Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Osmani përfaqëson sot Kosovën në Samitin e EPC-së

Sot në Kopenhagë do të mbahet Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili pritet të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndryshe mbrëmë, Osmani është pritur me nderime nga mbreti e mbretëresha të Danimarkës.

Sipas njoftimit, presidentja po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse.

Në kuadër të samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.

Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti. I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Vendimi i Kushtetueses, Rrustemi i LVV-së e bën të qartë: Nuk do të votojmë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, thotë ish-deputeti, Adnan Rrustemi. Një ditë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga komuniteti serb, anëtari i LVV-së kritikon Kushtetuesen se i ka dhënë një levë shtesë Listës Serbe për të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe për ta përdorur këtë si një mekanizëm me fuqi vetoje edhe në të ardhmen.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, megjithëse kryeparlamentari i sapo zgjedhur, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar legjislaturën e nëntë në fund të muajit gusht.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Rrustemi thotë për KosovaPress se ani pse presin publikimin e plotë të aktgjykimit të Kushtetueses, ky vendim nuk i kontribuon zhbllokimit dhe krijimit të institucioneve, por vazhdimin e bllokadës dhe paqartësisë.

Në njërën nga dy urdhëresat e Kushtetueses, kërkohet që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, deputetët e Kuvendit të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

Mirëpo, Rrustemi thotë se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Madje ai i bën thirrje edhe partive ish-opozitare në Kuvend për një gjë të tillë, siç thekson, duke marrë parasysh veprimtarinë e Listës Serbe dhe pozicionimin e saj ndaj strukturave kriminale dhe terroriste.

Ndërkaq, sa i përket urdhëresës tjetër, ku Kushtetuesja urdhëron deputetët e Kuvendit që të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, Rrustemi deklaron se ka shumë paqartësi juridike se çka mund të ndodhë nëse s’ka respektim të këtij afati.

Sipas tij, Kushtetuesja ka pasur mundësi dhe argumente të pafundme për të konstatuar se Lista Serbe ka refuzuar të propozojë kandidat tjetër për nënkryetar pasi deputeti Slavko Simiq nuk i ka marrë votat e nevojshme, si dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka shterur të gjitha mundësitë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në anën tjetër, pas vendimit të djeshëm të Kushtetueses, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai duhet të shpërndahet dhe të mbahen zgjedhjet e reja

Droni serb fluturoi edhe në afërsi të burgut të Dyzit

Serbia sonte gjatë orëve të mbrëmjes ka lëshuar një dron, afër bazës ushtarake në Dumosh.

Po ashtu Indeksonline merr vesh se droni është lëshuar edhe mbi Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Indeksonline ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, teksa shihej lëvizja e dronit.

Disa ditë më parë lidhur me këtë çështje pati reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla, pak ditë më parë ka thënë se Beogradi zyrtar ka shkelur hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës me disa dronë.

“Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me KFOR-in, por edhe me shërbimet partnere dhe në momentin që kemi më shumë informata patjetër që do t’i ndajmë me publikun”, ka thënë ai.

Pos Sveçlës për këtë çështje ka folur edhe folur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovë, Gazmend Hoxha.

Hoxha ka thënë po ashtu që janë në koordinim me KFOR-in, që ka nën përgjegjësi hapësirën ajrore të Kosovës.

“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. KFOR-i, është përgjegjësi e tyre dhe janë duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë drejtori i Policisë të premten.

PARASHIKIMI I MOTIT PËR DITËN E ENJTE 02.10.2025 E ENJTE/KOSOVË/SHQIPËRI

Kosovë

Sipas IHMK

E enjte
Mot i vranët dhe me kushte për reshje shiu.
Temperaturat minimale: 1-3°C
Temperaturat maksimale: 7-12°C
Era: nga verilindja, 1-7 m/s

Shqiperi

Sipas SHMU

Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet i vranët dhe me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët dhe mesatar në të gjithë territorin, gjatë gjithë ditës. Në veri-verilindje në lartësinë mbi 1000metër, dhe juglindje mbi 1100-1300metër parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.
🌬 Era do të fryjë me drejtim verilindje-veri me shpejtësi mesatare 10m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina do të arrijë shpejtësi 12-23m/s.
🌊 Deti – Valëzimi i forcës 4-6 ballë

Digjet një shtëpi në Rakosh të Istogut, kërkohet një aksion për ta ndihmuar familjen gjashtë anëtarëshe

Një shtëpi është djegur sot në fshatin Rakosh të Istogut. Familja Sylaj ka pësuar dëme të mëdha materiale nga ky rast.

Dyshohet se zjarrëvënia është shkaktuar nga problemet me rrymën elektrike.

Një aksion për ta ndihmuar familjen gjashtë anëtarëshe është publik tani.

Bëhet fjalë për një familje gjashtë anëtarëshe, ndërsa kryefamiljari punon si gardian në Burgun e Dubravës.