Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Rajoni

Podujevë: Policia bastis lokalin ku po luhej bixhoz, arrestohen dy persona

Njësitë të policisë kanë zhvilluar mbrëmë një aksion në Podujevë, pas raportimit se në një lokal po zhvillohej bixhoz.

Me të marrë urdhrin e prokurorit dhe pëlqimin e pronarit, njësitet përkatëse kanë kontrolluar lokalin, shkruan IndeksOnline.

Policia bën të ditur se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa pajisje që shërbejnë për veprimtarinë e bixhozit.

“Dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, pronari dhe punëtori i lokalit, janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje” deklaron policia.

Rasti është iniciuar si “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Alarmuese: Gjatë 9 muajve të këtij viti rreth 330 raste të reja me kancer të gjirit

Numri i rasteve të reja me kancer të gjirit në periudhën janar- shtator të këtij viti, rreth 330, është numër i përafërt me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, vlerësoi se Kosova shënoi për herë të parë një stabilitet sa i përket numrit të rasteve të reja me kancer të gjirit, duke e quajtur zhvillim pozitiv.“Këtë vit në Kosovë, në nëntëmujorin e parë 2025, ne kemi regjistruar në regjistrin klinik të kancerit rreth 330 femra me kancer të gjirit, që është numër i njëjtë përafërsisht me vitin 2024. Shpresojmë që deri në fund të vitit të mos jetë më i lartë sesa që ishte në vitin 2024. Me këto shifra, Kosova shënon për herë të parë një stabilitet sa i përket numrit të rasteve të reja me kancer të gjirit. Shpresojmë që viteve në vazhdim ky trend të mbahet dhe ,normalisht, së fundi të mund të diagnostikohen sa më herët, në mënyrë që format e hershme të sëmundjes të jenë suksesi i mjekimit më të madh”, tha Kurtishi.

Ai tek flet për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm bën thirrje për më shumë vetëdijesim dhe kontrolle të rregullta, sidomos mamografi një herë në vit.

Ai vë në dukje se grupmosha më e prekur mbetet 50–60 vjeç, por vërehet një rritje e rasteve edhe te moshat nën 50 vjeç.

“Për sëmundjet malinje ka një vetëdijesim më të mirë, por në përgjithësi duhet të bëhet edhe më shumë, në mënyrë që sëmundjet të diagnostikohen mbi 50–60 për qind në stadin e parë dhe të dytë që trajtimi të jetë më i lehtë, më pak i kushtueshëm dhe më efikas. Grupmoshat e atakuara me këtë sëmundje malinje janë dhe mbesin në Kosovë mosha 50–60 vjeç, por ajo që është problematikë në rritje janë grupmoshat e reja dhe grupmoshat e personave nën 50 vjeç, që vitet e fundit kanë një tendencë në rritje, por si diagnostifikim numër më të madh të personave nën moshën 50-vjeçare në krahasim me vitet paraprake. Por, është trend në gjithë botën, edhe në Kosovë dhe kjo nuk e rrit numrin total të të sëmurëve, por rrit numrin e pacientëve të rinj, të cilët nga viti në vit kanë tendencë në rritje”, tha ai për Ekonomia Online

Simptomat e sëmundjes zakonisht shfaqen në faza të avancuara dhe përfshijnë ndryshime në ngjyrë, formë apo madhësi të gjirit, rrjedhje nga gjiri, dhimbje apo inflamacion.

“Simptomat paraqiten zakonisht kur sëmundja merr hov dhe për këtë arsye rekomandohet të bëhen ekzaminime, mamografi një herë në vit në mënyrë që sëmundja të diagnostikohet pa pasur shenja. Kur paraqiten shenjat, ato tregojnë që sëmundja është aty dhe ka tendencë të avancimit dhe ndër to shenjat janë: një ndryshim i ngjyrës së gjirit, formës së gjirit, madhësisë, rrjedhje sekrecionesh, tërheqja e majës së gjirit, inflamacioni i gjirit dhe skuqja. Por, edhe dhimbja e gjirit mund të jetë shenjë që sëmundja është prezente dhe është e avancuar”, tha drejtori Kurtishi.Nga sot do të fillojë zyrtarisht fushata e sensibilizimit për kancerin e gjirit në Kosovë, si pjesë e muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për këtë sëmundje.

Kurti përkujton 28-vjetorin e protestave të studentëve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përkujtuar 28-vjetorin e protestave të studentëve.

Kurti në Facebook ka shkruar se më 1 tetor të vitit 1997, pas gjashtë vitesh të kaluara pa protesta dhe demostrata, mijëra qytetarë të Kosovës iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga Unioni i Pavurur i Studentëve të Prishtinës, kundër shtypjes dhunës dhe segregimit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

IKD publikon raportin: Integriteti i kandidatëve për Kryetarë të Komunave në Zgjedhjet Lokale 2025

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar të mërkurën raportin lidhur me kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2025, të cilët kanë aktakuza aktive, apo që janë dënuar më herët me vendime të formës së prerë për vepra të ndryshme penale.

IKD thekson se ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptim që personat të cilët kanë probleme me ligjin, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, mos të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike.

“Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për moskandidim të personave të cilët kanë probleme me ligjin nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në atë mënyrë që përderisa problemet me ligjin nuk përfundojnë, partitë politike nuk kandidojnë persona të tillë”, thuhet në komunikatë.

Sipas të dhënave të monitorimit të IKD-së, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin.

