Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Rajoni

Kurti takohet me senatoren amerikane Elissa Slotkin, flasin për sigurinë e mbrojtjen

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takoi senatoren amerikane të shtetit Michigan, Elissa Slotkin.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti e uroi senatoren Slotkin për rizgjedhjen e saj në zgjedhjet e vitit të kaluar. Temat kryesore të bisedës përfshinë mbrojtjen, sigurinë, integrimin dhe investimet në infrastrukturë.

Kryeministri veçoi bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në armatimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rëndësinë e mbështetjes së ShBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për aktivizmin dhe kontributin e diasporës shqiptare në Michigan dhe rolin e saj në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve, si dhe për potencialin e saj në promovimin e investimeve të bizneseve amerikane në Kosovë.

Abdixhiku: Prishtina po transformohet me projekte madhore, LDK është garanci për zhvillim afatgjatë

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një tubim elektoral në Prishtinë (Dega IV), ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, theksoi se kryeqyteti është dëshmi e qeverisjes së suksesshme të LDK-së.

Ai vlerësoi mandatin e kryetarit aktual, Përparim Rama, duke veçuar projektin e mësimit tërëditor si një “revolucion kombëtar” në arsim dhe Unazën e Brendshme të qytetit si një “standard i ri urban”.

“Prishtina është LDK, sepse Prishtina është e kaltër, sepse Prishtina është me Përparim Ramën. Dhe kur Prishtina është me ne, është e gjithë Kosova me ne. Prishtina nuk është vetëm kryeqyteti administrativ i Kosovës. Prishtina është fytyra e shtetit tonë, pasqyra e modernitetit tonë, dritarja nga ku shihet e ardhmja jonë. Është qyteti i rinisë, i energjisë, i ideve, është qyteti i ëndrrave më të guximshme. Çdo fitore kombëtare është nisur këtu, çdo shpresë është ndezur këtu, çdo hap i madh përpara është hedhur nga ky qytet. Dhe mu për këtë arsye, përgjegjësia jonë ndaj Prishtinës është më e madhe se kudo tjetër. Ky qytet nuk mund të ngecë, ky qytet nuk mund të mbetet peng, ky qytet nuk mund të humbasë kohë. Prishtina duhet të ecë përpara, sepse vetëm kur ecën Prishtina, ecën edhe Kosova. Katër vite më parë, ne i dhamë këtij qyteti një vizion të ri dhe një kryetar ndryshe. Ne sollëm Përparim Ramën – njeriun e arkitekturës, të urbanizmit modern, të përvojës ndërkombëtare, të ideve që shohin përpara”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tha se Përparim Rama nuk erdhi nga politika e fjalëve të thata, por ai erdhi nga bota e punës konkrete.

“Nuk erdhi për pushtet, por për qytetin. Nuk erdhi për retorikë, por për vizion. Dhe sot, katër vite më pas, kryeqyteti është dëshmia më e qartë e suksesit të këtij vizioni. Projekti më i madh, krenaria më e madhe e këtyre katër viteve, është mësimi tërëditor. Për herë të parë në historinë e kryeqytetit, fëmijët tanë kalojnë ditën e tyre në shkolla moderne, me kushte të denja, me ushqim të sigurt, me kujdes të veçantë pedagogjik, me aktivitete të shumta që i përgatisin për jetën. Ky projekt nuk është vetëm një risi arsimore; është një revolucion nacional. Është mbështetje për çdo prind që e di se fëmija i tij është i sigurt gjatë gjithë ditës. Është investim për çdo familje që e ka tashmë një barrë më pak. Është garanci për të ardhmen e çdo fëmije që rritet me dije, me kulturë dhe me mundësi të barabarta. Ky projekt e dallon Prishtinën nga çdo komunë tjetër dhe e vendos kryeqytetin tonë si model për gjithë Kosovën. Dhe ky projekt ka një autor të qartë: Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Përparim Ramën”, shtoi ai.

Abdixhiku tha se LDK është forca që premton dhe realizon, ndërsa më 12 tetor qytetarët do të zgjedhin mes zhvillimit dhe stagnimit.

