar më herët, nuk është ndaluar. dokumentacionin e kam dorëzuar te avokati dhe avokati i ka dorëzuar në prokurori, institucionet janë angazhuar mirëpo ne kërkojmë që të angazhohen më tepër”, tha ai.

Organizatorja e protestës, Erëza Zeqiri, theksoi se prania e qytetarëve është dëshmi kundër padrejtësisë.

“Arbnori, një ish-polic i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj shërbimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, sot ndodhet padrejtësisht në burg në Serbi, i privuar nga liria dhe i ndarë nga familja e tij. Prania jonë këtu është më shumë se një mbështetje simbolike. Ajo është dëshmi se padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje. Ne jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk duhet të mbahet peng i padrejtësisë”, tha ajo.

Ajo shtoi se është e domosdoshme që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të marrin përgjegjësinë.

“I bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të angazhohen pa ndërprerje për lirimin e tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare – Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut – që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur”, tha Zeqiri.

Edhe familjarja e tij, Donjeta Spahiu, kërkoi që shteti i Kosovës të veprojë pa vonesa dhe të mos heshtë përballë kësaj padrejtësie.

“Ne i bëjmë thirrje institucioneve tona shtetërore që të mos heshtin, të mos vonojnë dhe të mos e neglizhojnë këtë rast. Heshtja e shtetit nuk është thjesht dështim, është një padrejtësi e dyfishtë. Është detyrë e shtetit të mbrojë çdo qytetar të tij, pavarësisht se ku gjendet ai. Sot, më shumë se kurrë, duhet të tregojmë se jemi një shtet që mbron qytetarët e vet”, tha ajo.

Duke iu drejtuar edhe faktorit ndërkombëtar, ajo theksoi nevojën urgjente për ndërhyrje.

“Po ashtu, sot duam të drejtohemi me forcë edhe te institucionet ndërkombëtare, ambasadat e vendeve mike, organizatat për të drejtat e njeriut. Ne ju bëjmë thirrje që të mos qëndroni të heshtur përballë kësaj padrejtësie. Heshtja juaj është peshë mbi shpatullat tona. Por zëri juaj, ndikimi juaj, është vendimtar. Ne kemi nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen tuaj jo nesër, por sot. Arbnori është simbol i një padrejtësie që mund t’i ndodhë kujtdo prej nesh”, tha ajo.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ishte ndaluar me 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi. Autoritetet e drejtësisë në Serbie e akuzojnë atë për gjoja kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.Sipas tyre, Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë të Zveçanit, pra me 23 shtator 2023, në kohën kur një grup terroristësh serb të armatosur në krye me kryekriminelin Milan Radoiçiqin sulmuan policinë e Kosovës e ku e vranë rreshterin Afrim Bunjaku.

Sezoni i ngrohjes, thirrje qytetarëve për përgatitje në kohë

Nga 15 tetori zyrtarisht fillon sezoni i ngrohjes 2025/2026 për shfrytëzuesit e përfshirë në sistemin e ngrohjes qendrore në qytetin Shkup, me të cilën menaxhon SHA EMV.

Në bazë të rregullores, sezoni i ngrohjes mund të fillojë edhe më herët, gjegjësisht nga 1 tetori, nëse parashikimi për temperaturë të jashtme mesatare për ditën e ardhshme është 12˚С ose më e ulët, sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike.

Në ueb-faqen e EMV – Furnizimi për çdo ditë do të publikohet informacioni se janë përmbushur kushtet për dërgesë së energjisë për ngrohje deri më 15 tetor.

Këto informacione do të publikohen sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Ujore të RMV-së dhe në bazë të parashikimeve për temperaturë mesatare ditore të ajrit në Shkup nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

“Furnizimi në kohë me energji të ngrohjes është thelbësor për komoditetin e shfrytëzuesve tanë. Prandaj, apelojmë që të ndiqen rekomandimet dhe të bashkëpunohet me personat zyrtarë për të siguruar funksionimin e besueshëm të sistemit. U bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve që të kryejnë menjëherë riparimet e nevojshme në instalimet e tyre të brendshme të ngrohjes, pasi mirëmbajtja e rregullt është detyrim i tyre. Ndërhyrjet e kryera duhet të raportohen në Qendrën e Kujdesit për Konsumatorët, e cila do të mundësojë furnizim të pandërprerë me ngrohje. Është gjithashtu e rëndësishme që komunitetet pronare të sigurojnë qasje të papenguar të personave zyrtarë në nënstacionet e ngrohjes dhe furnizim të rregullt me ​​energji elektrike në stacionin e ngrohjes, përkatësisht faturat e paguara të energjisë elektrike dhe instalimet elektrike funksionale”, bëhet e ditur në kumtesën e SHA EMV.

Të gjithë konsumatorët mund të kontrollojnë nëse objekti i tyre është në listën e objekteve të mbyllura pa kushte për dërgesë të ngrohjes, i cili është në dispozicion në linkun “Objekte të mbyllura – EMV Furnizimi”.

Për informacione, raportime të defekteve ose njoftim për intervenime të përfunduara, shfrytëzuesit mund të paraqiten në Qendrën për Kujdes të Konsumatorëve dhe numrat e telefonit 02 3076 200 dhe 075 400 100.

Enver Dugolli intervistohet nga Prokuroria Speciale

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka njoftuar sot përmes një deklarate publike se është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në cilësinë e të paditurit për nxitje të urrejtjes.

Padi kundër tij është ngritur nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, i biri i Ajet Istogut.

Dugolli thotë se gjatë viteve ’80 ka qenë viktimë e dhunës fizike, psikike dhe emocionale nga Ajet Istogu dhe se kjo dhunë ka lënë pasoja edhe në shëndetin e tij.

“Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80”, ka shkruar Dugolli, i cili thotë se është i gatshëm të përballet ballëhapur me drejtësinë, duke qenë “i qetë dhe i bindur në të drejtën e tij”.