“Prej tyre, janë gjithsej katër (4) kandidatë të cilët kanë aktakuza aktive, mbi bazën e të cilave aktakuza edhe janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, por se këto dënime ose janë kthyer në rigjykim ose nuk kanë marrë formën e prerë. Ndërkaq, janë identifikuar edhe pesë (5) kandidatë që në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë”, thuhet në komunikatë.

Tre prej kandidatëve që kanë probleme me ligjin, IKD gjen se janë nga PDK dhe një nga LVV

“Tek kandidatët për kryetarë të komunave që IKD ka gjetur se kanë probleme me ligjin, përfshihen katër (4) kandidatë nga dy parti politike, tre (3) prej tyre nga PDK dhe një (1) nga LVV. Përderisa, tre (3) kandidatë janë nga tri iniciativa qytetare, Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska NarodnaSloga dhe Iniciativa Demokracia. Kurse, një (1) është kandidat i pavarur”, thuhet më tej.

Sipas IKD-së, kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale.

Krahasimisht me zgjedhjet lokale të vitit 2021, IKD gjen se ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin.

“Progres po ashtu vërehet edhe në numrin e partive politike që përfshijnë në listat e tyre kandidatë për kryetarë të komunave. Në vitin 2021 ishin evidentuar katër (4) parti politike, përderisa në zgjedhje lokale 2025, janë evidentuar dy (2) parti politike. Mirëpo, në këto zgjedhje janë evidentuar edhe tri (3) nisma qytetare që kanë paraqitur kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, përderisa një kandidat tjetër është i pavarur, të cilët formalisht trajtohen si subjekte politike”, thotë IKD.

Kurse, evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë.

Komunikata e plotë:

“Prishtinë, 1 tetor 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin lidhur me kandidatët për kryetarëtë komunave në zgjedhjet lokale 2025, të cilët kanë aktakuza aktive, apo që janë dënuar më herët me vendime të formës sëprerë për vepra të ndryshme penale.

Sikurse edhe në ciklet tjera zgjedhore, edhe në këtë rast, IKD bazuar në të dhënat e saj të mbledhura nga procesi i monitorimit të gjykatave, në këtë raport ka paraqitur kandidatët për kryetarë të komunave të cilët kanë probleme me ligjin.

IKD ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptim që personat të cilët kanë probleme me ligjin, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, mos të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike. Problemet me ligjin konsistojnë qoftë në aktakuza aktive apo dënime të formës së prerë. Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për mos kandidim të personave të cilët kanë probleme me ligjin nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në atë mënyrë që përderisa problemet me ligjin nuk përfundojnë, partitë politike nuk kandidojnë persona të tillë.

Bazuar në të dhënat e monitorimit të IKD, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë (8) prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin. Prej tyre, janë gjithsej katër (4) kandidatë të cilët kanë aktakuza aktive, mbi bazën e të cilave aktakuza edhe janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, por se këto dënime ose janë kthyer në rigjykim ose nuk kanë marrë formën e prerë. Ndërkaq, janë identifikuar edhe pesë (5) kandidatë që në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Tek kandidatët për kryetarë të komunave që IKD ka gjetur se kanë probleme me ligjin, përfshihen katër (4) kandidatë nga dy parti politike, tre (3) prej tyre nga PDK dhe një (1) nga LVV. Përderisa, tre (3) kandidatë janë nga tri iniciativa qytetare, Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska NarodnaSloga dhe Iniciativa Demokracia. Kurse, një (1) është kandidat i pavarur.

Sa i përket shtrirjes sipas komunave të kandidatëve që kanë probleme me ligjin, IKD gjen se kandidatë të tillë evidentohen në gjithsej shtatë (7) komuna. Kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale.

Krahasimisht me zgjedhjet lokale të vitit 2021, IKD gjen se ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin. Progres poashtu vërehet edhe në numrin e partive politike që përfshijnë në listat e tyre kandidatë për kryetarë të komunave. Në vitin 2021 ishin evidentuar katër (4) parti politike, përderisa në zgjedhje lokale 2025, janë evidentuar dy (2) parti politike. Mirëpo, në këto zgjedhje janë evidentuar edhe tri (3) nisma qytetare që kanë paraqitur kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, përderisa një kandidat tjetër është i pavarur, të cilët formalisht trajtohen si subjekte politike.

Në anën tjetër, IKD evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë”.

Vjeshta për Vjosen, nga Amerika në Danimarkë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion do të mbahet në Kopenhagë, Danimarkë, dhe do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.

Para fillimit të samitit, Presidentja Osmani do të pritet nga Lartmadhëritë e Tyre, Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës, ndërsa gjatë punimeve do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të këtij edicioni.

Presidentja po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse.

Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.

Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti. I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

KQZ-ja do të miratojë akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku mes të tjerash do të shqyrtohet dhe miratohet rekomandimi për akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe përfaqësive diplomatike.

Takimi është njoftuar të fillojë në orën 13:30, raporton IndeksOnline.

Në rend të ditës është po ashtu shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për emërimin e ekipeve të numërimit në qendrat komunale të numërimit.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të zhvillohen të dielën e 12 tetorit.

Ky është rendi i plotë i ditës:

1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes nr.60/2025

3. Aktivitetet e zyrës

3.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtar dhe përfaqësive diplomatike në Republikën e Kosovës.

4. Këshillat e KQZ-së

4.1. Këshilli për operacione zgjedhore

4.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i procedurës të veprimit në qendrën komunale të numërimit për

Zgjedhjet lokale 2025

4.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për emërimin e ekipeve të numërimit në qendrat komunale të numërimit për zgjedhjet lokale 2025

5. Të ndryshme