“Një tjetër projekt madhor që po e transformon qytetin është Unaza e Brendshme e Prishtinës. Për vite e dekada, ky projekt nuk ekzistonte veçse në letra, në premtime të pambajtura, në plane që kurrë nuk u nisën. Sot, falë qeverisjes sonë, Unaza është bërë realitet. Ky projekt është frymëmarrja e qytetit. Është shpëtimi nga kaosi urban. Është lidhja mes lagjeve, është kursimi i kohës për qytetarët, është mundësia e re për zhvillimin e bizneseve. Unaza është standardi i ri i kryeqytetit modern. Dhe ky standard e mban vulën e LDK-së. Sepse vetëm me LDK-në, projektet e mëdha nisin dhe përfundojnë. Në krah të Unazës, kemi Rrugën A – boshtin e ri të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit. Ky korridor i ri urban nuk është thjesht një rrugë e shtruar. Është arterie zhvillimi. Është korridor që i jep qytetit dimension tjetër. Është hapësirë për investime, është rritje e vlerës së pronës, është lidhje strategjike me ekonominë e gjithë vendit. Rruga A është shembulli më i qartë se si qeverisja jonë mendon për të ardhmen, jo vetëm për të sotmen. Është dëshmi se vizioni ynë nuk është i kufizuar te ditët që jetojmë, por shikon dekadat që vijnë”, tha kreu i LDK-së.

Abdixhiku e cilësoi Unazën e Brendshme si një nga projektet më të rëndësishme që po ndryshon fytyrën e Prishtinës pas dekadash premtimesh të pambajtura.

“Prishtina jonë është edhe qyteti i shesheve. Hapësirat publike të këtij qyteti janë bërë identiteti i tij. Dhe këto identitete po bëhen vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sheshi “Ibrahim Rugova”, sheshi “Skënderbeu”, sheshi “Zahir Pajaziti”, sheshi i Katedrales, e së shpejti edhe sheshi i Xhamisë së Re – janë dëshmi e punës sonë të palodhur për t’i dhënë qytetit qendra të reja urbane. Janë hapësira që i japin jetë qytetit, që i afrojnë njerëzit, që krijojnë identitet modern e qytetar. Ne i kemi krijuar këto sheshe, ne i kemi mbrojtur nga zërat që i kundërshtuan, ne i kemi mbajtur gjallë edhe kur disa thoshin se duhen zhbërë. Sepse Prishtina nuk duhet të lakmohet, ajo duhet të dashurohet. Dhe këtë dashuri ia jep vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës. Të gjitha këto projekte janë dëshmi të qarta të punës sonë. Janë projekte që flasin vetë. Janë premtime të mbajtura, janë vizione të kthyer në realitet. Dhe janë dallimi më i madh mes nesh dhe të tjerëve. Sepse përballë këtyre veprave, të tjerët nuk kanë çfarë të tregojnë. Ata flasin, ne punojmë. Ata premtojnë, ne ndërtojmë. Ata shohin qytetin si plaçkë politike, ne e shohim si amanet qytetar. Më 12 tetor, qytetarët e Prishtinës do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Në njërën anë është stagnimi, është propaganda, është kaosi. Në anën tjetër është zhvillimi, është puna konkrete, është vizioni. Në njërën anë janë ata që flasin shumë e nuk bëjnë asgjë. Në anën tjetër jemi ne që punojmë dhe ndërtojmë. Në njërën anë janë ata që e shohin qytetin si plaçkë. Në anën tjetër jemi ne që e shohim si amanet”, tha Abdixhiku.

Ende nuk dihen shkaqet e bastisjes së shtëpive të shqiptarëve në Bujanoc, nga xhandarmeria serbe

Më herët gjatë ditës u raportua se në fshatin Konçul të Bujanocit, xhandarmeria serbe ka zhvilluar një aksion bastisjeje në dy shtëpi të shqiptarëve.

Banorët e shqetësuar kanë informuar organet dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke pohuar se nuk iu është lejuar të afrohen pranë shtëpive, gjatë momentit kur po ndodhte bastisja.

Kryetari i Këshillit, Enkel Rexhepi, ka pohuar për IndeksOnline se ende nuk kanë informacione të detajuara rreth bastisjes.

“Nuk kemi akoma asgjë të re. Ende janë ato informacione” deklaroi Rexhepi.

Kujtojmë se Konçuli është fshat i banuar kryesisht me shqiptarë, e që gjendet pranë pikës kufitare “Dheu i Bardhë”.

Kosova nis hetime paraprake për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se autoritetet i kanë nisur hetimet paraprake për identifikim të autorëve të mundshëm për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi, për çka autoritetet malazeze i kanë dërguar notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë.

Mali i Zi ka thënë se të shtënat me armë zjarri dyshohet se janë nisur nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.

Incidenti i parë ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur janë vërejtur dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit, ndërsa, incidenti i dytë ka ndodhur më 24 gusht të këtij viti, kur janë regjistruar të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Autoritetet malazeze kanë hapur lëndë dhe po kryejnë hetime për rastet.

Kryeziu ka thënë për Radio Evropa e Lirë se shteti i Kosovës është njoftuar përmes kanaleve diplomatike nga shteti malazez për incidentet dhe që Policia Kufitare e Kosovës ka nisur të patrullojë menjëherë në zonën e Shtedimit, por që aty nuk janë gjetur dëshmi materiale që konfirmojnë vendin apo rrethanat e incidentit.

“Megjithatë, me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë nisur hetimet paraprake për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke u mbështetur edhe në informacione nga burime lokale”, ka bërë të ditur Kryeziu.

Ai ka thënë se institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës, ka shprehur gatishmëri për organizimin e një takimi me autoritetet kufitare malazeze me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacionit operativ dhe parandalimin e dukurive negative përgjatë vijës kufitare, dhe që vetëm këtë vit, dy vendet i kanë kryer 30 patrullime të përbashkëta në zona kufitare.

Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka thënë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, dhe që policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

Mali i Zi dhe Kosova e kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin në vitin 2015. Mali i Zi e ka ratifikuar atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë./REL

Statovci takohet me zonjat e Prishtinës, këto janë çështjet që u diskutuan

Bartësja e listës për Asamble Komunale të Prishtinës nga radhët e Guxo-s, Jeta Statovci, është takuar sot me gratë e Prishtinës.

Gjatë vizitës në OJQ-në Pojata, Statovci u frymëzua për zgjidhjet e problemeve me të cilat ballafaqohen gratë e shoqërisë kryeqytetase.

“Kënaqësi të takoj këto zonja që meritojnë edhe kujdesin e institucioneve komunale.

Më së shumti, mund t’i ndihmojmë duke forcuar dhe reformuar sistemin shëndetësor në nivel komunal – për të ofruar shërbime më të plota, përfshirë ndihmën rreth barnave – por edhe duke mbështetur aktivitetet e tyre sociale dhe rekreative” u shpreh Statovci.

Ajo bën me dije se gjatë takimit u bisedua edhe për mundësinë e prezantimit të punimeve të tyre, në hapësirat komunale.

Ky është njoftimi i plotë i Statovcit:

Me zonjat e Prishtinës

Të respektosh çdo grup të shoqërisë është kulturë dhe etikë publike.

Kënaqësi të takoj këto zonja që meritojnë edhe kujdesin e institucioneve komunale.

Më së shumti, mund t’i ndihmojmë duke forcuar dhe reformuar sistemin shëndetësor në nivel komunal – për të ofruar shërbime më të plota, përfshirë ndihmën rreth barnave – por edhe duke mbështetur aktivitetet e tyre sociale dhe rekreative.

Gjithashtu, biseduam edhe për mundësinë që hapësirat komunale të shfrytëzohen për prezantimin e punimeve të tyre, duke u dhënë atyre më shumë hapësirë dhe vlerësim në jetën kulturore të qytetit.

Faleminderit Sabrije Nimani, OJQ Pojata

Nuk kalon buxheti i Junikut, reagon kryetari: Për këtë arsye pas 12 tetorit s’do të ketë balotazh

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar mos-miratimin e buxhetit komunal për vitin 2026.

Sipas Shehut, arsye e dështimit ka qenë mos-prezenca e asamblistëve të AAK-së dhe LVV-së, në mbledhjen e jashtëzakonshme, shkruan IndeksOnline.

“Paradoksalisht, këto parti e kanë gojën plot me premtime elektorale të mëdha. Mirëpo asnjë projekt në Junik nuk do mund të realizohet sepse vet ata sot nuk e miratuan buxhetin. Prandaj edhe premtimet e tyre janë të pasinqerta” u shpreh kryetari Shehu.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Të dashur junikas,

Sot Kuvendi Komunal i Junikut ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku pikë e vetme e rendit të ditës ka qenë miratimi i buxhetit të Junikut për vitin 2026.

Asambleistët nga partitë AAK dhe VV nuk kanë qenë prezent në këtë mbledhje. Për pasojë nuk ka pasur kuorum dhe nuk është miratuar buxheti i Komunës për vitin 2026.

Paradoksalisht, këto parti e kanë gojën plot me premtime elektorale të mëdha. Mirëpo asnjë projekt në Junik nuk do mund të realizohet sepse vet ata sot nuk e miratuan buxhetin. Prandaj edhe premtimet e tyre janë të pasinqerta.

Mirëpo fitorja e LDK në Junik më 12 Tetor do të jetë madhështore. Për këtë arsye duhet të votohen edhe kandidatët tanë për Kuvendin Komunal.

Balotazh nuk do të ketë dhe LDK në Junik do të vazhdoj +4.