Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Avokati i Popullit: Ka një tendencë që të goditen institucionet e pavarura

Avokati i Popullit ka organizuar një takim të martën me partnerët ndërkombëtarë për nder të përvjetorit të 25-të të themelimit të këtij institucioni.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, para diplomatëve të huaj shprehu nevojën që partneriteti me aleatët të fuqizohet dhe të vazhdojë edhe më tej në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut.

“Besoj që kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim dhe partneritet do të vazhdojë edhe më tej. Jam i bindur se është në interes të të gjithëve neve që vendi ynë këtë partneritet ta ruajë dhe fuqizojë në drejtim të avancimit edhe më tej të respektimit të të drejtave të njeriut”, theksoi ai.

Ai përmendi edhe sfidat që kohëve të fundit janë përballuar, ndër të tjera edhe me mungesën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, nënvizoi se gjatë periudhës sa po ushtron detyrën e Avokatit të Popullit, ka pasur një tendencë që të goditen institucionet e pavarura, por nuk tregoi se nga kush.

“Së fundmi, sfidën më të madhe e kemi mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera që funksionojnë pas zgjedhjeve. Këto vite, për sa vite unë jam Avokat i Popullit, kam parë një tendencë që vazhdimisht, në situata të kësaj natyre, të goditen institucionet e pavarura dhe të jenë nën kërcënim në forma të ndryshme. Qoftë përmes deklarimeve publike, qoftë përmes anashkalimit dhe injorimit të qëndrimeve që i kryen Avokati i Popullit”, shtoi Qelaj.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i cili tha se institucioni i Avokatit të Popullit shënon arritje të mëdha në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe barazinë në Kosovë.

Ai theksoi se ruajtja e pavarësisë së institucionit të Avokatit të Popullit do të thotë rritje e besimit të publikut.

“Ky përvjetor shënon arritje të mëdha që reflektojnë vite pune, të dedikimit dhe profesionalizmit me qëllim të promovimit të një shoqërie që vlerëson të drejtat e njeriut dhe barazinë për të gjithë qytetarët e Kosovës… BE-ja i thekson jashtëzakonisht shumë të drejtat dhe liritë e njeriut, duke kuptuar rolin qenësor të institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive. Ruajtja e pavarësisë së institucionit të Avokatit të Popullit do të thotë rritje e besimit publik”, theksoi Orav.

Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të ambasadave të tjera të akredituara në Kosovë, si dhe shefi i EULEX-it, Pietro Barbano.

Drejtësi pa kufij: Kosova dhe Shqipëria me front të përbashkët kundër korrupsionit

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur në një takim pune drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani.

Gjatë këtij takimi, palët diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në forcimin e sundimit të ligjit, shkëmbimin e përvojave profesionale si dhe bashkërendimin e hetimeve në raste me interes të përbashkët.

KLIKO KETU PER STATUSIN NGA PROKURORIA

Lirohet nga masa e paraburgimit Kolonel Nexhmi Krasniqi

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë sot aktvendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj Kolonel Nexhmi Krasniqit dhe tre të arrestuarve të tjerë, të cilët po ndiqen penalisht për veprën penale “Detyrimi”.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Krasniqit, Besnik Berisha.

“Po është liruar nga masa e paraburgimit. Vendimi i është konfirmuar edhe Qendrës Korrektuese. Tashmë masa e caktuar është prej 1 muaji arrest shtëpiak. Sigurisht edhe kjo masë do të shqyrtohet dhe do të apelojmë që të hiqet si masë”, ka thënë Berisha në një prononcim PER MEDIA.

Koloneli Nexhmi Krasniqi u arrestua më 4 gusht, nga një aksion i përbashkët i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe Inspektoratit Policor. Aksioni u realizua në katër lokacione, prej të cilit u arrestuan katër të dyshuar, në mesin e të cilëve ishte edhe Krasniqi.

Krasniqi është i dyshuar për veprën penale të detyrimit. E gjithë ngjarja dyshohet se lidhet me një pronë për të cilën janë dhënë mijëra euro në formë të detyrimit.

Kosova merr presidencën e Asamblesë së Grupit Rajonal për Zhvillimin Rural në Evropën Juglindore

Republika e Kosovës ka marrë presidencën e Asamblesë së Grupit Rajonal për Zhvillimin Rural në Evropën Juglindore (SWG), për një periudhë një vjeçare.

Presidenca për kryesimin e këtij grupi, është dorëzuar sot nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, gjatë takimit të nëntëmbëdhjetë të SWG-së, i cili sivjet është duke u mbajtur në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi, i cili organizohet nën patronatin e përbashkët të MBPZhR-së dhe Grupit të Përhershëm Punues për Zhvillimin Rural dhe Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore, po marrin pjesë delegacione nga i gjithë rajoni i Evropës Juglindore për diskutime në nivel të lartë mbi të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Me rastin e marrjes së presidencës, ministri në detyrë i BPZhR-së, Faton Peci ka theksuar se me përgjegjësi të plotë, Kosova tani po e merr Presidencën e Asamblesë së SWG-së dhe nën këtë mandat Kosova do të udhëheqë projekte dhe iniciativa që forcojnë bashkëpunimin tonë dhe avancojnë zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale në rajonin tonë dhe më gjerë.

Peci gjatë fjalimit të tij, ka thënë se është kënaqësi e veçantë ta presin këtë takim në Kosovë dhe të reflektojnë mbi progresin e përbashkët drejt Politikës së Përbashkët Bujqësore, si dhe hapat e ndërmarrë për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në IPARD.

”Që nga marrja e detyrës si Ministër i Bujqësisë, kam mbetur plotësisht i përkushtuar të përafroj bujqësinë, agroushqimin dhe sektorin e pylltarisë të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë respektimin e rregullave të BE-së, aplikimin e praktikave më të mira dhe harmonizimin e ligjeve, akteve nënligjore dhe rregulloreve tona me ato të BE-së. Në skemat financiare, grante dhe subvencione, fermerët e Kosovës janë mbështetur me mbi 300 milionë euro për periudhën 2021–2024. Në këtë drejtim, kemi përgatitur gjithashtu Rregulloren e Brendshme të Agjencisë për Zhvillim Rural si një hap të rëndësishëm drejt akreditimit për IPARD”, ka thënë ministri në detyrë.

Po ashtu, ai ka treguar se vitin e ardhshëm, do të lansojnë gjithashtu projektin IPARD-Like, të financuar nga BE-ja, i cili do të shërbejë si një test i rëndësishëm i gatishmërisë sonë aktuale për të aplikuar procedurat e IPARD-it në praktikë, duke na ndihmuar të identifikojmë pikat e forta, të adresojmë boshllëqet dhe të ndërtojmë kapacitetin e nevojshëm për akreditimin e plotë në IPARD.

“Raportet e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën tregojnë përparim të qartë në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ato theksojnë arritjet nën Kapitullin 11 për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Kapitullin 12 për sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, si dhe Kapitullin 13 për peshkimin dhe akuakulturën, duke konfirmuar se Kosova po avancon në përputhje me kërkesat e BE-së”, tha , Faton Peci, duke shtuar se për këto kapituj, kanë përgatitur ligjet sektoriale të nevojshme plotësisht të përafruara me standardet e BE-së, kanë futur mjete digjitale monitorimi për sigurinë ushqimore si Sistemi i Kontrollit dhe Menaxhimit të Ushqimit (FCMS), si dhe kemi krijuar një inventar për peshkimin.

Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit të Grupit të Përhershëm për Zhvillim Rural Rajonal (SWG), Boban Ilić, në fjalimin e tij të mbajtur gjatë këtij takimi ka theksuar rëndësinë e partnerëve ndërkombëtarë në punën e SWG dhe se puna e tyre sipas tij nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e këtyre vendeve.

“Ka një listë të gjatë të vendeve partnere të cilat formalisht besojnë në SWG, kanë statusin e vëzhguesit, por ata janë shumë aktivë, në të vërtetë, dhe puna jonë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e tyre, në terma të ekspertizës dhe gjithashtu burimeve të tjera dhe ndihmës së agjencive për të zbatuar filozofinë tonë. Ajo bazohet mbi themelin për të ndihmuar vendin, veçanërisht vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u përgatitur për integrime të reja, për të qenë në gjendje të krijojnë Kinë të re”, tha ai.

Ndryshe, agjenda e këtij takimi do të fokusohet në zhvillimet drejt CAP-it dhe zbatimit të IPARD-it, në kontekstin e integrimit evropian, si dhe në shqyrtimin e bashkëpunimit rajonal në sektorin agro-ushqimor në kuadër të SWG-së. Gjithashtu, do të prezantohen dhe diskutohen konkluzionet e Forumit të Politikave Bujqësore “Agjenda e Ohrit 2025”.

Kosova dhe Arabia Saudite forcojnë lidhjet me linjën e re ajrore Prishtinë – Xheda

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur sot lansimin zyrtar të linjës së re ajrore direkte Prishtinë – Xheda (Jeddah), që do të operohet tri herë në javë nga kompania ajrore FlyNas.

“Kjo linjë është shumë më tepër se një rrugë udhëtimi – ajo është një urë miqësie dhe nje lidhje strategjike që forcon marrëdhëniet mes dy vendeve, krijon mundësi të reja për turizëm, bashkëpunim kulturor dhe ekonomik mes Kosovës dhe Arabisë Saudite.”, ka shkruar Durmishi.

Nis vaksinimi kundër gripit sezonal, QKMF: Prioritet grupet më të rrezikuara

Sot ka nisur vaksinimi i qytetarëve, kundër gripit sezonal.

Nga QKMF-ja, bëjnë me dije faktin se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur veten dhe të afërmit nga gripi dhe komplikimet e tij.

Doktorresha e QKMF-së, Xhevahire Canolli, në një intervistë për IndeksOnlinen tregon se te të cilat mosha dhe persona rekomandohet vaksinimi kundër gripit sezonal.

Gripi sezonal është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që përhapet lehtë dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te: fëmijët me imunitet të dobësuar, të moshuarit, gratë shtatzëna, punonjësit e shëndetësisë dhe personat me sëmundje kronike.

Simptomat më të zakonshme janë: ethet, kollitja, dhembjet e muskujve, lodhja dhe dhembjet e kokës.

Punonjësit e shëndetësisë rekomandohet fuqimisht të vaksinohen për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pacientëve që trajtojnë.

Profesione të tjera me rrezik të shtuar që rekomandohet të vaksinohen janë: punëtorët e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, banorët dhe stafi i shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësit dhe edukatorët si dhe kujdestarët e pacientëve me imunitet të dobësuar.

Vaksinimi kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat janë furnizuar me vaksina nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK)